Kufizimi i radhës për institucionet e sigurisë së Kosovës

0:14 / 2.05.2013

Transformimet që pësuan institucionet e Kosovës që nga pas lufta, sidomos institucionet e sigurisë, e në veçanti transformimi i UÇK-së, bartëse e luftës çlirimtare - në TMK dhe pastaj formimi i FSK-së - janë shoqëruar me një varg kushtëzimesh lidhur me mandatin e tyre, si në aspektin ligjor ashtu edhe atë operacional.

Kufizimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës lidhur me mandatin e tyre për t’u shërbyer qytetarëve, kanë qenë të imponuara nga faktori ndërkombëtar në Kosovë, pasi Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe ende nuk ka kompetenca të plota që të funksionalizojë të gjitha institucionet e sigurisë siç i kanë të gjitha shtetet e pavarura.

Transformimi i UÇK-së në TMK pati kufizimet e saj, që tashmë dihen (transformim që është arritur në negociata me NATO-n, menjëherë pas përfundimit të luftës). Në fakt, TMK-ja, me gjithë kufizimet, ishte institucioni më kredibil në Kosovë. Ajo arriti ta kryejë misionin me të cilin ishte ngarkuar.

Pas shpalljes së pavarësisë krijohet FSK-ja, si institucion kushtetues i dalë nga shpërbërja e TMK-së. FSK-ja gjithashtu ka një mision të kufizuar, por, nëse e krahasojmë me TMK-në është më pak e kufizuar në aspektin legal dhe operacional. FSK-ja po e vazhdon traditën e trashëguar nga TMK-ja në kuptimin e besueshmërisë që ka te qytetarët e Kosovës (sondazhet tregojnë se FSK-ja është institucioni më i besueshëm në Kosovë).

Paraqitja e mësipërme tregon hapat e institucionit më të rëndësishëm të një shteti. Përkundër suksesit të transformimit të këtij institucioni, sot FSK-ja gjendet në fazën e fundit të evoluimit të saj në një institucion që çdo shtet e ka si shtyllën kryesore të ruajtjes së integriteti të vendit.

Debatet e fundit lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë që kanë të bëjnë me mundësinë e ndalimit të dërgimit të FSK-së në veri të vendit (ku serbët janë shumicë), tregojnë qartë kufizimet e mundshme më të cilat mund të ballafaqohet në të ardhmen FSK-ja.

Duke pasur parasysh kufizimet e përmendura më lart, në fazat e transformimit të këtij institucioni, krahasuar me diskutimet për ndonjë kufizim në të ardhmen do të quaja të pavlerë këtë debat pasi FSK-ja ka dëshmuar se është e përkushtuar t’u shërbejë qytetarëve të saj pa dallim etnie, feje etj. Asnjë shtet demokratik sot nuk do të dërgonte forcat e tij ushtarake kundër popullit të vet, prandaj debati që FSK-ja të mos përdoret në veri ( kjo nuk do te thotë qe FSK-ja të mos kryej operacione humanitare në veri) është një diskutim bosh dhe më shumë i nxitur nga mediat apo edhe nga vetë Serbia që t’i frikësojë serbët lokalë.

Debati mbi këtë temë dhe referimi për FSK-në, nga zyrtarët e lartë serbë, si Ushtria e Kosovës, tregon qartë që Kosova do ta ketë edhe institucionin i cili është shtylla e një shteti. Në anën tjetër, kërkesa e Serbisë që FSK-ja të mos shtrihet në veri vjen si rrjedhojë e frikës së Serbisë që të mos lejojë serbët lokalë të bëhen, shumë shpejt, pjesë e këtij institucioni, pasi me këtë hap Serbia përfundimisht do ta humbë kontrollin mbi serbët dhe pjesën veriore të Kosovës.

FSK-ja tani dhe në të ardhmen duhet të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës, në çdo kohë kur këtë e kërkojnë qytetarët ose institucionet udhëheqëse të Kosovës.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.