Koncepti i sigurisë nuk u respektua
Akuza kundër organizatorit të “paradës së dashurisë”(Love Parade) dhe qytetit të Duisburgut. Qeveria e landit të Rinit Verior-Vestfalisë ngriti akuza të ashpra kundër organizatorëve dhe qytetit të Duisburgut. Edhe inspektori i policisë së landit u shpreh me nota tejet kritike në një konferencë shtypi.Në fund të prezantimit të tij, inspektorit të policisë Dieter Wehe i ikën zëri, për një moment ai përfshihet nga emocionet. Minuta më parë ai kishte paraqitur në mënyrë të detajuar se përse ndodhi katastrofa të shtunën e kaluar, dhe nuk ka më asnjë dyshim, pas vetëm pak orësh, organizatori nuk e kishte më nën kontroll situatën.
Ai ka shkelur marrëveshjet e qarta për sigurinë dhe nuk ka angazhuar një numër të mjaftueshëm ruajtësish të rregullit pikërisht atje ku duhej t'i kishte sipas konceptit të paraqitur prej tij për sigurinë.
Për ministrin e brendshëm të landit të Rinit Verior-Vestfalisë, Ralf Jäger, përballë këtyre fakteve është e qartë se ka pasur mangësi serioze si në anën e organizatorit Rainer Schaller ashtu edhe të qytetit të Duisburgut. Ai u shpreh qartë se çfarë ndien për këtë tragjedi që shkaktoi 21 viktima dhe shumë të plagosur rëndë:
"Për mua është i patolerueshëm fakti që si organizatori i “paradës së dashurisë” ashtu edhe qyteti i Duisburgut si autoriteti që dha lejen për zhvillimin e aktivitetit, refuzojnë përgjegjësinë, madje përpara se të bëhen të ditura të gjitha faktet.
Ndryshe, nga katastrofa në paradën e dashurisë, në qytetin e Duisburgut të shtunën e kaluar humbën jetën 20 vetë, 500 të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë. /dw/telegrafi/