Brezovica në pritje të ringjalljes

17:04 / 30.01.2013

Pas paralajmërimeve të autoriteteve kompetente për përshpejtim të proceseve kyçe për privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”, njohës të çështjeve turistike dhe ekonomike e vlerësojnë hap të qëlluar por të vonuar. Kompleksi turistik “Brezovica” gjendet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe, ndërsa përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kanë filluar qysh në vitin 2006.

Ditë më parë Komiteti Drejtues Ndër-ministror për projektin Brezovica, ka aprovuar inicimin e procedurave të prokurimit, përkatësisht publikimin e shprehjes së interesit për identifikimin e investitorëve për këtë projekt.

Zekë Çeku, njohës i çështjeve të turizmit, e konsideron vendim të qëlluar, pasi sipas tij, për të ringjallur qendrën e skijimit “Brezovica”, urgjentisht duhet të përshpejtohet procesi i privatizimit. “Dëshiroj të besoj se është marrë një vendim më vend, Brezovica është degraduar deri në atë masë, sa që mua më vjen keq që është pritur aq shumë për privatizimin e qendrës turistike”, shprehet Çeku, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se Brezovica ka kapacitet të mjaftueshëm për investitorët potencialë dhe njëherësh sipas tij,është qendra e vetme e gatshme për treg. “Privatizimi i 'Brezovicës' duhet të bëhet më një përqendrim më të sinqertë, më korrekt dhe të orientuar ekonomikisht në sigurimin e sjelljes se investitorëve të mirëfilltë. Jo të bëhen manipulime të llojllojshme për të përfituar një grupacion apo grup i njerëzve të caktuar, mirëpo të bëhet një privatizim i mirëfilltë me një tenderim ndërkombëtar. Brezovica është një ndër asetet më të vlefshme në Kosovë në lëmin e turizmit”, thekson Çeku.

Edhe Lekë Musa thotë se privatizimi i këtij kompleksi do të sjellë përftime të mëdha në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, dhe po ashtu do të ndikojë në uljen e shkallës së papunësisë në atë rajon. “Tërheqja e investitorëve të ndryshëm do të ketë efekt tjetër multiplikativ në ekonomi, do të iniciohen edhe projekte të ndryshme ekonomike përreth, sepse cilido investitor që do të vijë aty, i nevojitet ndihma për zbatuar investimet që do të ndërmerr", thekson Musa.

Projekti Zhvillimor i Brezovicës pritet që ta shndërrojë atë në qendër turistike konkurrente me Maqedoninë dhe Bullgarinë në aspektin fitimprurës dhe atë të biznesit turistik.

Shprehja e interesit do të publikohet të enjten në gazetat e përditshme të Kosovës dhe “Financial Times”, ndërsa më 2 dhe 9 shkurt në revistën “The Economist”. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.