Kriza johumane gjermane: “Eksporti” i pensionistëve

23:33 / 28.12.2012

Mijëra pensionistë gjermanë po shkojnë në shtëpi të pleqve ose qendra rehabilitimi në Evropën Lindore dhe në Azi, për shkak të rënies së standardit dhe rritjes së shpenzimeve për kujdes të pleqve. Kritikët këtë “eksod” e cilësojnë si “deportim johuman”.

Gjermania llogarit në shtetet që plaket më së shpejti, për shkak se çdo herë e më shumë gjermanë po banojnë në shtëpi pleqsh. Megjithatë, sipas ditores britanike "Guardian", për shkak të krizës financiare në eurozonë, shumë nga ta nuk mund të përballojë edhe këtë "luks", ndaj janë të detyruar të lëvizin në institucione të tjera të ngjashme në Evropën Lindore dhe në Azi.

Arsyeja është e qartë: derisa pensionet po bien, çmimi mesatar për të qëndruar në shtëpi të pleqve sillet prej 2900-3400 euro në muaj.

Duke pasur parasysh se standardi i jetesës së gjermanëve vazhdon të bie vazhdimisht, në vitet e ardhshme numri i pensionistëve që Gjermania do të “eksportoj” do të rritet në mënyrë drastike. Demografët e kanë përshkruar këtë situatë si një "bombë e kurdisur".

Krizën kronike të sistemit të kujdesit për të moshuarit në Gjermani - për shkak të mungesës së forcës punëtore dhe rritjes së shpenzimeve - për vite të tëra e kanë lehtësuar punëtorët nga Evropa Lindore, të cilët kanë ardhur në Gjermani për t’u kujdesur për të vjetrit dhe të paaftët. Transferimi i pleqve në Evropën Lindore tashti shihet si një akt i dëshpëruar, që tregon se sistemi nuk është duke funksionuar, madje edhe me forcën e lirë të importuar punuese.

Sozialverband Deutschland, organizata që merret me çështjet sociale, thotë se fakti se gjermanët nuk mund t’i paguajnë shpenzimet e qëndrimet në azile pleqsh, në shtetin e tyre, kërkon rënien e kambanave dhe intervenimin politik të shtetit.

“Nuk mund të lejojmë që të deportohen njerëzit që tërë jetën e kanë ndërtuar Gjermaninë, për t’u bërë kjo që është sot. Kjo është jonjerëzore”, tha Ulrike Mascher, president i Shoqatës.

Hulumtimet tregojnë se në 2011, 7146 pensionistë gjermanë jetonin në shtëpi të pleqve në Hungari, më shumë se 3000 në Republikën Çeke dhe rreth 600 në Sllovaki. Një numër i panjohur i të moshuarve gjendej në Spanjë, në Greqi dhe në Ukrainë. Tajlanda dhe Filipinet janë destinacionet më të zakonshme në Azi.

Shumë pensionistë thonë se ata kishin vendosur të shpërngulen sepse p.sh. shpenzimet për kujdes në Hungari janë sa një e treta ose dy të tretat e shtëpive të pleqve në Gjermani, ndërsa shërbimet dhe kujdesi është i mirë. Megjithatë, shumë të tjerë, për shkak të parave, nuk kishin zgjidhje tjetër.

Christel Bienstein, profesoreshë në Universitetin Witten/Herdecke, tha se shtëpitë e pleqve në Gjermani janë “pranë kufirit të kërcitjes”, për shkak të mungesës së stafit.

“Shpesh një infermiere kujdeset për 40 ose 60 të moshuar dhe mund t’ua përkushtojë vetëm 63 minuta në ditë”, thotë ajo. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.