Ndërtimi pa plan dhe menaxhimi i keq

0:04 / 11.05.2013

Ka ardhur koha e përkufizimit dhe mbrojtjes ligjore të tokës pjellore dhe burimeve ujore.

Nëse deri sot nuk është mbrojtur asnjë pasuri strategjike e Kosovës,nëse deri sot nuk është mbrojtur asnjë hektar toke e bukës, që është baras me jetën, nëse nuk janë mbrojtur lumenjtë, liqenet dhe pyjet,minierat dhe pasuritë tjera tokësore të vendit tonë,ka ardhur koha që të mbrohet ajo që ka mbetur. Eruditët e kohës moti kanë vlerësuar se investimi në ketë fushë shpaguhet, më se largu brenda pesë vjetësh. Ky mendim i urtë, mund të vërtetohet kurdoherë.

Nga shumë ndërtime e betonime që u bënë pas luftës në Kosovë,në shumicën e rasteve pronarët nuk ia kanë dalë të nxjerrin as shpenzimet. Është për t’u habitur se si mungojnë edhe statistikat më elementare se çka po ndodhë në vendin tonë aq të vogël e me aq shumë probleme. Nuk ka asnjë statistikë të saktë se sa objekte kolosale betoni, në shumë raste edhe pa kurrfarë shije estetike, vazhdojnë të rrinë bosh. Pak kujt i bie në sy sesa tabela qiradhënie rrinë të pluhurosura me vite mbi dyer të shumë objekteve,pa i pyetur a vizituar askush.

Vetëm po të behej një regjistrim i shtëpive-ngrehina pa asnjë kriter dhe nga të cilat nuk sheh hair askush, as vetë pronarët e tyre, do të shihet se diku rreth 40% të hapësirave që ka nëpër ato objekte a shtëpi, janë të zbrazëta dhe as që do të shfrytëzohen ndonjëherë. Edhe mijëra shtëpi banimi të ndërtuara para një, dy e më shumë dekadash në të cilat jetojnë,në të shumtën e rasteve një apo dy persona,nuk janë kryer si duhet(meremetuar) asnjëherë.

Sa shtëpi të pabanueshme kemi? Sa hektarë toke buke u betonuan pas lufte? Sa hektar ara mbeten pa u punuar në vit? Sa hektar pyje dëmtohen brenda viti? Të gjitha këto pyetje më rëndësi, kurrë nuk marrin përgjigje të saktë.

Këto pyetje e shumë të tjera të pa shkruara duan përgjigje të shpejtë.

Qysh tash do të duhej menduar dhe planifikuar përgatitjen e territoreve ku do të ndërtoheshin vendbanimet reja të se ardhmes, por kurrë më në arat pjellore. Në këto vendbanime do të vendoseshin gradualisht të gjithë ata që do të mund të prekëshin nga plani për mbrojtjen e tokave bujqësore. Vendi do të bëhej më interesant e më tërheqës për investime në të gjitha fushat. Deri sot, mund të mbrohemi kot duke thënë se kemi statistika për shumë gjëra. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Duke publikuar përherë shifra të pa sakta,nuk mund të ketë asnjëherë besueshmëri për asgjë.

Enti i Statistikave të Kosovës duhet ta arsyetojë ekzistencën, duke ofruar shifra të sakta për çdo gjë që lypset prej tij.

Vetëm statistikat e sakta shtojnë besueshmërinë e njerëzve, brenda e jashtë vendi. 
Lumenjtë tanë janë ndotur e dëmtuar së tepërmi. Nuk ka më kohë me pritë. Është koha për vepruar seriozisht për menaxhimin e mirë dhe racional,të resurseve ujore të Kosovës.

Ndërtimi i liqeneve akumuluese kudo që ka mundësi dhe potencial duhet të jetë prioritet mbi prioritete. Rezervat e nevojshme të ujit do tw siguronin zhvillim të sigurt të sektorit bujqësor. Me ujitje do tw arrihej shumëfishimi i prodhimit ushqimor, dhe kështu qindra miliona euro që shpenzohen për importimin e prodhimeve agrare do të orientoheshin lehtë dhe shpejt për zhvillim më të hovshëm edhe të shumë sektorëve tjerë të ekonomisë sonë. Metodat e reja të shfrytëzimit të ujit mundësojnë që arat e Kosovës të vaditen edhe në ato terrene, ku deri sot nuk është imagjinuar. Kosova, si pak vende të botës, është territor me jo pak reshje, por ato, shumë herë mungojë në momente kritike për kulturat bujqësore.

Menaxhimi i mirë i ujërave eviton dëmet eventuale nga reshjet por edhe siguron ujë me rastin e thatësisë. Edhe reshjet jo aq të dendura të shiut, sivjet, për të satën herë, na e bënë me dije fare thjeshtë se çfarë dëmesh mund t’i shkaktojmë vetvetes nëse nuk bëjmë përllogaritjet e duhura me rastin e ndërtimeve vend e pavend. Liqenet e shumta akumuluese, të mëdha e të vogla, do ta pasuronin dhe përmirësonin edhe klimën,florën dhe faunën. Për një kohë, të shkurtër, investimet në këtë fushë do të shpaguheshin shumëfish. Shumë prodhime të reja bujqësore do t’i shtoheshin tregut vendor dhe eksportit. Bujqit e vyeshëm tashmë e kanë provuar se çka do të thotë vaditja e tokës. Vendi ynë nuk ka asnjë arsye të ankohet prej askujt për ndotjen e cilido lumë,përkundrazi. Fqinjët tanë, mund të ankohen jo pak, për ndotjen që ne ua shkaktojmë lumenjve tanë të cilët vazhdojnë rrjedhjen e tyre drejtë tre deteve, duke përshkuar distanca të gjata të shteteve për rreth Kosovës.

Në çfarëdo aspekti të analizohet edhe Kosova si shtet ka edhe përgjegjësinë e saj ndërkombëtare ndaj fqinjëve. Duke ndotur këta lumenj që kemi jo vetëm që dëmtojmë mjedisin tonë, por realisht u shkaktojmë ndotje edhe vendeve fqinje. Mund të shihet tmerri i ndotjes që i bën Drini i Bardhë Liqenit Fierzë në Shqipëri.

Brezi i ri duhet të mësojë nga dështimet e deritashme. Është vështirë të parashikohen pasojat e degradimit të mëtutjeshëm të tokës pjellore, lumenjve dhe resurseve tjera bazike për jetë. Për veprim të mençur ende nuk është vonë. Më shtrenjtë i kushton buxhetit të Kosovës keq menaxhimi i resurseve ujore se sa menaxhimi i mirë i tyre. Tash për tash, nuk menaxhohen mirë as liqenet akumulues ekzistues; Ujmani(Gazivoda) Radoniqi, Batllava e Badoci.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.