Clinton: Mungesa e stabilitetit “kërcënim global”
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se situata e paqëndrueshme politike dhe shtimi i pranisë së Al-Qaedas në Jemen, përbënin kërcënim në rritje për stabilitetin rajonal dhe atë global. "Ka patur një numër konfliktesh në Jemen dhe duket se situata po përkeqësohet me shtimin e aktorëve të përfshirë," tha ajo.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jemen është rihapur pas mbylljes dyditore pas një kërcënimi të al-Qaidas.
Zyrtarë të ambasadës britanike dhe franceze, që po ashtu janë mbyllur, thanë se e kanë rinisur punën, por ende janë të mbyllura për publikun.
Clinton tha se autoritetet e atjeshme duhet të demonstronin se ishin të përgatitura për të vepruar me vendosmëri kundër militantëve. "Tani është koha që komuniteti ndërkombëtar t'ia bëjë të qartë Jemenit se atë që pritet prej tij dhe kushtet për vazhdimin e mbështetjes sonë për qeverinë, në mënyrë që ata të ndërmarrin masa të cilat do të kishin më shumë gjasë për të siguruar paqe dhe stabilitet për popullin e Jemenit dhe rajonin," tha ajo.
Zyrtarë amerikanë të zbulimit thonë se tentativa për sulmin e dështuar për avionin që udhëtonte drejt Amerikës ditën e Krishtlindjeve, e kishte origjinën në Jemen. /BBC/