Paratë e diasporës “eksportohen” në Serbi

11:50 / 3.02.2013

Një pjesë e madhe e dërgesave të diasporës për familjarët e tyre në Kosovë, shkon në Serbi përmes konsumit të produkteve serbe që kosovarët vazhdojnë t’i blejnë me të madhe. Mbi 400 milionë euro vlerësohet të jenë mesatarisht remitenca në vit, kurse më shumë se gjysma e kësaj shume, mbi 250 milionë euro gjatë një viti shkojnë para kesh në Serbi nga blerja e produkteve serbe.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, përqindja e importit nga Serbia ka shënuar rritje përkundër thirrjeve që të mos blihen prodhimet nga Serbia. “Në vitin 2012, vlera e importit të mallrave serbe është afro 250 milionë euro, 3 për qind më shumë sesa në vitin paraprak”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Ndërkohë të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) flasin për një rritje të remitencave gjatë vitit 2012, krahasuar me vitin paraprak. Dërgesat e kosovarëve në nëntëmujorin e parë të 2012-ës, sipas Besnik Kadës nga BQK-ja, kapin shumën e 436.7 milionë euro, krahasuar me 428.2 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Përqindjen më të madhe të këtyre dërgesave kosovarët e shpenzojnë në konsum. Ndërsa duke iu referuar asaj, se në Kosovë konsumohen në shumicë produktet serbe, i bie se përqindja më e madhe e parave nga diaspora shkojnë në Serbi. Lumir Abdixhiku, nga instituti RIINVEST tha se, “shuma e parave që marrim nga diaspora është ekuivalente me shumën e parave që i japim për produkte serbe” , shkruan “Zëri”.

Eksperti për ekonomi, Muhamet Sadiku, ka thënë se produktet serbe tashmë kanë lëshuar rrënjë në Kosovë, por fajtor për këtë e bën edhe cilësinë jo të mirë të prodhuesit vendor. “Ekziston një prapavijë historike e konsumit të produkteve serbe, në këtë aspekt janë krijuar edhe preferenca me vite të tëra.

Arsyet tjera kryesisht ndërlidhen me nivelin e zhvillimit të sektorit të prodhuesve në vend. Kosova ende nuk është në gjendje as për afërmi t’i plotësojë nevojat në sektorin prodhues, dhe kjo ka bërë që të krijohet një varësi e madhe nga importi në përgjithësi”, ka thënë Sadiku. Ky trend i kësaj varësie ndaj produkteve serbe, sipas Sadikut, do të vazhdojë edhe më tutje.

Sipas tij, kemi nevojë edhe për një nacionalizëm ekonomik, por me rëndësi vazhdon ai, është që krahas një nacionalizmi ekonomik të forcohet edhe sektori privat. “Kosova nuk është në gjendje të eksportojë as deri në 4 milionë euro në vit, ndërsa importon deri në 180 milionë. Po ashtu vlerësohet se importi nga pjesa e veriut ilegal është rreth 150 milionë, pra një situatë tejet e padurueshme”, ka përfunduar Sadiku. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.