Sa jemi të lajthitur?!

23:43 / 10.05.2013

Sikur tek një individ si subjekt, ashtu edhe tek një kolektivitet i organizuar si institucion politik, në mënyrën e tyre të prezantimit para të tjerëve, gjithnjë duhet dalluar dy të vërteta paradoksale: e para është realja - ashtu sikurse jemi (janë) në të vërtet, ndërsa, e dyta: kur duhet vepruar sipas maskës së kamufluar të nevojës së momentit aktual, gjegjësisht, kur artificialisht veprohet mu ashtu sikurse pretendohet se duhet të na shohin të tjerët. Individi, në çdo takim dhe në çdo shoqëri ku paraqitet, këtë punë e bënë përmes vetëlavdërimit (krekosjes) dhe sjelljeve shabllone si kurtuazi, ndërsa institucioni politik, atë punë e bënë përmes gënjeshtrave efektive që zakonisht i plason nëpër konferenca të shtypit, të cilat, më pas, me anën e medieve të shkruara dhe elektronike, barten tek ne (opinioni) si qëndrime zyrtare relevante.

Nga ana tjetër, derisa ne si qytetar, në këto raste zhurmshëm merremi se çka deklaroi “filan – fistek” politikani vendor apo ndërkombëtar, diçka si e vërtetë tjetër, gjithsesi pa zhurmë është kryer apo është në përgatitje e sipër që të kryhet padukshëm në vijim. Pra, edhe pse deklarativisht shumica nuk jemi të kënaqur me këtë gjendje të përgjithshme shoqërore-politike në Kosovë, prapavija automatike e nënvetëdijes sonë të manipuluar kolektive, gjithnjë si diçka të vërtetë e pranon pikërisht ashtu sikur na e paraqesin të tjerët si zyrtare .

Këtë fenomen në vazhdim si dukuri, në shkrimet e mija të mëparshme, e kam trajtuar edhe më parë, por shpresoj se nuk do të jetë e tepërt që ta përmendim edhe një herë. Ata ekspertë, që e njohin psikologjinë e sjelljes sociale, e dinë mirë se në terminologjinë profesionale, besimi i tepruar dhe jo kritik i masës së gjerë ndaj informatave të prezantuara autoritare publike, si fenomen shoqëror, quhet sindroma “leming”.

Çka nënkupton në realitet ky sindromë psikosocial i sjelljesh tonë shoqërore?

Lemingët janë një lloj i minjve të vegjël, të cilët, fare pa angazhuar instinktin e vlerësimit vetjak për rrezik, verbërisht i përcjellin sjelljet dhe veprimet e minjve tjerë. Kështu, kur njëra prej tyre hidhet nga lartësia në greminën pa shpëtim vdekjeprurës, ashtu në varg veprojnë të gjithë anëtarët tjerë të grupit. Ky fenomen krahasues, gjatë analizën së gjendjeve psiko-sociale të sjelljes së njerëzve në shoqëri, në psikologji njihet si sindroma “leming”. Për njeriun LEMING, në krahasim me popullaritetin e personalitetit qe e thotë një ide, logjika e shëndosh e cila duhej të qëndron prapa atij besimi, fare nuk ka rëndësi dhe nuk është në veprim. “Lemingu”, që të besoj fuqishëm në diçka, mjafton që predikuesi i saj të ketë autoritet, edhe pse, në të kundërtën, ky autoritet mund të jetë i dyshimtë.

Edhe pse, si një rebel i papërmirësueshëm nga natyre, përherë kamë qenë kritikues i kësaj (keq)qeverisjeje politike në Kosovë, kohën e fundit, këtë biçim pushtet/bërje aktuale kam filluar ta pranoj si një risk të merituar fati. Së paku ashtu për shumicën prej nesh. Kuptohet, gjithnjë lavdi përjashtimeve. Por, fatkeqësisht, edhe ajo pakicë e lavdërueshme kryeneçe dhe jo/konformiste e shoqërisë sonë, e cila në çdo mënyrë po tenton të reagoj ndaj kësaj gjendjeje shqetësuese në vend, me këto qëndrime parimore, sikur edhe më tepër po i jep shkas asaj shumice tjetër të heshtur që t’ju besoj arsyetimit pushtetar se kinse ata që si shpesh po bëjnë zhurmë, janë një pakicë e vogël e të pakënaqurve e cila normalisht ekziston në çdo shoqëri demokratike.

Përveç pasivitetit tonë të shprehur si mosorganizim aktiv qytetar për t’i rezistuar kësaj mënyre të politika/bërjes në vend, mbetjes së saj edhe një kohë të gjatë në pushtet, sigurisht po i kontribuon edhe faktori ndërkombëtar. Ata, të vetishëm që disa interesa të tyre gjeostrategjike globale, më së lehti mund t’i realizojnë me këta politikanë tanë tërësisht servile ndaj tyre, gjithsesi edhe zyrtarisht në publikë do t’i favorizojnë ata, duke na krijuar kështu një konformizëm të rrejshëm se kinse politika/bërja e tyre po e ka përkrahjen e “miqve tanë ndërkombëtar”. Sa është e sinqertë kjo përkrahe e tyre, do ta shohim tek më vonë, kur ata në tërësi do t’i përmbushin interesat e tyre gjeostrategjike dhe politike në këto hapësira.

Natyrisht se, mënyra e përkrahjes nga ana e ndërkombëtarëve ndaj kësaj elite politike në pushtet nuk do të jetë vetëm në formë morale dhe politike, por diku në prapaskenat e përgatitjeve zgjedhore që do të shpalleshin me kohë, atyre nuk do t’i mungoj as ajo materiale. Nga frika se pas zgjedhjeve, jashtë kësaj elite politike, mund të vije në pushtet ndonjë subjekt tjetër politik i cili mund ta rishqyrtoj vendimin e privatizimit të bërë nga ta, të gjitha kompanitë e huaja që kanë marrë pjesë në privatizimin e shumë firmave dhe kompanive tona publike (PTK, Aeroportin, Distribucionin e KEK- ut, etj), gjithsesi se do të jenë të interesuar që kjo garniturë politike në Kosovë të mbetet sa më gjatë në pushtet. Andaj zemërgjerësia e tyre për t’i ndihmuar edhe financiarisht ata, sigurisht nuk do t’i mungoj kurrë.

Krejt në fund, këtë artikull do ta përfundoja me një thënie të Gebellsit - shefit të propagandës famëkeqe naziste të Hitlerit: “Nëse veç ke vendosur të gënjesh, atëherë thure një gënjeshtër të madhe. Edhe pse ajo dikur gjithsesi do të zbulohet, përherë do të ekzistojë një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që do të dyshojnë - 'hajt se ka diçka ka aty'”.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.