Ambasadat përballë nesh

22:23 / 21.05.2013

Raportet e institucioneve të vendit tonë me ambasadat kryesore të akredituara në Kosovë, kanë qenë gjithnjë asimetrike. Kjo gjendje ka një histori logjike dhe të kuptueshme. Por, pas shpalljes së pavarësisë dhe pesë viteve shtet, ndikimi i përfaqësuesve të ambasadave kryesore është ende i madh dhe përcaktues, e tashmë është bërë sistematik dhe kundërproduktiv gjersa do të duhej të ndodhte e kundërta.

Roli suprem i ambasadorëve, duhet të rishikohet dhe të reflektojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike, si dhe me praktikat, standardet dhe kodet diplomatike të sistemit ndërkombëtar. Por, edhe me përcaktimin tonë kolektiv për shtet të pavarur dhe sovran.

Nëse në faza të caktuara të shtetndërtimit edhe ka qenë e kuptueshme përfshirja e disave në nivele të ndryshme, por jo në tërë totalitetin e procesit të shtetndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë, duke u lëshuar edhe në detajet më të vogla dhe në çështjet e simbolikës shtetërore dhe të ceremonisë.

Ky raport i varësisë së njëanshme dhe organike të institucioneve të shtetit nga ambasadorët e akredituar të shteteve kryesore që e kanë njohur Kosovën, ka filluar të shtrihet në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet e funksionimit shtetëror, duke tejkaluar kodet dhe praktikat diplomatike. Ambasadorët ndërkombëtarë deklarohen për gjithçka dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, çka nuk është praktikë në shërbimet diplomatike normale.

Është evident roli paternalist ekstrem dhe pozita supreme e disa diplomatëve ndërkombëtarë, për të ndikuar në proceset e vendimmarrjes - siç ishin rastet e privatizimit të PTK-së dhe distribucionit të KEK-ut - por edhe për të ndërhyrë në debatet politike të brendshme të skenës politike, duke vlerësuar, interpretuar dhe kritikuar në mënyrë të padrejtë veprimet e caktuara të subjekteve politike apo përfaqësuesve politik te caktuar.

Ambasadat dhe ne duhet ta kemi të qartë rolin dhe funksionin e tyre për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shteteve nga vijnë. Me gjithë faktin që shtetet e tyre mund të kenë impakt në sistemin ndërkombëtar, ne nuk mund dhe nuk duhet të presim që ambasadorët e huaj të mbrojnë dhe zhvillojnë interesat e vendit tonë.

Hapësira e tyre për të ndikuar vullnetin politik të qytetarëve, në mënyrë direkte apo indirekte, duhet të kufizohet. Ndërkombëtarët, në rastin më të mirë mund të mbështesin realizimin e interesave nacionale të vendit tonë, por jo edhe të jenë përcaktuesit dhe renditësit e këtyre interesave. Ky duhet të jetë, ashtu siç është në të gjitha shtetet normale kudo në bote, vendim i institucioneve shtetërore dhe i qytetarëve të këtyre shteteve.

Në fakt, ky raport i varësisë së njëanshme është shkaktuar nga faktorë të ndryshëm dhe të shumtë, përveç aspektit historik të rolit të këtyre shteteve në procesin e shtetndërtimit, ai vazhdon të mbahet dhe të zhvillohet nga niveli i ulët i qeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, paaftësisë së klasës politike për t’i marrë përgjegjësit e mirëfillta shtetërore përsipër, e deri tek përcaktimi prioritar i bartësve të institucioneve për të grumbulluar pasuri personale në kurriz të shtetit dhe interesave publike.

Kosova duhet të fillojë të sillet si shtet që nga mënyra e sjelljes me shtetasit e saj, vetërespektin kushtetues, institucional dhe kombëtar, duke i trajtuar dhe respektuar të gjitha misionet ndërkombëtare në vendin tonë, në përputhje me rolin e tyre në raportet ndërshtetërore. Ato në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihen në jetën politike dhe shoqërore në kuptimin e animit apo qëndrimeve kritike. Ambasadat edhe mund të përfshihen në vendimet e institucioneve shtetërore, të atyre vendimeve që afektojnë interesat e vendeve të tyre, por jo edhe në vendimet tërësisht të brendshme dhe administrative, apo për të interpretuar taktikat politike dhe programet e subjekteve politike.

Një ndërhyrje e tillë është simptomatike për të kuptuar nivelin e sovranitetit të kufizuar të Kosovës, për të cilin nuk ka dyshime. Por, kjo mund të shërbej si njësi matëse për të vlerësuar alternativat tjera qeverisëse që synojnë maksimalizimin e shtetit në kuptimin e të drejtave dhe detyrimeve dhe në kuptimin e sovranitetit shtetëror.

Nëse angazhimi për të fuqizuar Kosovën të vë në kundërshtim me pozicionin afatshkurtër të ndonjë diplomati ndërkombëtar, që vepron në Kosovë, kjo nuk do të thotë se duhet ndërprerë apo ndryshuar angazhimin. Duhet të ndodhë e kundërta. Janë ambasadat e akredituara në vendin tonë, që duhet të ndryshojnë taktikat e tyre të ndikimit dhe të ndërhyrjes në jetën politike dhe institucionale, duke i marrë përgjegjësitë e tyre si përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të vendeve nga vijnë, si dhe të krijojnë hapësirë që Kosova të fillojë të duket dhe sjellët si një shtet normal, ku procesi i përgjithshëm i politikbërjes kalon nëpër të gjitha hallkat e një sistemi politik demokratik, ku vendimet dhe politikat institucionale burojnë, i shërbejnë dhe ndikohen përgjatë procesit të implementimit nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe vullneti i tyre, e më pak apo aspak nga nevojat dhe kërkesat e ambasadave apo ambasadorëve të caktuar.

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.