Të domosdoshme zyrat e Kosovës dhe Shqipërisë në Preshevë

3:11 / 4.06.2013

Zyrat në Prishtinë e Gjilan

Edhe pse e (stër)vonuar, nisma e deputetit Haziri është e mirëseardhur dhe e mirëpritur nga të gjithë ne. Është e vërtetë e hidhur dhe e pakuptueshme se si në vend të ndihmës vëllazërore, na u vendosën kufizime dhe barriera nga Kosova. Zyrat në Prishtinë e Gjilan do të merreshin me problemet e shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina. Kurse, Zyrat e Shqipërisë dhe Kosovës në Luginë do të merreshin me ndihmën e drejtpërdrejt arsimit shqip në Luginë, zhvillimit të kulturës dhe ndërlidhjeve me Kosovën dhe Shqipërinë, duke i kontribuar mirëqenies dhe prosperitetit të shqiptarëve atje dhe ndaljes së shpërnguljes së tyre. Më mirë vonë se kurrë.

Nisma e z. Lutfi Haziri për thirrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës kushtuar çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës paraqet lajmin më të mirë që shqiptarët e kësaj pjese të trungut tonë kombëtar kanë dëgjuar nga Republika e Kosovës. Derisa pas përfundimit të periudhës së errët të Milosevicit, Kosova u çlirua në vitin 1999, Lugina e Preshevës mbeti nën Serbi, duke mbetur e zhgënjyer dhe duke u bindur se lufta për liri nuk kishte përfunduar akoma për këtë pjesë të gjeografisë shqiptare. Përkundrazi, gjendja e tyre jo vetëm që nuk u përmirësua fare, por ajo u përkeqësua edhe më tepër.

Me shkëputjen ushtarake e administrative të Kosovës nga Serbia, numri i shqiptarëve në Serbi u zvogëlua në mënyrë drastike dhe fokusi i mllefit antishqiptar ishte i fokusuar dhe shfryhej pamëshirshëm mbi ata, duke krijuar shpërngulje dhe zhvendosje masive të tyre në Kosovë, Maqedoni, në Turqi dhe në Evropën Perëndimore, në SHBA, Australi e gjetiu.

Gjendja e këtillë e pashpresë i detyroi ata që të vetëmbrohen, duke krijuar kushte për ballafaqim të armatosur në vitin 2000 dhe 2001, i cili përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së Konçulit, e cila mbeti edhe sot e kësaj dite si enigmë e pasqaruar deri në fund për opinionin e gjerë. Shumëçka mbeti diskutabile dhe nuk i përmbushi pritjet e shqiptarëve për një jetë më dinjitoze dhe shpresëdhënëse. Agonia dhe zhgënjimi për shqiptarët e kësaj ane nuk pushuan, duke shkaktuar shpërngulje me intensitet të pazvogëluar nga këto troje të tyre stërgjyshore.

Gjatë kësaj periudhe 14-vjeçare, nga viti 1999, pati shumë nisma dhe mbështetje për serbët e Kosovës, kurse çdo herë çështja e shqiptarëve të Luginës lihej “për kohë më të mira”, duke mos i përfshirë fare ata as në bisedimet e Vjenës dhe tani së fundi, as në dialogun e Brukselit midis kryeministrave Thaçi e Dacic, me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.

Situata e këtillë s’kishte se si të mos i zhgënjente shqiptarët e Luginës. Bile u krijuan paradokse të pabesueshme: në vend që t'u lehtësohej atyre jeta me ndihmë vëllazërore nga shteti i Republikës së Kosovës, atyre iu bëhej jeta skëterrë me radikalizimin e diskriminimit nga shteti serb, por edhe nga ai i Kosovës.

Kështu, më 17 shkurt 2008 Kosova festoi shpalljen e saj shtet sovran dhe të pavarur, por u harruan shqiptarët e Luginës të cilëve iu ndalua shtypi shqip nga Kosova, si dhe importimi i të gjitha teksteve shkollore dhe libra e në gjuhën shqipe, duke e lënë kështu arsimin fillor dhe të mesëm në gjuhën shqipe pa kushtet më elementare për mësim.

Absurdi

Por, vështirësitë nuk na vinin vetëm nga regjimi antishqiptar i Serbisë, me të cilën edhe ashtu ishim mësuar me të këqijat që na vinin nga ajo. Por, sado e pabesueshme të duket, megjithatë është e vërtetë e hidhur dhe e pakuptueshme dhe e papritur për ne, se si në vend të ndihmës vëllazërore, na u vendosën barriera. Në fillim u vendosën të ashtuquajturat “kuota”, d.m.th. kufizimi i numrit të studentëve shqiptarë nga Lugina, duke limituar p.sh. në mjekësi për të gjithë në vetëm një student, edhe atë po që se arrin ta kalojë me sukses provimin pranues.

Ndërkaq, po qe se e kalojnë p.sh. 10 studentë, atëherë ata duhej t’i shtroheshin provimit pranues shtesë, ku do të eliminoheshin 9 dhe vetëm njëri prej tyre do të regjistrohej. Situatë e ngjashme ishte edhe në të gjitha fakultetet e tjera të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollat e larta.

Në vend që të ndihmoheshin këta shqiptarë të shkretë, të cilët i ishin ekspozuar harxhimeve shtesë për udhëtim e vendosje, atyre u viheshin pengesa dhe barriera të pakuptueshme dhe jonjerëzore, për dallim nga serbët e Kosovës, të cilëve Serbia jo vetëm që nuk u vë barriera të këtilla, përkundrazi, ata janë të privilegjuar kudo në Serbi.

Absurdi nuk përfundon me kaq. Përveç pengesave në arsim dhe pamundësisë së Kosovës për ta ndihmuar arsimin e fillor dhe të mesëm me tekste dhe mjete mësimore në gjuhën shqipe, shqiptarëve të Luginës iu vendosën taksa drakonike për kalimin kufirit. Dhe ky avaz është duke vazhduar edhe sot e kësaj dite, duke e izoluar pamëshirshëm nga Kosova.

Krijohej bindja se mund të ekzistojë ndonjë marrëveshje, për shpërnguljen e heshtur të shqiptarëve të Luginës, në mënyrë që të mos i shkaktojë më “kokëçarje” Kosovës, Serbisë dhe ndërkombëtarëve. Dhe si janë duke shkuar punët, ky qëllim është duke u arritur me hapa galopant. Medvegja dhe Malësia e Bujanocit, si dhe Karadaku i Preshevës, pothuajse “e përfunduan misionin”. As rrafshi i Bujanocit dhe Preshevës nuk janë larg.

Andaj, edhe pse e (stër)vonuar, nisma e deputetit Haziri është e mirëseardhur dhe e mirëpritur nga të gjithë ne. Në fakt, kjo nismë paraqet kthesë nga qasja e gjertanishme, kur nga Kosova merreshin vetëm premtime boshe dhe deklarata sa për të kënaqur opinionin e brendshëm.

Zyrat e Kosovës dhe Shqipërisë në Luginë, të domosdoshme

Natyrisht se, si thonë te ne në Luginë, “kur nuk është shiu, bën edhe breshëri”. Sepse, me këtë sadopak do të zbuteshin pasojat e dhimbshme dhe gjendja alarmante e shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina dhe tani jetojnë në Kosovë. Zyrat në Prishtinë e Gjilan do të merreshin me problemet e shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina. Llogaritet se vetë pas vitit 1999 janë shpërngulur mbi 20.000, kurse para këtij viti kishte edhe 20.000 të tjerë. Problemet e tyre kanë të bëjnë me sigurimin e dokumentacionit personal dhe të pronave, të banimit, punësimit dhe integrimit në mjedisin e ri. Një pjesë e madhe e tyre nuk ka dokumentacion udhëtimi dhe e ka të pamundur t’i siguroj ato pa asistencën e shtetit. Kësaj Rezolute të propozuar i mungon fare qasja për shqiptarët që aktualisht jetojnë në Luginë. Do të duhej, pra, ashtu si i ka hapur Qeveria e Serbisë zyrat e veta në Veriun e Kosovës, që edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë t'i kishin hapur, apo t'i hapin zyrat e veta në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Zyrat e Shqipërisë dhe Kosovës në Luginë do të merreshin me ndihmën e drejtpërdrejt për arsimin shqip në Luginën e zhvillimit të kulturës dhe ndërlidhjet me Kosovën dhe Shqipërinë. Të ju përkujtojmë se nga viti 1999 nga Kosova nuk ka ardhur asnjë grup dramatik dhe nuk është mbajtur asnjë koncert me këngëtarë nga Kosova e Shqipëria, duke e lënë këtë pjesë të Shqiptarisë jashtë rrjedhave dhe zhvillimeve kulturore kombëtare. Shqipëria, edhe pse kishte paralajmëruar kohë më parë hapjen e zyrës në Luginë, me përkeqësimin e raporteve ndërshtetërore për shkak të Lapidarit të UÇPMB-së në platonë para Kuvendit Komunal në Preshevë, kjo agjendë u bë e pamundur. Bile edhe nismat e Shqipërisë për ndërtimin e Repartit të gjinekologjisë në Preshevë u pamundësua me anulimin e vizitës në Beograd të paracaktuar nga ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë.

Pra, presim përkrahje të parezervë nga të gjitha partitë politike shqiptare në Kuvendin e Kosovës dhe miratimin e kësaj Rezolute, si dhe implementimin e saj urgjent nga Qeveria e Kosovës, duke hapur fillimisht zyrat në Prishtinë dhe në Gjilan, për shqiptarët e shpërngulur nga Lugina. Por, presim së shpejti që të negociohet edhe hapja e zyrave të Kosovës dhe Shqipërisë në Luginë, që do ta zvogëlonin shpërnguljen e tyre, me përmirësimin e kushteve për jetë më të mirë dhe më të sigurt atje, duke kontribuar në ndaljen e shpërnguljes së tyre.

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.