GPS

13:52 / 21.04.2013

GPS paraqet një akronim për shprehjen në gjuhën angleze - Global Positioning System apo Sistemi i pozicionimit global. Kjo është teknologji të navigimit (term i cili lidhet me artin e lundrimit, por nënkupton orientimin hapësinor) e cila mundëson pozicionimin në cilëndo pikë të planetit. Aspektet tera teknike rreth kësaj teknologjie janë jashtë domenit tim eksplikativ dhe i takojnë sferës së ngushtë profesionale të teknologjisë informative. Në fakt, unë të njëjtin do ta shfrytëzoj në kontekst metaforik, andaj edhe arsyeja pse po e përdorë këtë teknologji për fillim të temës shpresoj të jetë e qartë pas leximit të këtij shkrimi.

Sigurisht se kemi dëgjuar shumë rrëfime për dhelprat. Dihet se dinakëria është ajo që i cilëson këto kafshë, apo jo? Në një ndër këto rrëfime flitet për situatën kur dhelpra e vjetër i mëson artin e dinakërisë dhelprës së re. Mes tjerash, diku kah fundi i dhënies së këtij zanati, dhelpra e vjetër e shpie dhelprën e re para një lëkure dhelpre të varur në mur. Kureshtjes së dhelprës së e re se përse kjo është kështu, dhelpra e vjetër përgjigjet: se kështu pësojnë të gjitha ato dhelpra që nuk i mësojnë mësimet si duhet.

Ky rrëfim dhelprash është në fakt mesazhi i diskutimit tonë, andaj që në fillim po vëmë pikën mbi i duke e vënë theksin te ndryshimet dhe pasojat e mos përvetësimit të tyre.

Dihet qartë se ato ndodhin vazhdimisht. Kur janë progresive shkaktojnë zhvillim dhe lënë pas gjithçka që nuk adaptohet me to. Ndryshimet ndodhin edhe në shoqëri, dhe të njëjtat, shoqëritë konkrete pra, mund të humbin hapin apo edhe të e zënë të njëjtin, si rezultat i adaptueshmërisë apo mos adaptueshmërisë së tyre Në këtë kontekst, adaptueshmëria themi se është progres, ndërsa e kundërta e saj ngecje.. Të shumtën, ngecjet ngjajnë nga injoranca, por ato kamuflohen shpesh edhe me elemente të traditës. Dhe, kur jemi këtu, themi se raporti mes traditës dhe progresit gjithsesi është shumë kompleks dhe me interferim të ndërsjellët shpesh inhibues nga tradita.

Themi se mos adaptimi i segmenteve të shoqërisë sonë me progresiven është evident, fatkeqësisht. Dhe, kjo posaçërisht është brengosëse në lëmin e arsimit. Tërheq vëmendjen kualiteti i ultë i shfrytëzimit të teknologjisë informative edhe pse nga aspekti statistikor i posedimit të pajisjeve të teknologjisë informative, Kosova sipas shumë burimeve besohet se prinë në raport me e shtet fqinje.

Theksin e vëmë te rritja e benfiteteve shoqërore nga shfrytëzimi i duhur, si në aspekt shoqërorë, por edhe institucional (shtetëror), dhe kjo është ajo të cilën dua të nënvizoj. Le të kufizohemi në një segment konkret, p.sh te Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e cila duket qartazi se ende funksionon me parametra të tejkaluar. Konsideroj se nëse nuk bëhen ndryshime radikale pozitive në mënyrën e funksionimit të saj në raport me opsionet moderne, natyrisht duke u ndihmuar kjo nga kërkesat që duhet të jenë në rritje nga ana e studentëve, si dhe nga opinioni i ynë publik (mjaft i diskutueshëm), i njëjti do të arsyetojë metaforën e treguar lidhur me lëkurën e dhelprës së varur në mur.

Nuk ka asnjë hap serioz që ky institucion t’i jetë përshtatur kohës në drejtim të ofrimit të leximit të librit në format elektronik. Pyetja se sa lexohet te ne është e një teme tjetër, por konsideroj se nuk gaboj nëse them se nuk qëndrojmë mirë në këtë drejtim. Prandaj, pyesim se si është e mundur që një institucion sot ta quaj veten Bibliotekë Kombëtare dhe të mos ketë formë elektronike të shpërndarjes së librit, si formë më fleksibile, por edhe demokratike e shfrytëzimit të tij, kur dihet se funksioni i librit realizohet kur lexohet e jo kur rri në raft.

Aktualisht edhe gazetat më të mëdha botërore në format letre po zhduken. Kjo dukuri ka filluar edhe në Kosovë. Edhe koncepti i bibliotekës si i tillë ka ndryshuar, andaj kjo duhet të ngjajë edhe te ne. Një bibliotekë (aq më tepër kombëtare) që nuk ka strategji për ofrimin e formatit elektronik, unë nuk e di si do ta mendojë të ardhmen e saj. Vetëm fotografia e Titos mungon në këtë institucion për t’u ndier atmosfera e viteve të 80-ta, nga ku e ka origjinën inercioni intelektual trashëguar.

Mungesë buxheti do të vije përgjigja burokratike? Konsideroj se kjo nuk është çështje buxheti por mungesë përkushtimi. Kjo vonesë tregon vonesën tonë dhe kjo ngjanë ngase kuadrot e latuara në kohën e Titos, funksionalisht e kanë reprodukuar vetveten dhe refleksi moral dhe intelektual i tyre nuk reagon pa u fundosur gjërat.

Vërtetë konsiderojmë se nuk ka as edhe një arsye që ngecjet e këtilla të tolerohen, përndryshe konsideroj se do të jemi subjekt i paleontologëve të kulturës. Për keqardhje do të dukemi një ditë kur, mos e bën Zot, do ta shohim veten si një shoqëri e cila për mungesë invencioni, nga një mos adaptueshmëri kritike, posaçërisht me aspektet e shfrytëzimit të teknologjisë informative dhe kibernetike, nuk diti t’i vë në funksion të vetin edukativo-arsimor risitë teknologjike, por u zbavit me Facebook.

Kuantitetin e kënaqshëm statistikor në kontekst të korrelacionit të numrit të popullsisë me numrin e pajisjeve të teknologjisë informative, Kosova duhet ta shndërrojë në kualitet të shfrytëzimit të kësaj dhe të krijojë avantazhe dhe nuk duhet lejuar të jemi viktimë e orientimit të vonuar. Biblioteka Kombëtare nuk është i vetmi rast në Kosovë ku ka ngecje, ajo është vetëm një moment konkret i shoqërisë sonë.

Andaj, duhet një GPS sistem (Global Positioning System) në kokat a burokratëve tanë për orientimin e tyre në kohë dhe hapësirë. Në fakt, për ta parë ata se çfarë ngecjesh ata janë duke shkaktuar. Prandaj, edhe e titulluam kështu këtë shkrim, si preventivë të mundshme për sensibilizim,dhe përvjelje të mëngëve për t’i ndryshuar gjërat - në drejtim pozitiv, natyrisht.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.