Për Idriz Seferin...

2:22 / 18.07.2013

"U munova tanë jetën me çliru dhe bashku këtë vend, por po vdes me ixhram që nuk munda t’i baj tokat shqiptare Shqipni", Idriz Seferi (1847-1927)!

Atdhetari i madh, heroi i kombit, si dhe njëri ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor ushtarak të kryengritjeve kombëtare për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare, Idriz Seferi, u lind në vitin 1847 në fshatin Sefer të trevës së Karadakut afër Shkupit dhe vdiq në vitin 1927 me dëshpërimin e thellë në shpirt, ngase përkundër aq shumë vuajtjesh, luftërash e përpjekjesh kombëtare, shqiptarët asnjëherë nuk arritën t’i bashkonin të gjitha trojet e tyre etnike dhe bënin - Shqipëri.

Shpirti i tij luftarak dhe shtypja e madhe e bashkëkombësve nga Perandoria turke, e shtynë heroin e atyre viteve të rënda e të vështira për kombin - kur një popull i tërë luftonte për jetë a vdekje - që qysh në moshën e tij të re - duke mos duruar shtypjen e mëtejme dhe varfërinë e cila do të keqësohej së tepërmi , sidomos pas reformave të Tanzimatit - të hidhej në luftë të armatosur kundër pushtuesve osman, për çka në vitin 1875, kur ishte 28 vjeçar, do të burgosej nga pushtetarët turq.

Si patriot dhe luftëtar i shquar që ishte, Idriz Seferi u ftua dhe mori pjesë në të gjitha ngjarjet kryesore të kohës, kuvendet me rëndësi dhe luftërat vendimtare që bëheshin kundër kësaj Perandorie, për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimi shumë shekullor i saj.

Ai kudo u shqua me aftësitë e tij organizative dhe udhëheqjet e dëshmuara për strategji të larta ushtarake, i cili me të drejtë do të caktohej udhëheqës i Betejës së Kaçanikut dhe njëri ndër prijësit kryesor të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.

Idriz Seferi, ishte njëri ndër strategët kryesor të betejave për çlirimin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt e vendbanimeve të tjera shqiptare.

Edhe pse me kërkesat e Fuqive të Mëdha, luftëtarët kombëtarë nga fundi i muajit gusht të vitit 1912 do të detyroheshin të çarmatoseshin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas fillimit të luftërave ballkanike, në tetor të vitit 1912, kur tokat shqiptare do të sulmoheshin nga të gjitha anët, ai do të mobilizohej përsëri dhe me vullnetarët e tubuar nga të gjitha anët do të hidhej në mbrojtjen e Bujanocit, Llapit, Gollakut, Kumanovës, e vendeve tjera, nga sulmet e pushtuesve serbomëdhenj, të cilëve do t’u shkaktonte humbje të mëdha. Por, me gjithë përpjekjet heroike, jo edhe t’i ndalte për kohë të gjatë.

Megjithatë, kryengritjet e tij për liri kundër pushtuesve serbë në vitet 1913-1915, dhe pushtuesve bullgarë nga vitet 1916 deri më 1918, asnjëherë nuk do të ndaleshin për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, deri në fund të jetës së tij.

Pra, shqiptarët, për fat të keq, nuk kishin vetëm një armik, kështu që pushtuesi i radhës - qeveria shoviniste serbe - që nga viti 1900 kishte filluar t’i forconte agjenturat e saj përmes mësuesve dhe priftërinjve sllavo-ortodoksë, nëpër fshatrat e përziera dhe të banuara me sllavë, të cilat vepronin nën emrin e njohur si "Dora e zezë".

Madje ajo do të dërgonte edhe oficerë të lart ushtarakë, dhe nga viti 1907 do të krijonte edhe çeta të armatosura çetnikësh, të cilat kishin për detyrë të përgatisnin terrenin për ndërhyrjen ushtarake serbe në Kosovë, pas largimit të Perandorisë Turke nga tokat tona.

Banda të armatosura dhe grupe spiunazhi, përherë janë mbajtur dhe strehuar në kishat dhe manastiret serbe, gjithandej trojeve tona.

Një çetë të tillë çetnikësh, që në vitin 1907,Serbia do ta formonte edhe në fshatin Pasjan, në lindje të Gjilanit, e cila për një kohë do të strehohej e kamufluar në kishën sllavo-ortodokse të këtij fshati të banuar jo tërësisht me serbë.

Por, pas paraqitjes publike, prijësi popullor i kryengritësve shqiptarë, heroi Idriz Seferi. do të urdhëronte asgjësimin e kësaj çete të armatosur, bashkë me udhëheqësin e saj, oficerin e lartë ushtarak, Dragolub Nikoliq, i cili ishte dërguar enkas nga Beogradi për këtë detyrë.

Kjo ishte vetëm një pjesë e vogël nga historia e gjatë e luftërave dhe trimërive të shumta të këtij burri.

Ndaj, për betejat që udhëhoqi dhe heroizmat e treguara gjatë atyre viteve të vështira për kombin dhe atdheun e shqiptarëve, Idriz Seferi bashkë me Isa Buletinin u shndërruan në mite, kurse luftimet e fuqishme që ata organizuan dhe udhëhoqën me trimëri, të zhvilluara me aq sukses, në përballje me ushtri shumë herë më të mëdha armike, në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, u kthyen në legjenda dhe vlerësuan lartë në historinë e kombit tonë.

Kryengritjet e tyre, kundër pushtimit osman, të cilat që nga reformat e Tanzimatit, nuk u ndalën asnjë herë, deri në përzënien përfundimtare të Perandorisë Osmane nga trojet tona, si dhe organizimi i mbrojtjes, për aq sa ishte e mundur nën kushtet e një lufte pothuajse duarthatë kundër shteteve ballkanike, ishin përpjekje titanike të cilat do të çonin në shpalljen historike të Pavarësisë së Shqipërisë etnike më 1912 në Vlorë.



 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.