Reciprociteti i munguar

2:24 / 18.07.2013

Çështja e parimit të reciprocifetit midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Serbi, përkatësisht në Luginën e Preshevës, është bërë pjesë e diskursit politik të shqiptarëve, por edhe është deklaruar si parim dhe kërkesë politike e të gjitha partive politike të Luginës. Gjithashtu, edhe Kuvendi i Kosovës në Rezolutën e miratuar më 6 qershor 2013 ka përcaktuar parimin e reciprocitetit, d.m.th. ato të drejta që u sigurohen serbëve të Kosovës, t'u sigurohen edhe shqiptarëve të Luginës

Megjithatë, kjo Rezolutë ka mbetur vetëm një deklarim në letër dhe akoma nuk ka filluar realizimi i saj në asnjë pikë. Kurse, shqiptarët e Luginës nuk ishin pjesë e dialogut të Brukselit, midis kryeministrit Thaçi dhe Daçiq, me ndërmjetësimin e znj. Catherine Ashton, pra aty ku vendoset fati i statusit politik të serbëve të Kosovës.

Mungon gatishmëria e BE-së, por edhe e Qeverisë së Kosovës për t'i mbështetur shqiptarët e Luginës. Ky fakt është kuptuar me kohë nga shqiptarët e kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, e cila ka mbetur e trishtuar dhe e pashpresë, duke u shpërngulur masovikisht dhe duke i lënë shkretë pronat dhe pasurinë e paluajtshme, si dhe vatrat e tyre stërgjyshore.

Boshatisja e trojeve të tyre është realitet i dhimbshëm që është duke ndodhur para syve tanë dhe botës "demokratike". Prandaj, tani serbët e Bujanocit kërkojnë regjistrimin e shqiptarëve të Luginës me qëllim që të evidentohet edhe zyrtarisht zbrazja e këtyre trojeve nga shqiptarët.

Formimi i Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë dhe zyrtarizimi eventual i tij me deklarimin e Asociacionit të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si "autonome", ngjashëm me atë të serbëve të veriut të Kosovës, vështirë se do të realizohet, e aq më pak të funksiononte. Sepse, për këtë nuk ka mbështetje nga Qeveria e Kosovës, as e Shqipërisë dhe faktori ndërkombëtar.

Mbetet bindja se Plani sekret i Qeverisë së Serbisë, i miratuar në vitin 2002, po realizohet pa u penguar fare nga askush. Ndërsa, e kemi të vështirë ta kuptojmë "entuziazmin" e Qeverisë së Kosovës për ta ndihmuar Serbinë për ta marrë ftesën për anëtarësim në BE, pa e kushtëzuar fare me ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Luginës.

Neglizhenca dhe mosinteresimi i Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës e ka bërë të veten. Në vend që t'i ndihmojë ata, ashtu si bën Serbia me serbët e Kosovës, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën kufitare prej 20 eurosh në javë, ose 1042 euro në vit, për një veturë. Dhe, jo vetëm kaq: për studentët shqiptarë të Luginës, Qeveria e Kosovës ka vendosur kuota (kufizime) diskriminuese ndaj tyre, duke e limituar dhe kufizuar të drejtën e tyre të lirë për t'u regjistruar të papenguar në cilindo fakultet që dëshirojnë të regjistrohen, ashtu si moshatarët e tyre kosovarë!

Mjerisht, si rezultat i rrethanave të përmendura, shqiptarët e Luginës së Preshevës i ka mbërthyer një zhgënjim dhe situatë e pashpresë, nga ndjenja se janë lënë anash dhe në mëshirën e fatit.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.