Liderët botërorë në përpjekjet finale për klimën
Zyrtarët në samitin për ndryshimin e klimës në Kopenhagë kanë punuar gjithë natën për të dalë me një projekt-marrëveshje. Pas bisedimeve mes udhëheqësve botërorë, kryeministri danez Lars Lokke Rasmussen, tha se kishte pasur një dialog konstruktiv.Ditën e enjte, SHBA-ja tha se do të mund të ofronte 100 miliard dollarë për të ndihmuar vendet e varfra të përballonin ndryshimet e klimës. Kina ofroi lëshime me kërkesën e SHBA-së që ulja e emetimeve të ishte e hapur për monitorim.
Presidenti Obama do të takohet me kryeministrin Wen Jiabao, në Kopenhagë më vonë gjatë ditës.
Në Kopenhagë, 119 udhëheqës globalë i japin të premten shtysën e fundit përpjekjes për arritjen e një marrëveshje të re për ndryshimin e klimës. Pas dy vjetësh bisedime, përpjekjet për të arritur një marrëveshje të re globale po arrijnë konkluzionet përfundimtare në Kopenhagë.
Pasi kaluan dy javë duke debatur çështje procedurale, orët e fundit kanë injektuar një sens urgjence tek këto bisedime dhe sollën fjalë kompromisi dhe konsensusi për një numër çështjesh shumë të rëndësishme.
SHBA-ja e ka angazhuar veten të jetë pjesë një fondi afatgjatë për vendet në zhvillim, me vlerë prej 100 miliard dollarësh duke filluar me vitin 2020. Kjo varet nëse vendet e mëdha në zhvillim si India dhe Kina angazhohen në veprime për reduktime të verifikueshme emetimesh.
Në një deklaratë për shtyp, Kina dha shenja se mund të japë hollësi lidhur me veprimet që do të ndërmarrë, përsa kohë ato nuk do të ndërhyjnë në sovranitetin e vendit.
Por pati edhe të meta potenciale. Një analizë e premtimeve për të reduktuar emetimet që u zbulua, tregon se bota po shkon drejt një ngrohjeje me 3 gradë celcius dhe jo 2.
Këto negociata janë veprimet më të komplikuara për klimën që janë ndërmarrë ndonjëherë. Dhe teksa nuk ka garanci për sukses, një gjë është e sigurt disponimi i delegatëve është përmirësuar. /BBC/