Feith anuloi konkursin e bordeve
Kishin intervistuar rreth 1700 kandidatë për anëtarë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike lokale dhe qendore, madje vetëm sa nuk u publikuan emrat e anëtarëve të rinj të përzgjedhur dhe në fund u anulua konkursi i shpallur nga Qeveria e Kosovës.Anulimin e konkursit për bordet e kompanive publike zyrtarisht e kërkoi Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), pa u dhënë shumë sqarime për arsyen e vërtetë të anulimit.
Mirëpo, burime të gazetës “Zëri” brenda institucioneve të Kosovës thonë se anulimi i këtij konkursi nga Qeveria u bë me kërkesë të Zyrës Civile Ndërkombvëtare (ICO), e cila ka insistuar se anëtarët e bordeve nuk mund të zgjidhen pa hyrë në fuqi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit Nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike, i cili ende nuk është nënshkruar nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“S’ka pasur logjikë që anëtarët e bordeve të kompanive publike të zgjidhen, ndonëse ndryshimet dhe plotësimet në ligjin për ndërmarrjet publike nuk janë nënshkruar ende nga presidentja, prandaj shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare i ka kërkuar Qeverisë anulimin e konkursit”, bën të ditur burimi i gazetës, duke shtuar se me një vendim të tillë ka shkuar huq puna disamujore në intervistimin e një numri të madh të kandidatëve.
Edhe këshilltari për media i ministrit Besim Beqaj, Gëzim Baxhaku, pranon se konkursi u anulua pasi që ndryshimet e bëra në ligje ende nuk janë nënshkruar nga presidentja dhe përzgjedhja e bordeve të reja do të bëhet sipas ligjit të ri. “Me ligjin e ri, në ndërmarrjet publike lokale, më shumë kompetenca do të kenë komunat. /Zëri/Telegrafi/