Ndjenja estetike e ndërtimtarit

13:51 / 21.04.2013

Ndërtimtari, protagonist i këtij shënimi rrëfen se si kishte punuar në shumë fusha ndërtimi. Kishte shtruar sheshe qyteti me granit, por edhe dysheme me parket. Derisa kishte goditur një herë një punë në Prishtinë për të shtruar me parket një shtëpi, mjeshtrin e thirri pronari dhe i tha: A ke parë ndonjëherë parket të shtruar në ndonjë formë tjetër përveç kësaj bajates, në formën “V”?

Nuk ju deshtë mjeshtrit të kujtohet gjatë dhe ju përgjigj: Po, kam punuar në Slloveni dhe kam parë edhe mënyra të tjera të shtrimit të parketit. Menjëherë hapi një pako parketi dhe filloi të radhis pllakat në disa forma. Pronari pëlqeu format që pa dhe kërkoi nga mjeshtri që parketi në shtëpinë e tij të shtrohej në një formë të përzgjedhur mozaiku.

Mjeshtri shpjegon se si kishte mësuar se kur sipërfaqet janë më të mëdha, madhësia e pllakave të mozaikut i përshtatët proporcionalisht madhësisë së sipërfaqes.

Mjeshtri që përton nuk lë kryevepra pas tij. Shumë nga mjeshtrit punojnë vetëm me zor, sa për të jetuar. Ka pak mjeshtër që duan të lënë vepra arti nga duart e tyre. Mjeshtrit tjerë nuk e panë fort me vullnet ndryshimin, por pas disa ditësh kur dyshemeja e sallonit po merrte formë, të gjithë filluan të flasin me krenari se tashmë pas vete po lënë gjurmë ndërtimi që do të mbahen mend.

Ashtu ndodhi. Shtëpia e pronarit anonim të Prishtinës për ditë të tëra u shndërrua në një sallon ekspozite, të cilin e vizitonin shumë njerëz .Është kënaqësi e veçantë kur sheh veprën e ndërtuar të cilën e pëlqejnë të gjithë.

Ka në Prishtinë edhe ndonjë monument që i plotëson kushtet e duhura të një vepre artistike. Atje në Kodrën e Diellit, monumenti që iu ka kushtuar Enver Malokut, ngërthen në vete plot imagjinatë artisti. Nuk e di emrin e autorit, por monumenti i përmendur është një vepër artistike që do t’i bëjë ballë kohës, thotë mjeshtri. Ka vizituar mjeshtri edhe shumë monumente që u ngritën për dëshmorët e rënë në luftë. Shumica e tyre nuk plotësojnë as kriteret minimale estetike. Mjeshtri ka parë në Tiranë shtatoren e Adem Jasharit ,për të cilën thotë se është punuar me përkushtim të artistit. Ajo do të mund të merrej si model për të tjerat.

Në Prishtinë duhet të gjendët një hapësirë për vendosjen e shtatores së Anton Çetës e cila i plotëson të gjitha kriteret. Për Antonin, plakun e urtë pajtimtar të mijëra gjaqeve në Kosovë, duhet të gjendet një kënd. Si vepër arti, ajo duket e përsosur.

Nuk ka nevojë të shkruhet as një fjali për shtatoren e Bill Klintonit për të cilën është folur shumë herë dhe të gjithë e kanë parë se ajo është dashur të shërbejë si mësim se si nuk duhet të duket një vepër arti.

Shpjegon mjeshtri dhe nga mendja s’i hiqet sheshi i Prishtinës. Shumë para janë ndarë dhe nuk shihet asgjë që të lë përshtypje. Ka mundur të behet një mrekulli edhe më me pak mjete, shton ai.
Mjeshtrit nuk i ka pëlqyer as mënyra e mbëltimit të drunjve. Një numër pemësh janë mbëltuar në rrathë betoni. Ato pemë nuk i shpëton asgjë nga tharja. Edhe ujitja e përditshme nuk i shpëton ngase druri thahet edhe nga uji i tepërt. Këtë çka po ua thotë mjeshtri do ta shihni me kohë dhe do të bindeni, shton ai. Shumë drunj janë mbëltuar mbi shtresa të trasha gurësh të bluar dhe nuk do të kenë asnjë mundësi të gjejnë ushqimin që iu nevojitet. Mbi atë bazë nuk mund të rritët asgjë.

Sot në kohën e internetit dhe të mundësisë për të parë kryevepra arti, duhet të theksohet se kur ndërtohen vepra të mëdha, siç është edhe rasti i sheshit të Prishtinë që nuk është i vogël, duhet të merret parasysh aspekti estetik. Shumë herë edhe kur janë ndërtuar ura madhështore është marrë parasysh edhe pamja e tyre. Detajet estetike të realizueshme kanë mundësuar që shumë vepra ndërtimore të mbesin të patejkalueshme me bukurinë dhe harmoninë e tyre me ambientin për rreth.

Mjeshtri i bie sheshit të Prishtinës trup e tërthor disa herë në ditë dhe përsiat se si tash dhjetë vjet punohet në këtë shesh të Prishtinës dhe askujt deri sot nuk iu kujtua të flas apo të shkruaj hapur për anën estetike të kësaj vepre. Një shesh është kryevepër, thotë ai, dhe shton se nuk ka parë dot diçka mbresëlënëse. Edhe ujëvara pranë Teatrit Kombëtar do të jetë problemore dhe ka për të paraqitur rrezik përherë. E kam shikuar me interesim se si janë vendosur plakat mbi atë gropë. Një vepër ndërtimore duhet t’i plotësojë shumë kritere. Për të duhet të mendohet mirë. Ka shumë detaje të cilat mund të behën fatale për sigurinë dhe jetëgjatësinë e saj.

E kupton dikush se çka do të thotë mjeshtri i cili gjatë punës së tij aktive ka bërë latime atraktive edhe nga betoni. Mjeshtri i Prishtinës ka gdhendur drurin dhe ka ndërtuar pullaze monumentale shtëpish që me pamjen e tyre kanë zënë vend në shumë ekspozita arti në botë.

Kur vendoset për ndërtimin e një sheshi do të duhej menduar edhe për anën estetike. Njerëzit që lëvizin çdo ditë atypari, në një mënyrë a në një tjetër do të duhej të kënaqeshin duke parë një punë të bukur.

Bazamenti i mëparshëm i Skënderbeut, që kushtoi jo pak, ishte shumë më i bukur se ky i tashmi. Për pak kohë gjithë ajo punë dhe ato mjete të shpenzuara shkuan huq.

Mjeshtri e shikon me syrin dhe shijen e tij bazamentin e monumentit të tashëm të Skënderbeut i cili po ndërtohet dhe thotë se ai beton është punuar pa asnjë kriter. Nuk punohet kështu, thotë ai. Mjeshtri rrëfen se një herë kishte punuar edhe me ekspertë gjermanë dhe kishte mësuar se bazamenti është pjesë e pandarë e monumentit dhe duhet të ketë patjetër edhe anën estetike. Madje, eksperti gjerman i kishte thënë se një përmendore mund të jetë e tëra nga betoni, por në asnjë rast ajo nuk duhet të mbulohet me pllaka qeramike. Betoni duron mbi vete vetëm granitin apo gurin natyror. Bazamenti i Skënderbeut ka mundur të punohet vetëm me gurë natyror të një madhësie të përshtatshme.

Sheshi i Prishtinës ka mundur të ndahet sipas madhësisë së pjesëve të caktuara të sipërfaqeve, pasi ai nuk ka formë të rregullt. Të gjitha ato pjesë do të mund të punoheshin në formë mozaiku edhe me pllaka po kaq të mëdha, pasi që sheshi ka në disa vende sipërfaqe të mjaftueshme. Gjithë ajo sipërfaqe që sot është mbuluar pa asnjë shije nuk të tërheq, por të dëbon nga sheshi. Edhe betonimi afër Teatrit Kombëtar duket krejt tmerr dhe me atë pamje të futë frikën. Askush nuk i dëgjon kalimtarët se çka flasin duke kaluar andej. Eksperti i mirëfilltë do të kishte mundur të marr mostër duke dëgjuar në heshtje, pa u vërejtur fare, gjithë ato mendime që shprehin kalimtarët, qytetarë të rastit, duke kaluar spontanisht atypari.

Ka Prishtina dhe Kosova ekspertë të të gjitha fushave. Atyre duhet t’u jepet rast. Kemi Fakultetin e Arkitekturës. Ka plot studentë të shkëlqyeshëm. Pse të mos ballafaqohen ata me sheshin dhe pamjen e tij. Është parë e ndjekur edhe konkursi për shtatoren e ish Presidentit Rugova. Të gjithë e kanë parë se ishte një dështim. Asnjë nga modelet e ofruara nuk kënaqi askënd.

Pse të mos kërkohet ndihmë nga ekspertet e Shqipërisë të cilët në ketë fushë kanë një përvojë të mirë dhe të pranueshme edhe përtej kufijve. Kemi inate apo nuk duam që mjetet e destinuara për këtë qellim t’i merr dikush jashtë rrethit familjar. Ekspertët e vërtetë nuk duhet të kenë inate mjerane. Sheshi i Prishtinës ka mundur të merr formën e një kryevepre arti.

Monumenti NEWBORN dëshmon se brezi i tashëm i të rinjve tanë mund të realizojë kryevepra që pëlqehen edhe nga të tjerët. Është për t’u habitur se si gjithë ajo punë që bëhet aty nëpër këmbët tona tash e sa vite, zë aq pak vend në mediat tona. Jo vetëm arkitektët që kemi, inxhinierët e ndërtimtarisë, artistët, por edhe gazetarët që shkelin përditë çdo pëllëmbë të sheshit nuk merren fare me anën estetike të tij. Shumë njerëz kanë mundur të japin kontribut të çmueshëm, jo me inat, por për të mirë të qytetit tonë.

Shumë ndërmarrje ndërtimi marrin punë të mëdha pa mjeshtër të vërtetë. Me mjeshtër amatorë, të paguar dobët, kurrë nuk mund të pritet realizim i mirë i një vepre përmasash të mëdha dhe me vlera artistike.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.