Papunësia, shqetësim psikologjik dhe faktik

0:32 / 2.05.2013

Marrë për bazë të sotmen kosovare, papunësia radhitet ndër faktorët më shqetësues ndër ne. Popullata e Kosovës skajshmërisht po përballet me situata të vështira ekonomike dhe sociale - madje edhe ekzistenciale. Çdo ditë, numri i të papunësuarve shënon rritje, ndërsa në vazhdimësi shtohet numri i atyre që kërkojnë punë. Kjo gjendje e papranueshme dhe si e tillë e paqëndrueshme, do një vëmendje të qartë për të nesërmen e këtij populli, kësaj rinie të denjë për tu angazhuar në ndërtimin e përbashkët të shoqërisë kosovare.

Së këndejmi, popullata shqiptare, më e reja në Evropë, e aftë për punë dhe e vullnetshme për të vepruar dhe kontribuar në shumë fusha shoqërore, sikur e anashkaluar, anamendas hiqet rrugëve të qyteteve të stërnbushura me të rinj, të cilët nuk shohin asgjë më shumë se shqetësimin e tyre të përditshëm, për të sotmen dhe të nesërmen e tyre të pasigurt.

Ëndrrat e tyre që ta materializojnë mirëfilli shkollimin e tyre, mbeten vetëm ëndrra syhapur, që shtojnë shqetësimin e tyre, duke mos parë ndonjë shteg të hapur drejt perspektivës së tyre për një jetë të shëndoshë, pa shqetësimet e të sotmes ngulfatëse. Në këtë kontekst, bazuar në statistikat zyrtare, mbi 45 për qind të popullatës nuk e gëzojnë të drejtën e punësimit - me frikën se këto të dhëna janë në rritje e sipër.

Këtu, dhe në këtë kuptim, zë vend edhe nepotizmi, si dukuri e shëmtuar e shoqërisë sonë, ku punësimet aranzhohen nga pushtetarët, të cilëve nuk ju bënë përshtypje edukimi adekuat i kuadrove të arsimuara mirëfilli por, të afërmit e tyre, të cilët zënë vendet e huaja pa kualifikimet e duhura dhe pa shkollimet e përfunduara.

Në këtë frymë, të një shoqërie të papërgjegjshme, pa dyshim se papunësia bëhet faktor ndikimi i frikshëm psikologjik, i dalë nga pakënaqësia dhe mosangazhimi i faktorit njeri. Kjo dukuri, pa dashje shndërrohet në prodhues krimi dhe depresioni shoqëror, ku fatkeqësisht, nga papunësia dhe pasiguria për të nesërmen tonë, shumë të rinj, i dorëzohen situatës ngulfatëse duke përfunduar me jetët e tyre në kohën e lulëzimit të tyre.

Në kuadër të kësaj fryme depresive, si askund në botë, në pikë të ditës, qytetet kosovare janë të shndërruara në shëtitore e të papunëve. I vetmi “dëfrim” i të rinjve tanë janë kafiteritë e stërmbushura, në çdo kohë dhe në çdo cep të qyteteve. Andaj, si ta gëlltisim të vërtetën e hidhur? Si të frymojmë nga ngufatja e kohës pa frymë, kur resurset njerëzore, më të kërkuarat gjithandej dynjasë, tek ne bredhin rrugëve dhe shtrihen nëpër kafiteritë e mallkuara, të zhveshur nga shpresat dhe ëndrrat rinore (ngase, dita e tyre rrjedh e shurdhër, pa ndonjë strategji mbi jetën dhe vlerat njerëzore të nëpërkëmbura nga djallëzitë e kohës).

Çfarë tjetër të themi, kur në fytyrat e një rinie të lodhur, qartazi vërehen dhe shpalosen rrudhimet mbi ballin e depresionit shqetësues! Dita e tyre dhe “gëzimi” zgjasin aq sa gllënjkat e një filxhani kafeje, mbi të cilin, të përhumbur varin mendjet e tyre… duke u munduar që në mes tyre ta gjejnë këngën e ngushëllimit, që sado pak t`i amortizojnë brengat dhe shqetësimet e kohës, të një shoqërie të paorganizuar, e cila vazhdon të prodhoj pasiguri ekonomike dhe sociale.

Si rrjedhojë, e këtyre momenteve shqetësuese, shpalosen brengat e përditshmërisë sonë. Pothuajse çdo ditë, nëpër masmediat tona, njerëzit e moshave të ndryshme në mënyrë kritike flasin dhe shprehin pakënaqësitë e tyre të shumta, duke filluar nga punësimi si bazë themeltare për jetën e njeriut, pensionet qesharake, mospërfillja e zërit të qytetarisë për shumë padrejtësi, brenga dhe shqetësime të shumta drejtuar në adresë të shtetit dhe organeve të drejtësisë, ndaj të cilave në masë të madhe është zbehë dhe ka humbur besimi i duhur.

Në vorbullën e shumë ankesave, ndër më te ndryshmet e në veçanti pasiguria e ekzistencës, jepet një mesazh i qartë: individi nuk mund të mbijetojë pa mbikëqyrjen sociale dhe ekonomike, pa të cilat nuk mund të kalohet në vetaktualizim si pikënisje e rëndësishme për individin në realizimin e potencialit të tij krijues si pjesëtar i barabartë i një shoqëri të qytetëruar, ku individi, me të drejtë e fiton dhe e krijon hapësirën e tij racionale për të kontribuar në ndërtimin e shoqërisë dhe vetvetes së tij, duke i eliminuar pasojat psikologjike si faktorë potencial në mbarëvajtjen e shëndetit publik.

A je duke punuar? Kjo pyetje, e cila dëgjohet më së shpeshti dhe padyshim është bërë brenga kryesore e përditshmërisë sonë, ka marrë formën brenda një përshëndetjeje të zakonshme. Kështu, duke kaluar në një përshëndetje tashmë të rëndomtë, madje edhe mes njerëzish që nuk kanë ndonjë miqësi të thellë, brenga e papunësisë natyrshëm e ka kapluar çdo mendje njeriu. Andaj, sikurse vetvetiu na del nga goja dhe bashkëbiseduesin e pyesim: a je duke punuar diku? A ke gjetur ndonjë punë? Dhe, nëse e analizojmë këtë shprehje të lirë, si një shtysë inercioni të preokupimit tonë, do të vinim në përfundim se këtu rrjedh shqetësimi kryesor, si barrë e përditshmërisë, me të cilën ballafaqohemi.

Dhe, çka ndodh brenda nesh si qenie njerëzore, kur nuk mund te jemi pjesë e një grupi aktiv, kur nuk kemi mundësi ta gjejmë vetën dhe të kontribuojmë për shoqërinë, pjesë e së cilës jemi edhe ne? E tërë kjo lufte brenda nesh, ndikon tejet rëndë në humorin dhe funksionimin psikologjik të individit. Prandaj, individi mund te ndihet i padobishëm për veten dhe rrethin ku jeton, i nënvlerësuar subjektivisht dhe objektivisht, i tensionuar, i stresuar e madje edhe i depresionuar. Andaj, puna është pjesë përbërëse e aktivitetit dhe funksionimit tonë individual, madje në përputhje me komentin e Frojdit i cili thotë: “Puna është faktor kyç që kontribuon në shëndetin psikologjik dhe mirëqenien e individit”.

Në kuptimin e mirëqenies shëndetësore, si popullatë e dalë pas tmerreve të luftës, është dashur ta kuptojmë seriozisht ndikimin psikologjik dhe të situatave stresogjene, që në mënyrë të organizuar të trajtohemi në frymë institucionale. Këtu shteti dhe institucionet relevante kanë rol të rëndësishëm dhe parësorë që, në menaxhimin e situatave mbi shëndetin publik, të përfitonim shumë duke ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e popullit tonë. Prandaj, duke kuptuar dhe kujtuar vështirësitë e shumë personave të traumatizuar nga përjetimet e situatave makabre dhe shumë faktorë në çrregullimet e personalitetit individual, ku hyn edhe papunësia si shkaktare e gjendjes së rëndë ekonomike dhe mungesa e jetës sociale, janë kanosës potencialë të shëndetit individual më shumë shqetësime psikologjike të natyrës së lehtë (por, edhe asaj të rëndë me pasoja të paparashikueshme).

Në këtë kuptim, mbesim me shpresë dhe, në vend të përshëndetjes pyetëse “a je duke punuar, e ke gjetur ndonjë punë?”, të vjen zëvendësimi me shprehjen: “Si kalove sot në punë?”. Kjo do të ishte mrekullia e kohës dhe e hapësirës sonë në të cilën kemi vendosur të frymojmë shqip...

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.