Kosova ime e dashur, për ku je nisur?!

1:21 / 21.05.2013

Gjendja e qytetarëve shqiptarë, edhe pas 13 vitesh pas luftës, mbetet me shumë halle, për të mos thënë është bërë e padurueshme. Skamja dhe varfëria kanë përfshirë shumicën e qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Papunësia sa vjen e rritet. Rinia nuk e sheh perspektivën e saj as në të ardhmen e largët dhe të rinjtë tanë mezi presin ta gjejnë ndonjë shteg për të ikur jashtë vendit. Nuk funksionon pothuaj as një pore e shtetit ashtu si duhet. Dhe, lirisht mund të thuhet se dora e pushtetit për ta përmirësuar jetën e qytetarëve nuk hetohet. Të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës kanë rënë në gjumin e ariut!

Pushtetarët e Hashim Thaçit s’e qajnë kokën fare për këtë katandisje që e ka kapluar Kosovën. Ata, pra pushtetarët, e kanë vetëm një hall: si ta mbajnë pushtetin edhe më tutje për ta trashur ende pasurinë e tyre personale, familjare dhe të miqve e dashamirëve të tyre. Ata vetëm mendojnë se si të jetojnë në këtë parajsë, sa më gjatë që është e mundur.

Nuk është në rrugë të mbarë arsimi, boshti i shoqërisë. Ka rënë cilësia, edukata dhe disiplina në shkallën më të ultë në të gjitha nivelet - që nga parashkollorja e deri në universitet. Notat dhe diplomat ose blihen me para ose me ndërmjetësime, bile edhe me kërcënime, siç do të shkruante ditë më herët Behxhet Shala: "Ose gullashin, ose kallashin". Nxënësit më të mirë mbesin rrugëve pa u regjistruar, sepse vendet zihen me të padijshmit, por që kanë njoftësi!

Një gjendje e tillë e mjerueshme mbretëron edhe në shëndetësi, sidomos në spitalet dhe ambulancat shtetërore. Mjerë ai që sëmuret dhe ia mësyn doktorit.

Po si qëndron situata në gjykata, aty ku qytetari do të duhej ta kishte mbështetjen se do ta gjejë drejtësinë dhe aty do ta zgjidhë problemin?! Gjykatat dhe policia veprojnë me forcë vetëm ndaj atyre shqiptarëve që në një mënyrë ua prishin qetësinë dhe rehatinë qeveritarëve!

I shtyrë nga kjo gjendje e papërshkruar, sot qytetari shqiptar e ka humbur besimin tek te gjitha institucionet e shtetit, bile edhe tek secili pushtetar. Morali i shoqërisë shqiptare sot është në shkallën më të ultë.

Organizmat e huaj që veprojnë në Kosovë: UNMIK-u, EULEX-i dhe KFOR-i, kanë futë veshtë në lesh dhe nuk bëzajnë fare. Sipas të gjitha gjasave edhe atyre po ju konvenon kjo gjendje e katandisur në Kosovë, për të cilën gjendje kontribuuan edhe vet.

Nëse deri dje qytetari shqiptar i Kosovës ishte zhveshur nga të gjitha të drejtat elementare: siguria për të qenë gjallë, mos siguria për ushqim e veshmbathje, mungesa e të drejtës për tu shprehur, liria e fjalës, liria e lëvizjes... e gjitha kjo nga pushtetarët okupatorë serbë, sot këtë e përjetojnë nga pushtetarët shqipfolës, e që veten e quajnë shqiptarë!

Sot Kosova është i vetmi vend në Ballkan dhe në Evropë pa të drejtën e vizave, që do t’ju mundësonte qytetarëve shqiptarë kontaktet me botën e civilizuar! Shqiptarët e Kosovës edhe më tutje presin me javë e muaj para dyerve të ambasadave të shteteve të Evropës, për të siguruar një vizë, për t’i vizituar familjarët në kurbet. Dhe, në të shumtën e rasteve, jo vetëm që nuk marrin vizën, por edhe plaçkiten me para të majme. Është pamje e mjerueshme, kur sheh rreshtat e gjatë të shqiptarëve të të gjitha moshave, duke pritur në shi e borë, para dyerve të ambasadave të shteteve të Evropës.

Pleqtë e mençur na thoshin: "Edhe toka qanë - loton, kur nuk ka kush i del zot". Sot, jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe toka e Kosovës loton për zot shtëpie!

Shteti serb edhe më tutje qëndron ulur këmbëkryq në Kosovë. Jo vetëm që na ka pushtuar ekonomikisht, por struktura ushtarake, policore, agjentë të zbulimeve të shërbimeve sekrete, pjesëtarë të MUP-it serb e shalojnë atin në gjithë territorin e Kosovës duke i shërbyer me përkushtim vendit të vet. Policia e Bajram Rexhepit - Bajram shkretit, edhe kur arreston ndonjërin prej tyre për të bërë fasadë se këtu ekziston shteti i Kosovës, është e detyruar që të nesërmen t’i lirojë. Bile, policët që kanë bërë arrestimin e tyre, shkarkohen nga detyra!!

E po, nga kjo dhembje shpirtërore që ndiej sot për ty Kosova ime e dashur, vetëm mund të klithi me sa zë që kam: për ku je nisur?!

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.