Egjipti...

14:05 / 18.08.2013

Bota demokratike gjithmonë i është frikësuar kaosit dhe ka bërë të pamundurën për t’i shmangur çdo situate kaotike. Pothuajse gjithmonë kaosi është përfytyruar të ndodhë nga fanatikët, ekstremistet e fundamentalistët që shtypi botëror, ai perëndimor në veçanti, ka tentuar gjithmonë t’i identifikojë me myslimanët.

Aktualisht e ashtunjohura si Lindje e Mesme po përjeton një kaos të vërtetë. Krahas tragjedisë njerëzore afro trevjeçare në Siri, ku bota demokratike vuri “veshët në lesh”, Egjipti po përjeton kaosin më të madh të periudhës së vet bashkëkohore. Shteti tashmë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Mijëra civilë të vrarë e të plagosur, nga dora gjakatare e puçit ushtarak, e cila pamëshirshëm godet bijtë dhe bijat e Egjiptit, që kanë dalë tash e sa kohë gjithandej nëpër rrugë duke kërkuar kthimin e autoriteteve legjitime, të cilat i zgjodhën për herë të parë pas dekada shtypjeje nga regjimi diktatorial i Mubarakut.

Pak ditë më parë, gjersa në pushtet ishte presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamed Mursi, mbretëronte një klimë krejtësisht tjetër. Njerëzve iu kishte kthyer shpresa për ditë të mira në Egjipt. Kishin filluar nisma të shumta që Egjipti njëmend të bëhej i pavarur. Gazetari i mirënjohur arab, Ahmed El Mensur, në një artikull të publikuar kohë më parë, në mënyrë të thuktë përmend disa nga të arriturat e Mursit, ndonëse nuk qëndroi në pushtet më gjatë se një vit:

1) Mursi ia ktheu Egjiptit vetëmjaftueshmërinë me bukë për 70 për qind.

2) Mursi filloi projektin e investimit në kanalin e Suezit, i cili do t’i rriste të hyrat nga tre miliardë në 100 miliardë dollarë në vit.

3) Mursi hapi dy zona industriale të nivelit të lartë, njërën nën mbikëqyrjen e Katarit e tjetrën nën mbikëqyrjen e Turqisë.

4) Mursi hapi degën e kompanisë Samsung për prodhim, jo për tregti, e cila do të siguronte mundësi punësimi për egjiptianët.

5) Mursi është përkujdesur për prodhimin e iPad-ve vendorë egjiptianë, me karakteristika të veçanta sipas nevojave egjiptiane.

Por, kjo dritare shprese për Egjiptin u mbyll shumë shpejtë. Dhuna dhe kaosi kapluan tërë vendin. Po ta dëgjonim këtë lajm pa pasur pak njohuri për Egjiptin mendja do të na shkonte te “fanatikët islamikë”, se kështu jemi mësuar të dëgjojmë gjithherë nga mediat tona kur përmendet kaosi. Por, ja që kësaj radhe gjendja është tërësisht ndryshe.

Në fakt, ajo që popullit egjiptian ia përplasi dritaren e shpresës për fytyre është ushtria. Pra, udhëheqësit ushtarak, që sipas të dhënave dhjetë apo dymbëdhjetë më kryesorët prej tyre së bashku arrijnë moshën 950 vjet, u munduan dhe po mundohen ta shuajnë shpresën për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt të Egjiptit. E gjithë kjo në emër të demokracisë, dhe demokracia heshtë.

Pa dyshim se grushtetin e përkrahen partitë politike laike nga brenda dhe e ndihmuan grupe të interesit të caktuar, përfshirë edhe qeveri, nga jashtë. Në këtë drejtim ndoshta kanë mundur të kontribuojnë edhe disa lëshime të Presidentit Mursi, i cili dorën në zemër nuk kishte shumë përvojë politike. Por, ato “lëshime” assesi nuk arsyetojnë ndërhyrjen me dhunë të ushtrisë për të përmbysur presidentin dhe qeverinë e zgjedhur nga vet populli.

Sa e sa herë janë etiketuar e qortuar myslimanët se forma e ndryshimeve nuk është përdorimi i forcës e lerë më dhunës, por ja tash kur kjo ndodhë nga laikët apo sekularët, bota heshtë. Kulmi i dhunës “demokratike” u arrit kur ushtria dhe policia po hapin zjarr ndaj protestuesve civilë e të pambrojtur duke i larguar ata nga sheshet e ndryshme. Të rinjtë e të rejat vriten e plagosen në emër të rendit dhe sigurisë.

Egjipti është në prag të luftës civile, në prag të asaj që ka ndodhur më parë, me vite, në Liban e Irak dhe asaj që është duke ndodhur aktualisht në Siri. Si duket ata që nuk arritën ta ndalin Pranverën Arabe në ato vende, tash po bëjnë çmos që ato vende t’i fusin në luftëra civile dhe kaos politik.

Pranvera Arabe, e cila veç patë filluar t’i japë frytet e saj, tashmë po rrezikohet për asgjësim. Akoma pa dalë mirë lulet e para të asaj pranvere të shumëpritur “dashamirët e lirisë dhe demokracisë” ndërhynë për t’i shuar ato lule, duke e kthyer kështu këtë pranverë në një vjeshtë të tharë ku çdo gjë sinjalizon fundin.

Akoma më shqetësuese mbeten qëndrimet e organeve ndërkombëtare, të cilat janë mjaftuar me një mori murmuritje për keqardhje, apele për ndalje të dhunës madje “nga të gjitha palët”, gjersa nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret. Madje, një raport nga zyra e kryeministrit Erdogan potencon se qëndrimi i botës “së civilizuar” ndaj grushtetit ushtarak nxiti ushtrinë e policinë egjiptiane të bëjnë masakra ndaj popullatës së vet, e i njëjti raport i bën thirrje urgjente faktorit ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndalur dhunën në Egjipt. Erdogan ishte më i zellshmi në kritikat e tij kundër përdorimit të dhunës nga forcat egjiptiane, por thirrjet e tij hasën në veshë të shurdhër të aleatëve ndërkombëtarë.

Vërtet e çuditshme dhe e neveritshme të shohësh tek tolerohen dhe përkrahen grushtetët nga ushtria, të largohen njerëzit e zgjedhur nga populli, kryekomandantët e forcave ushtarake të burgosen nga “ushtarët” e vet, e pastaj të shpartallohen protestuesit me tanke e helikopterë duke zbrazur breshëri automatikësh mbi turmat e civilëve duarthatë të cilët vetëm shprehin pakënaqësinë e tyre; të vriten qindra mijëra gra e fëmijë, pleq e të rinj dhe prapë bota “demokratike e paqedashëse” të qëndrojë duarkryq! Kjo është vërtetë e papranueshme.

Por, si duket demokracia bashkëkohore nuk është asgjë më tepër se interes. Ajo për dikë di të jetë “nënë” e për dikë “njerkë”. Apo, siç thekson fjala e urtë “Bota është e rrumbullakët (rrotë) dhe së bashku me kohën ajo sillet, herë përkrah e herë kundër teje”.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.