KEK-u një milionë euro për punët jashtë orarit
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), janë duke punuar fort, madje ata po punojnë edhe pas orarit dhe gjatë vikendeve, për të arritur sa më shumë orë pune. Drejtues të Sindikatës së Pavarur të Energjetikës thonë se KEK-ut punët pas orarit dhe vikendeve, po i kushtojnë një milionë euro nga shuma e përgjithshme e pagave.
Zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se punët pas orarit bëhen për shkak të natyrës së punës dhe paraqitjes së situatave të ndryshme, ku sipas tyre, kërkohet mobilizim i punëtoreve për t’i sanuar problemet e ndryshme dhe të mos pësojnë konsumatorët.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Energjetikës (SPEK), Izet Mustafa e shef tejet të panevojshme realizimin e orëve të punës pas orarit. Ai thotë se kjo dëshmon për nevojën që të shtohet numri i punëtorëve në KEK, e jo të bëhen reduktim i vendeve të punës. “Prej shumës se përgjithshme të pagave KEK-u një milion euro paguan për punë jashtë orarit dhe vikendeve që realizohen”.
Ai thotë se sipas vizitave në terren që kanë bërë ka mungesë të punëtorëve në terren. “Me këtë shumë sa paguhen orët pas orari dhe gjatë vikendeve do të mund të punësoheshin deri në 500 veta” tha Mustafa për Telegrafin.
Ndërkaq, Eglantina Hoxha, menaxhere për palë të interesuara dhe ngjarje në KEK, tha për Telegrafin se realizimi i orëve pas orarit nga ana e punëtorëve të KEK-ut behët për të evituar sa më shpejt problemet nëpër divizione. “Në këto raste nuk bëhet fjalë për mungesë punëtorësh, por për situata ku kërkohet mobilizim”, ka thënë Hoxha, duke mos saktësuar se sa orë pune kanë realizuar pas orarit punëtorët e kësaj korporate më 2011.
Ajo ka përmendur rastet e erërave të forta të si dhe acaret ku kryesisht realizohen këto orë pune. “Pra, për rastet e jashtëzakonshme ku kërkohet mobilizim për profile specifike të ekspertizës do të ishte e palogjikshme të punësohen punëtorë të rinj të cilët do të punonin vetëm në këto raste, duke i shkaktuar shpenzime shumë të mëdha Korporatës Energjetike te Kosovës”, tha ajo.
“Pagesa e orëve te punës jashtë orarit bëhet vetëm në rastet e domosdoshme, në bazë të ligjit të punës. Në aspektin financiar pagesa e orëve jashtë orarit është 2 për qind e pagesave për orët e rregullta të punës, d.m.th është në minimumin e mundshëm nëse marrim parasysh natyrën e punës dhe krahasimin me kompanitë e ngjashme”, thotë Hoxha. /Telegrafi/