Blej (sh)lirë!

12:29 / 17.04.2013

Parajsa e quajtur zyrtarisht “Kosovo”, ka filluar të njihet edhe në përmasa ndërkombëtare, për qeverisje (jo) të mire dhe për tezgat e lira ku shitet gjithçka, e kryesisht shitet (sh)lirë shteti dhe pasuria publike. Ma (sh)lirë veç lodhesh.

Pasi kapacitetet vendore u shteruan, e blerës vendorë nuk ka më, qoftë edhe falë, u erdh radha kapaciteteve të mëdha dhe fitimprurëse. Për këtë raund janë ruajtur edhe disa biznesmen tanë të përmasave ndërkombëtare të cilët janë përfshirë nëpër grupet aksionare, në forma nga më të ndryshmet, të cilat kufizohen veç me imagjinatën e tyre. As gazetaria investiguese nuk po u bie në fije.

Pra, u ble çka pat me u ble, në ndërkohë për pasojë edhe një udhëheqës i procesit të privatizimit pasi i shpëtoi burgut, u degdisë jashtë vendit në një ambasadë në fund të botës - për me qenë sa më larg medieve” Tjetri, i cili e trashëgoi atë xhungël, dhashtë Zoti të ketë shkuar në parajsë, pasi vendimmarrjen e mori vetë duke shkurtuar telashet e politikës dhe gjyqësorit. Në ndërkohë, procesi po vazhdon tash edhe me kapacitete dhe përkujdesje ndërkombëtare. Nuk po e përmendim një tjetër udhëheqës në këtë proces, po ashtu tejet të rëndësishëm në proces, i cili pasi shpëtoi nga “raketat” në rrugën nacionale, shkoi edhe ai ambasador në një vend mik në Ballkan. Pra, krejt kjo falë Zotit kaloi pa shumë dëme kolaterale për sistemin.

Pra, probleme burokratike nuk ka. Se te ne s’ka as burokraci me traditë, por udhëhiqet me akraba. Nëpër institucione, agjencione, ndërmarrje shtetërore e private, vendimmarrjen e bëjnë akrabaja e qeverisë dhe oligarkëve. Ata nuk e kanë të rëndësishme rrogën, por veç luftën me armikun e brendshëm.

“Së paku dhjetë vite e ke të garantuar se nuk të ngucë askush”, po u thuhet të huajve, sepse kaq po shpreson të rrijë në pushtet, kjo qeverisje. Në ndërkohë po e bënë pazar edhe vendin. Nëse ju kujtohet deklarata publike: “Deri më 2020” këtu më keni”! E kanë bë pazar!

Në fakt, edhe ashtu aferat në Ballkan shpërthejnë përafërsisht pas kaq vitesh, plus-minus, duke iu referuar aferës së fundit vendore-ndërkombëtare rreth “privatizimit” të IPKO-s, e cila po hetohet seriozisht nga shteti slloven. Kohëve të fundit njoftohet se hetimet janë shtrirë edhe në Maqedoni dhe në Kosovë. Se sa do të jenë serioze hetimet dhe se a do të shpalohet modeli ballkanik i privatizimeve varet shumë edhe prej kapaciteteve të shtetit slloven për me e përballua presionin e grupeve ndërkombëtare të interesit. Por, të mos prejudikojmë, se, pak a shumë, të njëjtit “sillen e pështillen” edhe rreth privatizimit të PTK-së! Veçse, kuptohet, se kjo kompani paraqet interes (inter)nacional dhe asgjë nuk bënë të i lihet rastit!

Pakoja qeveritare “blej (sh)lirë, se ma lirë nuk gjen, veç lodhesh” po tingëllon tepër atraktive në përmasa ndërkombëtare! Dorën në zemër, të interesuarit, ndoshta falë renomesë qeveritare, gjithnjë po del të kenë identitet konfuz dhe prejardhje po aq konfuze. Google di shumë pak për pronarët. Por, kush e këqyrë një detaj të tillë.

Duhet me e pranu se ne, si vend, kemi ecë shumë shpejt përpara. Kemi ecë krejt nëpër asfalt. Është nën dinjitetin tonë që deri në tualet të ecet nëpër rrugë lokale. Krejt duhet nëpër autostradë. Duke marrë parasysh shtëpitë e mëdha nëpër fshatrat tona vendore dhe ndërkombëtare, edhe prej dhome në dhomë, oligarkia shkon me xhipa me xham të errtë e me një “Z” në targë. Me vetura zyrtare. Kur e ke parasysh koston e këtyre veturave të cilat kushtojnë sa një banesë e mirë në Kosovë, atëherë ato gjithsesi duhet të kenë dhomën e fjetjes dhe tualetin të integruar. Por, nuk e kanë!

Por, të mos flasim me kaq dëshpërim se, falë Zotit, të gjitha i kemi, përveq korrupsionit! Korrupsion, sypozohet të ketë, por nuk po e sheh askush. As qeveria, as gjykatat vendore, as gjykatat ndërkombëtare të cilat te ne janë më vendore se vendoret. Nuk e shohin korrupsionin sepse nuk shikohen në pasqyrë. Janë të kënaqur me veten. Drejtësia është e verbër, kanë thënë!

Kryesorja, tash kemi demokraci. Nuk është më si dikur, kur organizatat ndërkombëtare të cilat e kritikonin qeverisjen, menjëherë shpalleshin armiqësore. Jo more, çfarti!? Për shembull, kur "Transparency International" dhe "Fredoom House" thotë se te ne ka aq shumë korrupsion sa kjo mund të jetë njëra nga arsyet kryesore përse investitorët nuk vijnë te ne, ne nuk skandalizohemi më. Po ku vijnë investitorët te ne. Allahile! Përralla janë. Te ne vijnë veç ata që kanë nevojë me ble diçka ma lirë se falë. Edhe me e nda me oligarkët tonë. Për shembull, me e ble distribucionin apo PTK-në. Apo termocentralet menjëherë pas këtyre. Ka mbet edhe “Trepça”! Minierat! Krejt kanë me u shitë. Ideja neoliberale e qeveritarëve të pangopur është se popullit nuk i duhet pasuria. Krejt duhet të shndërrohen në argat! Me jetu prej të parit në të parin e muajit, nën stres. Ndryshe nuk punojnë njerëzit.

Të kuptohemi! Kur po themi lirë, tërë kohën po flasim për koston që regjistrohet nëpër letra dhe për rrjedhën e parave e cila mund të ndiqet nëpër letra. Se ne nuk kemi mundësi të ndjekim rrjedhën e parasë deri në Ujdhesat e Virgjëra. Tash, mos më kapni për fjale se kur jemi te virgjëria, as ajo nuk është çfarë ka qenë dikur. Është çështje personale!

Por, virgjëria e ujdhesave të cilat i përkasin zyrtarisht Mbretërisë së Bashkuar u vu në pikëpyetje këto ditë si rezultat i një raporti investigative të gazetarëve ndërkombëtarë. Mijëra milionerë nga e mbarë bota, të cilët për ndonjë arsye, gjithsesi “të kuptueshme”, e fshehin pasurinë e tyre dhe nuk preferojnë të e mbajnë në bankat vendore, gjetën strehë në Ujdhesat e Virgjëra. E zhvirgjëruan!

Bota, si e dini, ka përplot ujdhesa e siujdhesa të virgjëra e jo të virgjëra, ku paratë pa origjinë rehatohen, duke i ikur juridiksionit të vendeve të ndryshme. Falë Zotit, në këtë angazhim investigues të gazetarëve ndërkombëtarë u zbardhën vetëm emrat e dy ish-zyrtarëve shqiptarë. Nga Kosova nuk kishte. Kosova vet është e virgjër!

Këtë shkrim, për parajsën (anti)korruptive të njohur në përmasa ndërkombëtare si “Kosovo” po e përmbyllim me thënien e kryetarit aktual të Parlamentit rreth privatizimit të kompanisë më fitimprurëse në vend. Ai flet hapur për parregullsi në procesin e privatizimit, që nga fillimi e deri në hapje të ofertave, përfshirë edhe çmimin.

“Organet e ndjekjes dhe hetuesisë në të ardhmen kanë punë për të verifikuar se si është bërë ky privatizim”, parasheh kryeparlamentari.

Me e përkthye shqip, pak me prozë e pak me këngë popullore, kryeparlamentari po thotë se edhe nëse e hajn piten, tepsia ka mbetë! Me i përcjellë te vendi me muzikë! E tepsinë me e rreh në vend të defit!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.