Mobilizohen për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri

15:47 / 5.02.2013

Investimet e institucioneve vendore në mbrojtjen e resurseve pyjore dhe në prodhimtarinë e fidanëve sivjet do të jenë edhe më të mëdha. Agjencioni Pyjor i Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për realizimin e dy projekteve, atë për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret në gjithë territorin e Kosovës dhe projektin për prodhimin e fidanëve në Institutin e Pylltarisë në Pejë. Kjo marrëveshje do të mundësojë punësimin e 90 personave në mbrojtjen e pyjeve dhe 20 të tjerëve në prodhimin e fidanëve, të cilët do të përzgjedhen nga qendrat komunale të punësimit.

Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, tha se qëllimi i kësaj marrëveshje është mbrojtja e pyjeve nga zjarret në gjithë vendin dhe mbjellja e mirëmbajtja e mbi 2 milionë fidanëve.

“Mbrojtja e pyjeve nuk është kompetencë e jona, por ne nuk mund të lejojmë që të na përsëriten dëmet e vitit të kaluar nga zjarret pyjore, duke shpresuar vetëm tek institucionet relevante. Këtë vit ne kemi filluar të organizohemi në të gjitha drejtoritë regjionale të APK-së, ku në secilën drejtori do të punësohen për katër muaj nga 15 punëtorë sezonalë, të cilëve do t’ua sigurojmë të gjitha mjetet e nevojshme për punë dhe do të jenë të gatshëm në çdo kohë që të intervenojnë në shuarjen e zjarreve. Nëse nuk do të ketë zjarre, të punësuarit sezonalë do të angazhohen në rregullimin e pyjeve përmes masave silvikulturore. Ndërsa, në projektin për prodhimin fidanëve në Institutin Pyjor të Kosovës, do të angazhohen gjithsej 20 punëtorë për nëntë muaj, të cilët gjatë kësaj kohe përveç mbjelljes së 2 milionë fidanëve do të angazhohen edhe në mirëmbajtjen e tyre”, ka thënë kryeshefi Zejnullahu.

Ndërmjetësimin për punësimin sezonalë të punëkërkuesve në këto dy projekte, ai thotë se do ta kryejnë zyret komunale të punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku kjo e fundit do të sigurojë edhe mjetet financiare në vlerë prej 118.800 euro për realizmin e këtyre dy projekteve.

Kryeshefi Zejnullahu, tregoi se APK-ja është e obliguar që të përcjellë realizimin e projekteve, të bëjë trajnimin e të punësuarve për përdorimin e mjeteve për shuarjen e zjarreve, të bëjë sigurimin mjeteve të punës për të punësuarit në mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, si dhe sigurimin e transportit për punëtorët. Për implementimin e projektit për prodhimin e fidanëve në IPK, i cili fillon nga 1 marsi dhe do të zgjasë deri me 1 dhjetor të vitit 2013, janë ndarë 39.600 euro. Ndërsa, për projektin e mbrojtjes së pyjeve nga zjarret, i cili do të fillojë nga 1 korriku dhe do të zgjasë deri me 31 tetor të këtij viti, janë ndarë 79.200 euro. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.