Ekonomia e Kosovës, me probleme edhe vitin e ardhshëm

13:43 / 30.12.2012

Ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të përballet me probleme të mëdha edhe gjatë vitit 2013. Pavarësisht trendit pozitiv të rritjes ekonomike, problemet e akumuluara me vite, si papunësia dhe varfëria, nuk do të mund të zvogëlohen as gjatë vitit të ardhshëm. Sfida tjera pritet të jenë edhe zvogëlimi i deficitit tregtar, luftimi i korrupsionit dhe ekonomisë joformale.

“Kosova gjatë vitit 2012 ka shënuar disa të arritura në sferën e ekonomisë, si anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, programi ‘Stand by’ me FMN-në, strategjia e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe përmirësimi i mjedisit për të bërë biznes. Edhe buxheti i shtetit rritet nga viti në vit, por problemet e akumuluara me vite, si papunësia dhe varfëria, nuk kanë arritur të zgjidhen. Ato pritet të jenë ndër sfidat kryesore edhe gjatë vitit të ardhshëm”, thotë zëvendëskryeministrja për ekonomi, Mimoza Kusari Lila, transmeton RTK.

Kusari Lila thotë se pas regjistrimit të popullsisë, duhet të krijohet edhe një regjistër i saktë i të papunëve. Ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rasic, thekson se Qeveria po angazhohet për krijimin e kushteve për bizneset, që ato të punësojnë sa më shumë njerëz. Njëkohësisht edhe për trajnimin e punëkërkuesve nëpër qendrat e aftësimit profesional në tërë vendin.

Sipas zyrtarëve të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2013 parashihet të jetë 3.3 për qind, që është më e larta në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, vendi ynë edhe më tutje do të vazhdojë të përballet me problemet e njëjta dhe banorët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë me të ardhurat më të ulëta në rajon. Sfida tjera pritet të jenë edhe kontrolli më i madh në veri, zvogëlimi i deficitit tregtar, luftimi i korrupsionit dhe ekonomisë joformale. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.