APIK bashkon bizneset italiane me ato kosovare
Në bashkëpunim me Oden Ekonomike Italo-Kosovare, Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK) ka pritur një delegacion nga Italia i cili përbëhej nga 12 biznese italiane. Gjatë këtij takimi, është nënshkruar Marrëveshje e Mirëkuptimit në mes të APIK-ut dhe Odes Ekonomike Italo – Kosovare.
Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve për të promovuar Kosovën si vend i përshtatshëm për investime në Itali, si dhe për të promovuar kompanitë kosovare, gjegjësisht produktet e tyre në Itali.
Kjo iniciativë e filluar nga Oda Ekonomike Italo-Kosovare dhe e mbështetur nga APIK, ka mbledhur rreth 30 biznesmenë, ku edhe janë prezantuan mundësitë që ofron Kosova në sferën e investimeve, si dhe të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Hapjen dhe prezantimin e potencialeve e ka bërë kryeshefi i kësaj agjencie, Valdrin Lluka, i cili ka treguar avantazhet e Kosovës në krahasim me shtetet tjera për të bërë një investim, duke u fokusuar në qasjen e tregjeve të Bashkimit Evropian, CEFTA dhe SHBA, ku në të gjitha këto tregje prodhuesit nga Kosova nuk paguajnë doganë.
Gjithashtu janë prezantuan reformat që janë duke u ndërmarrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së bashku me ministritë tjera ekonomike për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, si dhe mundësitë e marrjes së tokave komunale pa pagesë deri në 40 vite. “Interesim të veçantë zgjoi fakti që Kosova është shteti me koston më të ulët të operimit në Evropë, ku rroga mesatare është 280 euro për muaj, si dhe tatimi në fitim të korporatave vetëm 10 për qind”, thuhet në komunikatën e APIK-ut. /Telegrafi/