SHBA-ja i jep garanci Izraelit
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i cili po viziton Lindjen e Mesme, thotë se Washingtoni është absolutisht i angazhuar për garantimin e sigurisë së Izraelit.
Ai tha se SHBA-ja është e vendosur që të mos e lejojë Iranin të prodhojë armë bërthamore.
Biden i bëri këto komente pasi u takua me udhëheqësit izraelitë në Jerusalem. Ai e akuzoi Iranin se po e destabilizon rajonin 'duke mbështetur grupet terroriste'.
Zëvendëspresidenti amerikan tha se siguria e Izraelit do të mbetej gur themeli në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Izraelin.
Bisedimet izraelito-palestineze
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, po viziton Lindjen e Mesme në kuadrin e një nisme të re për riaktivizimin e procesit të paqes.
Ai është zyrtari më i lartë i administratës së presidentit Obama që viziton Izraelin.
Pas takimeve të veçanta me presidentin Shimon Peres dhe kryeministrin Beniamin Netaniahu, ai do të takohet të mërkurën me presidentin palestinez Mahmud Abbas.
Izraeli dhe Autoriteti Palestinez kanë rënë dakord për fillimin e bisedimeve jo të drejtpërdrejta.
Jo shumë optimizëm
Një tregues se sa poshtë kanë rënë shpresat është edhe fakti se administrata amerikane pritet që ta quajë sukses rifillimin e bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve.
Mes palëve nuk ka patur negociata që prej më shumë se një viti.
Ato kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë integriteti dhe mosangazhim në procesin e paqes.
Pak para mbërritjes së zotit Biden, qeveria izraelite autorizoi fillimin e ndërtimit të mbi 100 shtëpive të reja për hebrenjtë në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Palestinezët thonë se nuk do të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin, derisa ai të ndërpresë të gjitha ndërtimet në vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Këto territore të pushtuara përbëjnë një pjesë të mirë të atij që palestinezët e konsiderojnë shtetin e tyre.
Postuar: 10:37 / 9.03.2010 |
RSS