Egoizmi, ndjenjë superioriteti apo shfaqje patologjike

3:27 / 4.06.2013

Koncepti “njeriu për njeriun është ujk” është i vjetër. I “ujkut vetmitar” i shprehur prej ndonjërit nuk duhet kuptuar ndryshe veç si dëshirë për të qenë sikundër nuk je. Janë tashmë të kapërcyera nga filozofia e sotme, duke filluar që nga vetë Thomas Hobbes, i cili e mori thënien dhe e përpunoi në një teori që pak a shumë thotë se njeriu nuk rri me njeriun si i tillë, por i detyruar prej institucioneve. Ky mosbesim (nuk dimë se sa e ushqen egoizmi duke e bërë nxitës) pra, mosbesimi ndaj njeri-tjetrit e shtyn njeriun të kërkojë të sundojë të tjerët. Mirëpo edhe të tjerët duan të bëjnë të njëjtën gjë, kështu jemi në luftë të përhershme; të gjithë kundër të gjithëve. (shtojmë: ose jemi në një paqe të përhershme: Jo të gjithë kundër jo të gjithëve). Ky është pak a shumë thelbi i teorisë që përpunoi Hobbes duke zbritur në taban, në bodrum. Në fakt ai, doli në këto përfundime duke parë një Angli të trazuar nga revolucioni dhe i tmerruar nuk do ta shikonte atë ndryshe përveçse si një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve. Por një shtëpi nuk gjykohet nga bodrumi apo qilari. Hobbes e dinte këtë gjë më së miri. Leximi i veprës së tij le të kuptohet qëllimi.

Njeriu është i pajisur me arsye, sikurse me ndjenja e pasione, përbërje trazuese, por që ai e dominon, e vendos në baraspeshë. Pa të cilën do ta kishte të vështirë të ekzistonte në një shoqëri, por edhe në këndin e ngushtë, sikur të mos i drejtohej arsyes nuk do të mund të përpunonte një qëllim, të parashikonte në një afërmenç mundësitë dhe të ndiqte apo vëzhgonte nga afër frytet, pas realizimit që së fundi të pozicionohej. Janë këto veprime të domosdoshme të lidhura nga shkak-pasoja që e pohojnë të qenët dhe ku realizohet në një proces të përhershëm individi dhe jo “Unë” i cili është një term i psikologjisë. Flasim për individin dhe shoqërinë. Ky realizim nuk mund të bëhet nga shkëputja, por duke u zhytur brenda shoqërisë. Kur dikush thotë se unë jam i mençur, i ditur, shoqërisë nuk i mjafton kjo gjë nëse mungojnë ose nuk shoqërohet me të dhënat, provat e kësaj mençurie, përndryshe bëhesh objekt talljeje. Megjithatë, pra, për individin që të realizohet duhet shoqëria, sepse është pikërisht ajo që e nxjerr, ose e ve në krye dhe kjo nuk ndodh ngaqë ai mund të jetë më i zoti, jo, është nevoja e solidaritetit, bazë mbi të cilën ngrihet shoqëria vetë. (vetëtima sado e tmerrshme të jetë, ajo nuk mund të ekzistojë pa retë). Arsyeja e ndihmon ta kuptojë këtë gjë dhe po arsyeja e ndihmon ta realizojë në forma të shumëllojshme (organizimet e para të shoqërisë nga primitiviteti e deri në shtetet moderne të sotme) por njëherësh arsyeja e pengon të realizojë nëse nuk e kupton. Shoqëria, në imagjinatën kolektive është një ndërtesë reale, dua të them mirë e përkufizuar e që i bëhet pa asnjë dyshim e njohur individit. Të qenët e tillë, mirë e përkufizuar e pajis shoqërinë edhe me vetinë e të qenit e patjetërsueshme nga individi, e kundërta po.

Shoqëria nuk mund të thjeshtëzohet në çdo individ përbërës, pra nuk mund të thërrmohet në atë masë sa ta gjykojmë duke u nisur nga individi qoftë ai edhe ligjvënës apo tiran. As edhe u nënshtrohet veprimeve midis tyre. Çdo shoqëri ekziston në vetvete, për individin jo vetëm që është e pamundur, por është e pamundur edhe pse brenda shoqërisë je i detyruar të pranosh rregullat e lojës. Të dytët – individët, kufizohen, ata kujdesen që veprimet e tyre të jenë brenda hapësirës që shoqëria krijon sepse çdo shkelje kërcënon strukturën. Është njësoj si familje që jetojnë në një pallat të fillojnë e të ndryshojnë sistemin e shtëpisë, të prishin muret. Kjo gjë cenon sigurinë e përgjithshme, shemb pallatin.

I rikthehemi argumentit. Njeriu duke zotëruar arsyen sado egoist që të jetë, kupton nevojën e solidaritetit dhe e ndërton në forma të ndryshme. Duke u ndalur te “sado egoist që të jetë” duhet ta ruajmë atë nga të qenët patologjik, nga kjo mundësi në fuqi të përhershme. Sepse te e fundit, sikundër dihet, egoizëm do të thotë dashuri për veten.

Friedrich Nietzsche gaboi në lidhje me egoizmin kur ai e trajtoi të kundërt me altruizmin, si një përjashtim i njëri tjetrit. Sipas tij, e sipas ndonjë filozofi tjetër, ku ka egoizëm nuk ka altruizëm (do të qe interesant një këndvështrim i anasjelltë sepse me siguri do ta kishte çuar në tjetër përfundim). Gaboi ose ishte kontradiktor me vetveten dhe nuk mundi ta kuptojë, ndoshta për arsye të demencës ku u zhyt truri i tij në vitet e fundit të jetës, pikërisht në ato vite kur njerëzit filluan të merren me të. Nietzsche ishte altruist, nëse jo, ç’kuptim kishte që dërgoi Zarathustrën midis njerëzve? Dhe Zarathustra a nuk është filozofia e Nietzsches? Dhe, a nuk është njësoj si të ketë shkuar ai vetë midis njerëzve? Kur Zarathustra pyet: “Çfarë është majmuni për njeriun? Objekt talljeje dhe një turp i dhimbshëm. Pikërisht kjo duhet të jetë njeriu për mbi - njeriun: objekt talljeje dhe një turp i dhimbshëm”.

Pa u zgjatur, pyesim: a do ta dërgonte Nietzsche, Zarathustrën midis njerëzve për t’u mësuar mbi-njeriun nëse ai do të ishte egoist? Kurrë! Në rastin më të parë do të thoshte: Në djall të venë! Nietzsche te mbi-njeriu përcolli shpresën për të dalë nga dëshpërimi dhe kjo nuk mund të bëhej nëpërmjet pohimit të realitetit, por nëpërmjet mohimit të tij si mohim i gjendjes(nihilizmi). Njëherësh afroi edhe zgjidhjen “Mbi-njeriun” por nuk i skaliti tipare, jo pse nuk mundej, por sepse mbinjeriu nuk ishte “qëllimi”, ishte vetëm “ura”, “rruga” drejt qëllimit. (jemi te budizmi që Nietzsche e njihte mirë: "Rruga drejt lumturisë është rruga.&quat. Në këtë mënyrë Nietzsche e shpëtoi veten nga bezdia e të quajturit parashikues të ardhmeje, fallxhor, ose po të shprehemi me një koncept filozofik, ai i shpëtoi teleologjisë. Ai foli vetëm për një gjendje që filozofia e njeh si “gjendje shtatzënie ose lindjeje” ku njihet vetëm lindja por jo p.sh. nëse është djalë apo vajzë. Ndaj edhe mbeta i habitur kur lexova se Nietzsche e lidh Unin me fatin.

Një pohim i tillë i heq Nietzsches limfën. Njeriu i vullnetit në fuqi si forcë lëvizëse, nuk mund të pranojë fatin-fatalitetin sepse do ta dënonte qenien të mbetej si një guaskë bosh në rërë pas një zbatice, në vend që të merrte rrugën e lundrimit. (shikoni mundësisht, nëse është në internet një pikturë të quajtur “Fati dhe lypsari”, të Markovit, shek XIX. Paraqet Fatin qe i jep lëmoshë lypsarit). Nisur nga kjo thënie kuturu, fillimisht mendova se nuk është kuptuar Nietzsche, por këmbëngulja më la të kuptojë se nuk është lexuar, sepse të studiuarit ishte i përjashtuar vetiu.
Çdo njeri ka brenda vetes dashuri. E njeh atë, ia dhuron vetes dhe është e pamundur të mos e praktikojë edhe jashtë vetes, duke e përcjellë te të tjerët ose tjetri. Asnjë ndjenjë, parë nga pikëpamja psikologjike nuk mund ta frenosh. Janë impulse. Nëse ekziston brenda teje ajo e ka të nevojshme të bëhet e dukshme dhe për këtë i shërben ballafaqimi. Një gjendje emocionale kërkon të shfryhet. Madje e’- mocion nga pikëpamja etimologjike do të thotë “të nxjerrësh, ta lëvizësh”, në shqip kemi ngashënjim – prekje, një reagim i caktuar ndaj një ngjarjeje, apo fakti, i diktuar nga ndodhia. I shprehur edhe me lot.

Pyetja nëse kemi kalimin nga njeriu që dominon natyrën te njeriu që dominon tjetrin? Merr përgjigjen Jo! Hobbes eksploroi në thellësi të qenies për të gjetur mundësinë e ndërtimit të një shoqërie sa më të drejtë. Filozofia e tij ishte e frymëzuar nga qëllime politiko-praktike. Ai e shikonte si një të keqe p.sh. ndikimin e njëlloj metafizike që e quante virtytin e njeriut si dhe bindjen politike si të shtëna brenda tij, të derdhura nga lart(qielli) gjë që e bën problematik nënshtrimin e njeriut ndaj ligjeve dhe i ngre priftërinjtë mbi organet e drejtësisë. “Tashmë, ta detyrosh dikë që të akuzojë vetveten mbi disa opinione kur veprimet e tij janë në përputhje me ligjet, është në kundërshtim me ligjet e natyrës”, shkruan ai, ose më tej kur shprehet hapur kundër detyrimit që feja u bën popujve të tjerë për ta pranuar atë duke eliminuar lirinë legjitime...etj. Nisur nga këto mendime të shkurtra, kuptohet se thënia njeriu për njeriun është ujk, kishte tjetër qëllim. Aq më shumë se te “Leviatani” i kushton vëmendje të posaçme komunikimit, gjuhës dhe koncepteve që shprehen nëpërmjet saj në shoqëri. Komunikimi, gjuha, është ndërtuese e shoqërisë, mjet i saj, pa të nuk krijohen marrëdhënie, në mungesë të tyre, njeriu i vetmuar mbetet i vetmuar pa asnjë mundësi për të dominuar, madje as vetveten. “Ku ka komunikim, s’ka dominim”, thotë Habermas. Pa të, mbetet një qenie e mjerë që duhet të luftojë me natyrën, me vetveten dhëmb për dhëmb, pra kemi një rënie në fund, kthim në një paleoprimitivitet ku ekzigjenca ishte ajo e gjitarëve në përgjithësi, ekzistenca si vlerë më vete, e pajustifikueshme si vlerë shoqërore e njerëzore. Të jesh për të qenë. Ndërkohë ekzistencializmi dhe Sartri pikërisht kur ngrenë çështjen e parësisë, natyrisht theksojnë ekzistencën por nuk e ndajnë nga qëllimi, d.m.th. të ekzistosh sepse vetëm kështu mund të plotësosh thelbin. “Më parë të rrojmë, pastaj të punojmë”, thoshin romakët.

Nuk po zgjatem te llojet e egoizmit por duhet theksuar se përveç i kuptuar si dashuri për veten, në rastet kur kjo dashuri paloset mbi veten disa herë si një fletë fletoreje, bëhet e papërfillshme sepse humbet arsyen e të ekzistuarit fletë. Kemi shfaqje patologjike dhe një nga format më të shpeshta është dëliri i madhështisë.

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.