Reforma proces i pashmangshëm në UP

2:04 / 3.06.2013

Sot të shkuarit në fakultetet është bërë një gjë shumë e thjesht dhe tepër e manipulueshme sa që shumica e studentëve që vinë thjesht mendojnë që të marrin një diplomë. Kështu që, fakultetit i ka rënë vlera e dikurshme të cilën e ka pasur, saqë çdo i ri sot dëshiron të përfundojë fakultetin. Dhe një pjesë e mirë e studentëve përdorin plagjiaturën për të kaluar provimet dhe punimin e diplomës. Andaj përfundimi i fakultetit në këtë gjendje është dështim dhe aspak përparim, si pasojë i diplomuari ashtu siç ka hyrë edhe ka dalë, plus kësaj, nga ana tjetër bëhet shkaktar që nesër ata të cilët i ka në përgjegjësi të dalin me mangësi. Suksesi i brezave të ardhshëm varet se si është suksesi i këtyre sot. Se si ata e shpenzojnë kohën dhe se çfarë suksesi kanë, nëse suksesi i tyre është konform dijeve të cilat i kanë, atëherë gjërat do të shkojnë sipas meritës dhe diapazonit të marrë gjatë viteve që kaluan në fakultet. Prandaj duhet që këto forma të cilat janë sot të ndryshojnë, pra me pak fjalë të bëhet një reformë e qëllueshme për gjendjen e cila po mbretëron.

Reforma në Universitetin e Prishtinës është shumë e nevojshme dhe duhet të bëhet patjetër. Nuk është fjala për reformën që të ndryshohen profesorët, megjithëse edhe kjo nuk është për t’u tejkaluar, por këtu është fjala për reformën e vlerësimit në provim dhe sasia e numrit të studentëve që e bën të pamundur vijueshmërinë e mësimit, ashtu siç janë të tejmbushura sallat në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik (por pa anashkaluar edhe fakultetet e tjera). Le të cekim disa prej tyre.

Zvogëlimi i numrit të studentëve: Duhet të bëhemi të vetëdijshëm se Universiteti i Prishtinës nuk i plotëson kushtet që të ketë kaq shumë studentë. Nëse duam një mësim më cilësor, ku të mbahet qetësia dhe mësimi të zhvillohet në formën sa më të mirë akademike, duhet që studentët të shkojnë në proporcion me numrin e profesorëve dhe asistentëve. Kështu që për rrjedhojë nëse do të zvogëlonim numrin e studentëve, studentët do të kishin më shumë mundësi dhe do të kishin një komunikim akoma edhe më të mirë me profesorin nga ajo që e kanë sot. Ngase profesori do të kishte më shumë hapësirë me studentët, si pasojë e kësaj studimi do të bëhej edhe më efektiv.

Ndryshimi i formës së formulimit të provimeve: Kjo pjesë është shumë e rëndësishme, sepse është e ditur që sot një pjesë goxha e madhe e studentëve po mësojnë përmendësh dhe kur kalon një kohë e harrojnë krejt atë çfarë e kanë mësuar, prandaj që të kemi një këndvështrim kritik të studentit duhet që provimi mos të jetë një formë mekanike apo automatike e memories, por duhet të nxisë tamam trurin e studentit në atë që ai ka kuptuar e jo në atë që ka mbajtur mend. Pra nuk është me rëndësi se çfarë mban mend, por është me rëndësi se si e analizon atë se çfarë ka lexuar, kjo është edhe pika kryesore e studentit pasi të kryej fakultetin. Se ato që mësohen përmendësh shumë shpejt harrohen, dhe çfarë ngelet në fund pastaj, përgjigja kuptohet vet.

Të shtohet provimi me gojë: Në ato fakultete që nuk është provimi me gojë dhe sidomos sot është shumë e nevojshme që kjo gjë të zbatohet, në veçanti në Fakultet e Shkencave Shoqërore. Këtu është fjala vetëm për lëndët obligative dhe jo ato zgjedhore, pra njëkohësisht të lihet provimi me shkrim duke pasuar provimi me gojë. Domethënë, kur e kemi dëshmuar veten tonë në provimin me shkrim, provimi me gojë është finalizuesi i diturisë sonë për atë se çfarë kemi përfituar nga ajo lëndë të cilën e kemi mësuar deri tani. Kjo gjë është shumë dobiprurëse, sidomos duke marrë parasysh se sa kopjohet në për provime. Studentët përdorin mënyra nga më të ndryshmet që të kopjojnë, prandaj që kjo të ndalet dhe studentët të dëshmojnë në të vërtetë veten e tyre, provimi shtesë me gojë në një farë mënyrë i pamundëson në këtë rast plagjiaturën, sepse këtu vërtetohet se a ka kopjuar studenti apo jo.

Shkrimi akademik çdo vit: Vitin që kaloi është implementuar Kultura e Gjuhës Shqipe në fakultet e shkencave shoqërore në përgjithësi, por ajo që nuk është në rregull këtu është se nuk është nevoja për kulturë gjuhe, sepse ajo çka nuk është mësuar deri në momentin që ka ardhur në fakultet vështirë se mësohet më vonë. Por këtu është fjala të mësojmë të shkruajmë në formën akademike që kërkohet në punë e kudo që shkojmë. Dhe këtë gjë më së miri e bën futja e Shkrimit Akademik çdo vit të studimeve. Nëse kjo do të aplikohet atëherë problemet në të shkruar do të jenë më të pakta dhe nga ana tjetër studentët do të mësonin realisht formën e duhur në bërjen e eseve dhe të seminareve.

Heqja e Punimit të Diplomës dhe vënia e Provimit Përfundimtar: Ashtu siç edhe e cekëm më sipër plagjiatura çdo vit që vjen e shtohet edhe më shumë nëpër fakultete, veçanërisht te punimet e diplomave, dhe që kjo gjë të mos ndodhë më, është i nevojshëm provimi përfundimtar. Forma më e mirë e mundshme është që të hiqet plotësisht punimi i diplomës dhe në vend të kësaj të vendoset Provimi Përfundimtar i Përgjithshëm, që do të përfshinte të gjithë dijen e marrë deri tani në fakultet. Ky provim të jetë me komision ashtu siç është edhe punimi i diplomës sot. Kështu që studenti do të përsëriste edhe njëherë për herë të fundit dijet që mori gjatë periudhës tre ose katër vjeçare ne fakultet.

Këto që ceka deri tani janë si pasojë të përvojës sime që kam hasur në fakultet, prandaj duhet të bëhet urgjentisht një reformë, por se si të jetë kjo reformë kjo varet vetëm nga ju. Unë thjesht shpalosa vetëm disa këndvështrime të mia lidhur me situatën e cila po mbretëron. Ndoshta ndonjëra prej tyre nuk mund të duket adekuate, por duhet të jemi koshientë dhe t’i hapim sytë mirë në vështrimin e gjendjes, duke evidentuar nevojat reale të cilat u duhen sot Universiteteve në Kosovë, dhe duke marrë shkas nga kjo ia vlen që të mendohet seriozisht për këtë.

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.