Nigeria proteston ndaj masave amerikane
Ministri i jashtëm nigerian, Ojo Maduekwe ka thirrur ambasadorin amerikan për të protestuar lidhur me kontrollet më të rrepta ndaj pasagjerëve nga Nigeria. Masat amerikane u njoftuan pas përpjekjes së dështuar muajin e kaluar, siç pretendohet nga një shtetas nigerian (Umar Farouk Abdulmutallab) për të hedhur në erë një avion amerikan.
Ministri nigerian i tha BBC-së se ishte e papranueshme që një vend me një popullsi prej 150 milionëshe t'i nënshtrohej kushteve më të forta sigurie, për shkak të veprimeve të një personi të dyshuar, i cili e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës jashtë Nigerisë.
"Ky i ri u largua nga Nigeria në moshën 13 vjeçare dhe e kreu këtë veprim në moshën 23 vjeçare. Ne mendojnë se, megjithëse identifikohemi me çdo masë të SHBA-së për të përmirësuar sigurinë e shtetasve amerikanë, këto janë çështje që mund t'i adresojmë në një mënyrë që nuk do të shihet si jomiqësore," tha ministri Maduekwe.
Edhe Kuba ka protestuar para diplomatit më të lartë amerikan në ishull, sepse kubanët janë përfshirë në të njëjtën listë.
Një zyrtare në ministrinë e jashtme kubaneze, Josefina Vidal Ferreiro, i përshkroi rregullat e reja si një veprim armiqësor që ishte ndërmarrë për të justifikuar embargon tregtare mbi Kubën. /bbc/
Postuar: 9:35 / 6.01.2010 |
RSS