Gjykata: Jo gjykim të shkurtuar për Aldo Baren
Nuk do të ketë gjykim të shkurtuar për kapon e Bandës së Lushnjës, Alfred Shkurti, alias Aldo Bare. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të mërkurën që të mos marrë parasysh kërkesën e avokatit të Aldo Bares, Vladimir Meci që kërkonte gjykim të shkurtuar për klientin e tij. Plasin polemikat në sallë mes avokatit dhe kryetares së trupit gjykues. Trupit gjykues, kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari konsideroi të padrejtë kërkesën dhe e rrëzoi atë.
Ndërkohë Prokuroria argumentoi një seancë më parë se është e papajtueshme që një i pandehur të konsiderojë të pavlefshme aktet e një dosjeje dhe më pas të pranojë të gjykohet me procedurë të shkurtuar po mbi këto akte.
Por nëse kjo kërkesë pranohej, atëherë Bare shpëtonte nga burgimi i përjetshëm që rrezikon për shkak të akuzave të rënda që prokuroria ka ngritur ndaj tij.
Vendimi i trupit gjykues u konsiderua i padrejtë nga avokati Mece që akuzoi kryetaren e trupit gjykues se po paragjykon procesin. Mandej ai propozoi ndërrimin e trupit gjykues. Hajdari nga ana e saj i kërkoi avokatit të Bares që për çdo ankesë apo kërkesë t’i drejtohet sekretariatit të Gjykatës së krimeve të Rënda.
Aldo Bare, sipas prokurorisë ka drejtuar të ashtuquajturën “Banda e Lushnjës”, akuzohet për dhjetëra krime të rënda, si vrasje, plagosje, krijim organizate kriminale. Ai u ekstradua nga Turqia në nëntor të vitit 2009, pas tri vitesh qëndrimi në qelitë turke. /balkanweb/
Postuar: 11:31 / 10.03.2010 |
RSS