(Kundër)Revolucioni seksual...!

17:09 / 12.06.2013

Ra dersi i hoxhë Irfanit në YouTube dhe e kuptova përse në disa këngë tona Evropa quhet “kurvë”! E dija që arsyet nuk janë politike, sepse Evropa politike lindi shumë më vonë. Ishte çështje seksuale. Hoxhallarët tanë qysh atëherë ia kanë “mbajtë qiriun” Evropës. E shanin atë për shkak të virgjërisë! Shtetet kanë bërë seks para martese. I kanë hipur njëri-tjetrit para se të bëhen kurorë. Para se me formu unionin. Por, sot nuk do të flasim veç për seksin, por edhe për sheshet dhe për moralin e politikën nëpër sheshet e Ballkanit.

Në Ballkan sheshet vlojnë nga historia. Ky është përdorimi primar i shesheve. Shëtitja nëpër sheshe nuk është çlodhje, po është më tepër parakalim, paradë ideopolitike. Brenda petkut ideologjik të shesheve, mundesh me u akomodu edhe vet, si pasues dhe adhurues i njërit nga ata. Por, mundesh me adhuru edhe ndonjë politikan apo hoxhë dhe me shku me dëgju ders. Kohëve të fundit, prej se kryeministri ynë u vëllazërua me kryeministrin e shtetit, me të cilin kemi histori të përbashkët 500 vjeçare, është bërë e ngjashme si të jesh hoxhë e si politikan.

Dikur klerikët flisnin për Krijuesin, e tash flasin për popullin dhe shtetin. E, politikanët merren me shamia dhe me riprogramimin e trurit.

Në ndërkohë, qytetarët thjesht duan të shëtisin të relaksuar, të dalin dhe të shijojnë natyrën e virgjër, për aq sa ka mbetur e tillë. Se, në Ballkan tashmë asgjë nuk ka mbetur e virgjër. Aq shumë ushtri kanë parakaluar këndej pari, sa gjenetika po thotë se është përzier keq kodi nacional. Na e kanë thye passwordin! Është përzier kodi aq tepër sa më së shumti ndër vete po ngjajnë armiqtë shekullorë.

E passwordi i femrave ka filluar të diskutohet edhe nëpër xhamia. Për pasojë, krejt femrat duhet me i mbulu me shamia, sepse kështu ruhet morali, për mos me ua thy passwordin kurrkush. Kështu po thotë hoxha ynë simpatik. Se femrat nuk kanë personalitet. Nuk dinë me thënë jo. Veç shamia I ruan. Nejse, kështu po thonë edhe disa politikanë. Simpatia në këtë rast nuk ka të bëjë me përmbajtjen e ligjëratave “ludiste” të klerikut, se sa me humorin e tij. Na shkriu!

Hoxha nuk po mban ders veç në xhami, por po ua merr xhematin edhe të tjerëve. Është bërë hit! Po mban ders edhe për Facebookun dhe fenomenet e tjera të teknologjisë së lartë. Krejt këto po i vlerëson me sheriat dhe diqysh nuk po i del tamam hesapi. Ka çu aq shumë pluhur elektronik, se tash te ne as pluhur të hairit nuk ka. Krejt nëpër autostrada po ecim - prej dhomës së gjumit e deri në tualet po shkojmë me vetura zyrtare. Me “Z” të madhe të shtypit në tabela. Që mos me na dalë askush përpara kur jemi në siklet.

Por, të kthehemi te sheshet. Ato i përdorim pra për qëllime të ndryshme. Herë për gëzime e herë për protesta. Natyrisht, jo vetëm në Kosovë. Për shembull, tash Stambolli po vlon nga protestat. “Vëllai” i kryeministrit tonë, nuk do pyll në mes të Stambollit ku do të fshiheshin ata që duan lirinë dhe duan të shijojnë jetën. Ka rrezik që ndonjë vajzë edhe virgjërinë me e humbë aty. Por, motivet ishin të tjera. Për të ngritur një qendër biznesi, të betontë, ata urdhëruan të priten drunjtë e parkut. Kështu filloi të vlojë sheshi i cili u shndërrua në simbol të lirisë sekulare. Sekularistët u kapën për druri. Protestuesit e quajtën diktator, njeriun i cili Turqinë e sheh prej Klladushë deri në Indi. Edhe ne na sheh si zemrën e Turqisë.

Neve të gjithë po na duan. Të gjithë po na kanë zemër. Natyrisht, jo për seks. Qoftë Turqia, qoftë Serbia na shohin si zemrën e tyre. Por, ne nuk po i duam. Nuk po del të jetë dashuri reciproke, edhe pse ka ndër ne ende që I duan. Prapë, punë seksi.

Në Ballkan, historia, pra e kaluara e bënë ligjin.

Kështu, në Shkup, në sheshin kryesor Aleksandri i Madh, dorinë e tij e ka ngritë në këmbë të prapme në mësymje drejt fqinjëve të vet. Në Tiranë, në Prishtinë dhe në Çair po ashtu mbi kalë dhe me shpatë në dorë, është nisur dikah edhe Skënderbeu. Deri te Molla e Kuqe, apo deri në Prevezë ?!

Në Beograd Knjaz Milloshi e ruan sheshin me shpatë, ndërkohë që për agresivietin e knjazëve serbë as që ka nevojë të flitet shumë. Imperia mesjetare klithë në kujtesë! Edhe në shpresë!

Nuk ke shesh, pa ndonjë kalorës të famshëm! Pa kalorës të tillë kot që ke edhe kryeqytet. Ndër ne një luftë e brendshme zhvillohet edhe për sheshet.

E sheshet, te ne, ishin kryesisht në dorë të pushtetit lokal! Në Prishtinë Qeveria e bllokoi ndërtimin e shesheve, duke bllokuar ndërtimin e tualeteve publike! Kështu, Ministria e Mjedisit pati ndërmarrë një vendim historik, me moton: “Jo tualete publike pranë godinës së qeverisë”!

Kjo njëkohësisht paraqet edhe një kontribut të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, të shkojmë me radhë.

Pasi i shitën asetet strategjike, lufta qytetare mundet me plasë për me marrë tenderin e mirëmbajtjes së tualetit publik dhe rreth emërimit të mbikëqyrësit te dera. Nuk është punë e vogël. Ti shkon me sikletin tënd dhe ata të pyesin prej nga je, apo me kë je!? Nëse je me ne, mundesh...! Nëse je me ata, nuk mundesh! Edhe kjo është... politikë!

Personalisht, më tepër e preferoja që tualetet të ndërtohen pranë godinës së Qeverisë si ishte e paraparë në fillim. Sepse, shumë aktivitete strategjike do të kryheshin ende pa hyrë në ndërtesë të qeverisë. Për shembull, do me e ble apo stërshitë PTK-në apo Distribucionin, dhe bën pazar te dera e toaletit. Apo, do me e kurdisë tenderin për pasaportat. Kurrkush nuk dyshon

Një marrëveshje me konsensus në mes të spektrit politik, për tualetet publike, pa ndërhyrjen ndërkombëtare, do të ishte historike! Ky do të ishte sinjal se mundemi edhe vet!

Pastaj, kjo do të lehtësonte shumë punë edhe për organizimin e protestave. Po të ndërhynte ministri i Brendshëm për të ndaluar tubimet, aty do të mund të paditej për pengimin e përmbushjes së nevojave elementare - fiziologjike - të qytetarëve.

Duke pasë parasysh ligjin për përgjimet, krejt këto biznese që bëhen para, dhe pas tualeti s’ka nevojë të përgjohen në mënyrë elektronike. Ministri i Brendshëm thjeshtë e vë veshin në dritare.

Por, kjo është mirë edhe për ministrin e Brendshëm, sepse ai pastaj lirisht mundet me e rreh opozitën derisa të psh...! Ngat e kanë, aty! Sepse, mundet me thënë se i ka siguruar edhe kushtet për me funksionu normalisht edhe biologjia nëpër protesta. Jo veç kimia dhe ideologjia!

Kështu nëpër internet vlon diskutimi. Në Qeveri dhe në xhami është rahat. Ai që mban ders adhurohet. Shteti laik është i hutuar nga zhurma e rilindjes së moralit dhe vizionit mesjetar.

Llajk e ki hoxhë efendi, derisa veç mban ders e nuk provon me imponu mënyrën tënde të jetesës. Sidomos mjekrën. Apo, derisa koalicioni qeveritar të urdhërojë të priten drunjtë e jetës në parkun e qytetit. Koalicioni i betontë nuk e do gjelbërimin. Do biznes dhe adhurim...!

Çka po ndodhë në vendin “kurrkund” , në vendin tone të zhytur në mjegullën identitare dhe të zënë peng mes civilizimeve të mëdha? S’po dihet a është (kundër)revolucion politik apo seksual?


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.