Obama: Të biem dakord për një qëllim të përbashkët
Presidenti Barack Obama u tha udhëheqësve botërorë në ditën e fundit të konferencës për ndryshimin e klimës në Kopenhagë se ka ardhur koha që “vendet e botës të bien dakord për një qëllim të përbashkët”. Njoftimet e medias thonë se teksti i një projektmarrëveshjeje, e cila mund të ndryshojë, nuk përmend shkurtime të thella të gazeve për vendet e industrializuara, duke realizuar shumë më pak se sa objektivi i mëparshëm, që ishte arritja e një pakti me fuqi ligjore.
Obama e pranoi se disa vende mendojnë se Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë aq sa duhet. Por ai tha se udhëheqësit botërorë duhet të pranojnë një marrëveshje edhe pse ajo mund të mos jetë e përsosur.
“Unë besoj se ne mund të veprojmë me guxim dhe vendosmëri përballë një kërcënimi të përbashkët. Prandaj kam ardhur këtu sot. Jo për të folur por për të vepruar."
Dy ndër pengesat më të mëdha për marrëveshjen janë refuzimi amerikan për të propozuar shkurtime më të thella në çlirimin e gazeve dhe refuzimi i Kinës për të lejuar verifikimin e shkurtimeve që ajo është gati të bëjë.
Pa e përmendur konkretisht Kinën, presidenti Obama tha se nuk mund të arrihet dot marrëveshje ndërkombëtare pa një shkëmbim informacioni."Nuk e di se si mund kemi një marrëveshje ndërkombëtare nëse nuk ndajmë informacion për të garantuar se do të arrijmë angazhimet tona. Kjo nuk ka kuptim dhe do të ishte një fitore e zbrazët.”
Sipas njoftimeve të medias, marrëveshja për klimën pritet të bëjë thirrje për moslejimin që temperaturat globale të rriten më tepër se sa në masën 2 gradë celsius. Vendet e vegjël ishuj, të shqetësuar për rritjen e niveleve të deteve, kanë kërkuar që ngritja e temperaturës të mos jetë më e madhe se sa 1,5 përqind.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, njoftoi të enjten se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në krijimin e një fondi vjetor prej 100 milion dollarësh për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballojnë pasoja të tilla të ngrohjes globale si rritja e nivelit të deteve.
Por ajo tha se oferta amerikane do të varet nga gatishmëria e këtyre vendeve për të shkurtuar gazet dhe për të lejuar verifikimet.
Kina thotë se marrëveshjet e mëparshme e përjashtojnë atë dhe vende të tjera në zhvillim nga shkurtimi i gazeve që ajo thotë se po e bën vullnetarisht. Kinezët thonë gjithashtu se oferta amerikane për të shkurtuar gazet në masën 17 përqind nuk është e mjaftueshme.
Negociatorët amerikanë thonë se Kongresi nuk do të miratonte shkurtime më të thella tani për tani. Sekretarja Clinton tha se 17 përqind është një hap fillestar drejt shkurtimit në masën 50 përqind deri në vitin 2050. /VoA/