Kosova e “marrëveshjeve historike”!

13:53 / 21.04.2013

Që nga viti 1999, çdo gjë çka ka ndodh në Kosovë apo rreth Kosove me rëndësi politike, ka qenë e shpallur si historike: Rambueja, bombardimet e NATO, kapitullimi i Millosheviqit dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Kumanovës, vendosja e administratës së përkohshme të UNMIK-ut, Grupi i Unitetit, Pakoja e Ahtisarit, shpallja e Pavarësisë, nisja e bisedimeve “teknike” me Serbinë (ajo e Edita Tahirit), nisja e bisedimeve politike me Serbinë në nivel kryeministrash Thaçi - Daqiq, dhe, së fundi, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Natyrisht se në kuadrin e gjithë rrjedhës kronologjike të këtyre ngjarjeve të sipërcekura, ndërmjet ka pasur edhe shumë të tjera që sipas tekeve të lidershipit konkret dhe garniturave të ndryshme politike në pushtet, gjithnjë për nevoja manipuluese me ne si masa popullore, po ashtu shpalleshin si historike. Ta zëmë, mbajtja e gati të gjitha zgjedhjeve pas lufte në Kosovë propagandoheshin si historike. Më pas, koalicionet e ndryshme principiele dhe joprincipiele që vinin në pushtet përmes vjedhjes masive të votave dhe kryesisht me diktate nga jashtë, përurimi i objekteve të ndryshme infrastrukturore, çarmatosja e UÇK-së dhe transformimi i saj në TMK, FSK... etj.

Shikuar realisht, pa marrë parasysh se kush dhe si nga politika ditore i ka klasifikuar këto ngjarje të ndodhura në këto hapësira kosovare dhe ballkanike, deshëm ne apo jo, ato, si të tilla, vërtetë kanë qenë realitete të historisë sonë. Në fakt, historia si një njohuri ekzakte shoqërore e evidentimit kronologjik të ngjarjeve të rëndësishme në një hapësirë dhe kohë të caktuar, gjithsesi i ka regjistruar ato, por assesi nuk mund të thuhet se atyre përfundimisht ju ka dhënë edhe mendimin e vetë të pavarur meritor, analitik dhe shkencor.

Andaj, në këtë kontekst, gjithsesi duhet t’ua përkujtojmë atyre se historia e jonë në përgjithësi, përveç tarafit standard didaktik prezantues e ka edhe një anë tjetër të vetin karakteristik, në të cilën, varësisht nga meritat, i vendos të gjitha ndodhitë e rëndësishme të kohës (së bashku me personalitetet si pjesëmarrëse në to). Është ky, pra, tarafi i plehut apo bërllokut historik.

Kështu që, pa marrë parasysh pompozitetin e shpalljes së kësaj marrëveshjeje të nënshkruar në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e bërë nga politika ditore si tejet pozitive dhe historike, shumë shpejtë do ta tregojë koha se ajo si ndodhi, së bashku me personalitetet politike pjesëmarrëse në to, në cilin taraf të historisë do ta ketë vendin e merituar?!

“Historia është mësuesja e jetës” (“Historia est magistra vitae”) - thoshin latinët e vjetër. Pra, ajo shkruhet për të na mësuar neve dhe brazave tonë të ardhshëm për diçka që më vonë mos ta lëmë të na përsëritet si e keqe.

A thua, vallë, sa ne si popull po mësojmë nga kjo histori e jona, dhe, sa ajo neve, si një “mësuese e ashpër”, po na dënon ta përsërisim shpesh atë?!

T’i kthehemi aktualitetit të fundit konkret. Edhe kjo, si zakonisht, u vlerësua “historike” si ngjarje - nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, në Bruksel, në mes të dy kryeministrave: Thaçi-Daqiq. Tashmë, pa marrë parasysh pasojat e saja të mëvonshme reale për interesin tonë nacional shtetformues, për nevojat e konsumimit të brendshëm politik, detyrimisht edhe kjo ngjarje po kalon nëpër atë periodë të ndërmjetme manipuluese nga ana e pushtetit aktual me masat, ku si taktikë e arsyetimit të saj në opinion, mobilizohen shumë analistë politikë sahanlëpirës servilë, politikanë të dështuar mediokër me karakter labil, dhe, gjithsesi, të gjithë këta fuqimisht përkrahen nga disa media të shkruara dhe elektronike të afërta me pushtetin.

Unë, personalisht, duke qenë kategorik në qëndrimin tim se kjo marrëveshje e fundit e nënshkruar në mes të kryeministrave Thaçi dhe Daqiq në Bruksel është shumë e dëmshme, përgjithësisht për interesin nacional gjithëkombëtar shqiptar, e në veçanti për Republikën e Kosovës si shtet vërtet të pavarur dhe sovran, në vazhdim, këtë artikull, në mënyrë metaforike do ta ilustroja përmes asaj mesele të njohur me “Nasradin Hoxhën që i binte violinës”:

“Edhe pse me profesion ishte hoxhë me nam dhe njeri që predikonte dijen hyjnore në frymën e mësimeve të Zotit, i kapluar nga një momentet i skamjes dhe gjendjes së vështirë materiale për ekzistencë, Nasradin hoxha kishte vendosur që ta plaçkiste dyqanin e lagjes dhe përmes kësaj mënyre të paligjshme të sigurojë për vete dhe familjen e tij disa artikuj të domosdoshëm ushqimor. Këtë akt të vjedhjes ai kishte vendosur ta bënte diku pas mesnate, kur edhe nuk do ta sheh askush.
Pasi në fillim u sigurua se nuk ka njeri të gjallë në rrugë, në kohën e caktuar Nastradini iu afrua derës së dyqanit të bakallhanes së lagjes dhe me limën e përgatitur më parë filloi ta gërryente drynin e trashë me të cilin ishte mbyllur dera e hyrjes. Por, pa pritmes, në atë moment aty kalon një bashkëqytetar i tij i cili menjëherë e kishte njohur Nasradinin dhe e pyet i befasuar:

- Çfarë bënë kështu në pikë të natës, hoxhë?

Nasradini, i zënë në flagrancë, u gjind menjëherë në situatë:

- Hiq! Vetëm po i bie violinës.

- Vërtet? Por, unë nuk dëgjoj asgjë nga kjo muzikë e jote?... pyeti me mëdyshje bashkëqytetari i rastit?

- Ke plotësisht të drejtë, dashamir. Sepse, sonte ti sheh vetëm me sy se si i bie asaj, ndërsa zërin e melodisë me vesh do t’ia dëgjosh tek nesër - iu përgjigj Nasradini”.

Fatkeqësisht, shumica prej nesh si popull ende jetojmë në ëndrra të këndshme përplot shpresa të rrejshme. Me optimizmin e një iluzioni të kushtëzuar nga politika aktuale mashtruese në pushtet. Sepse, kur ata në këtë mashtrim i binin violinës, ne kurrë nuk dyshonim në virtuozitetin e interpretimit të tyre pa zë. Nuk dyshonim, sepse ata ishin autoritet , “hoxhë”, pushtet... Ishin nasradina. Andaj, verbërisht edhe ju besonim.

Por, ja se ku na erdhi puna?! Për shumë gjërat për të cilat ndoshta tani nga pak po na del gjumi, janë vetëm qartësimi i tingujve të parë të asaj melodie të “violinës së Nasradinit”, e cila, gjithmonë për ne po bëhet e dëgjueshme tek më vonë. Nesër...?!!

Violina bie për ata që kanë vesh, gjithsesi, por dëgjimi si efekt kryhet në mendje...

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.