Berisha mbledh Task Forcën për shëndetësinë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje mbledhjen e Task Forcës për reformimin e sistemit shëndetësor, ku u shqyrtua ecuria e përgatitjes së udhërrëfyesve të praktikës klinike, protokolleve dhe kostifikimit.Zyra e shtypit e kryeministrisë njoftoi se gjatë kësaj mbledhje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, raportoi se deri tani janë ngritur 42 grupe pune. Sipas tij, “mobilizimi i afro 300 specialistëve të vendit e të huaj si profesorë, akademikë, mjekë, infermierë, ekonomistë etj, bëri të mundur që të përfundohen 111 draft-protokolle për trajtimin e sëmundjeve, duke realizuar për herë të parë ketë proces kaq të rëndësishëm qoftë për trajtimin shkencor të pacientëve, ashtu edhe për një menaxhim sa më racional të burimeve financiare dhe atyre njerëzore”.
Duke vlerësuar punën e ekipeve të përfshira, kryeministri Berisha tha se ky proces është hallkë shume e rëndësishme në reformimin e sistemit shëndetësor dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor ndaj pacientit. Kreu i qeverisë orientoi gjithashtu shtrirjen e protokolleve edhe në shërbimin parësor për të unifikuar diagnozën dhe trajtimin e të sëmurëve që në nivelin e parë.
Një vend të rëndësishëm në këtë takim pati diskutimi i përgatitjes së menaxherëve në sistemin spitalor, rrugët e përzgjedhjes dhe kualifikimit të tyre. Gjithashtu u diskutua forcimi dhe ridimensionimi i rolit të kryeinfermierëve në menaxhim për të rritur edhe më tej cilësinë e shërbimit spitalor dhe reduktimin e kostove të panevojshme. /Start/