Si t’i zhvillojmë apo ristrukturojmë shkollat profesionale publike?

14:06 / 18.08.2013

Cilësia e aftësimit dhe arsimit profesional, mbetet një sfidë e madhe për tërë shoqërinë kosovare. Interesimi i nxënësve për shkolla profesionale është në rënie të vazhdueshme. Struktura e nxënësve të regjistruar në shkolla profesionale është e një cilësie të dobët, krahasuar me nxënësit të cilët regjistrohen në shkolla të përgjithshme apo gjimnaze.

Arsimi profesional ka nevojë për një ristrukturim përmbajtjesor dhe strukturor, nëse dëshirojmë që të sapo diplomuarit të jenë me shkathtësi adekuate praktike dhe konkurrentë në tregun e brendshëm, por edhe në tregun evropian gjithashtu.

Rasti konkret i tregut evropian të punësimit vjen nga Agjencioni Federal i Punës nga Gjermania, i cili sapo ka hapur një ofertë ndërkombëtare për punëtorë të kualifikuar nga lëmenjtë: infermieri, elektricist, rrobotikë, mekatronikë etj.

Thelbi i shkollave profesionale është aplikimi praktik i njohurive të marra nga shkolla, e një gjë e tillë kërkohet nga tregu i punës. Me fjalë të tjera, shkollat profesionale duhet të funksionojnë si ndërmarrje të vogla ekonomike, të cilat duhen të jenë shtylla kryesore burimore/zhvillimore të ndërmarrjeve të ardhshme, prodhuese dhe shërbyese.

Shumica e shkollave profesionale duhet të funksionojnë si partneritet publiko-privat, e që ka të bëjë me bashkëpunim ndërmjet shkollës dhe ndërmarrësve privat. KK (kuvendi Komunal) përkatës duhet të shikojë mundësinë e zbritjes së taksave për ato ndërmarrje, të cilat pranojnë nxënësit tanë në punë praktike. Puna praktike e nxënësve në ndërmarrje është esenca dhe koncepti i shkollave profesionale!

Gjatë periudhës së pasluftës, janë bërë disa tentativa për ndryshimin e gjendjes faktike në shkollat profesionale. MASHT-i,. në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, IEME, GIZ (ish GTZ), KosVET (PEM GmbH), SwissContact etj. kanë bërë punë të mirë, sidomos në përpilimin e plan-programeve mësimore, furnizimin e shkollave me laboratorë etj.

Për mendimin tim, plan-programi mësimor gjerman PEM GmbH nga Dusseldorfi (KosVET-Kosova Vocational Education Training) ka qenë më i miri, por njëkohësisht, për aplikim të tij praktik ka kërkuar edhe laboratorët përkatës. Mbi 70 për qind të programit mësimor përbëhet nga lëndë tipike profesionale, pjesa e mbetur përbëhet prej lëndëve të përgjithshme. Lëndët mësimore kanë qenë semestrale.

Reforma në arsimin profesional nuk është e mjaftueshme dhe nuk përfundon vetëm me ndërrimin apo përpilimin e plan-programeve të reja mësimore, nëse nuk marrim në konsideratë edhe aspektet tjera organizative.

Në shkollat profesionale publike të Kosovës, nuk ka sistem menaxhimi, por sistem drejtimi. Edhe mediat e shkruara dhe elektronike shpesh bëjnë njoftime të gabueshme në përdorimin e termave apo emërtimeve, duke cituar: p.sh. “menaxheri i shkollës”. Mund të thonë p.sh drejtori i shkollës apo drejtuesi i shkollës, por jo menaxheri i shkollës

Me termin menaxhim, përkatësisht menaxhment, nënkuptojmë udhëheqje ekipore e shkollës ose e ndërmarrjes, që përbëhet prej menaxherëve të profilizuar, sipas profesioneve apo degëve që ekzistojnë në atë shkollë dhe janë përgjegjës për performancën e degës të cilën e udhëheqin. Kryemenaxheri i menaxhmentit, koordinon me punën e menaxherëve të degëve përkatëse.

Autonomia e shkollave profesionale duhet të rregullohet me akte normative. Pra, shkolla duhet të përpilojë statutin vetanak, i cili përcakton rregullat kryesore të udhëheqjes dhe qeverisjes së shkollës. Zbatimin e Statutit e mbikëqyrë Bordi i Shkollës (BSh)

BSh-ja do të përbëhej nga përfaqësuesi i MASHT-it, anëtarit të KK përkatës, kryemenaxherit të shkollës, kryetarit të Këshillit të shkollës, përfaqësuesit të OJQ-ve, donatorëve ndërkombëtarë, ndërmarrësve privatë, odës ekonomike etj.

Shkollat profesionale duhet të kenë xhirollogarinë vetanake dhe të përpilojnë pikat buxhetore të Buxhetit të planifikuar të shkollës, sipas vitit kalendarik, por jo sipas vitit shkollor. Shkolla është e obliguar të bëjë raporte të pasqyrave financiare mujore, tremujore dhe vjetore, gjithashtu duke përfshirë edhe auditimin e brendshëm dhe auditimin e jashtëm vjetor.

Vetëm me një kontribut simbolik nismëtar financiar, prej tre eurove në muaj (36 EUR në vit) për kokë nxënësi, si të hyra nga kontributi i prindërve të nxënësve, ose në bashkëpunim me KK përkatës, do të mund të krijonim fondin fillestar për dhënie të bursave për nxënësit e dalluar, sigurimin vjetor të nxënësve në kompani sigurimi, pasi gjatë punës praktike ata ose ato mund të lëndohen. Pra, kemi të bëjmë me një investim të kthyeshëm. Fondi i të hyrave të shkollës do kishte rritje të vazhdueshme edhe nga kreativiteti i menaxhmentit të shkollës, duke i joshur donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë. Shkolla profesionale duhet të ketë të lejuar të regjistrohet si njësi biznesore, pra të kenë numrin e vet të biznesit, në mënyrë që të konkurrojë në tender apo projekte të vogla.

Në shkollat profesionale të Kosovës kemi mjaft inxhinierë, agronomë, ekonomistë apo mjekë kreativë, të cilët njohin mirë gjuhën angleze apo gjermane dhe kanë nevojë për një stimulim modest, për të përpiluar tekste shkollore profesionale, të cilat mungojnë në institucionet tona shkollore.

Literature e tanishme, e cila përdoret në shkollat profesionale, është e vjetruar ose përdoren tekste apo skripta kolegjesh/fakultetesh, të konceptuara apo të përkthyera shumë keq dhe pa kuptim!

Përmbajtja e teksteve për shkolla profesionale duhet me qenë në përmbajtje “praktikë e shkruar” apo, me fjalë të tjera, tekstet shkollore shkencore teorike që përdorën në shkolla të përgjithshme nuk janë adekuate për shkolla profesionale. Teksti për shkolla profesionale duhet të jetë në formë doracaku, i cili është i shkruar dhe i konceptuar në formë të instruksioneve praktike-zgjidhjeve konkrete!


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.