Beqaj: Mbyllja e TC ‘Kosova A’ krahas ndërtimit të Kosovës së Re

15:57 / 13.02.2013

Kosova ka nevojë për energji, mbi të gjitha Kosova ka nevojë për shëndet. Për këtë arsye Qeveria ka dhënë limit kohor fundin e vitit 2017 për mbylljen e “TC Kosova A”, të cilin e ka marrë si obligim në raport me BE-në, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente ministri Besim Beqaj i bëri gjatë vizitës së ekspozitës “Jeta pa Kosovën A” që është hapur Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë, ku të pranishëm ishin edhe Joost Koorte, Zëvendësdrejtor i KE-së për Zgjerimin, Jan Peter Olters, drejor i Bankës Botërore për Kosovë, zyrtarë të Zyrës së KE-së në Prishtinë dhe zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës.

Ai tha se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me BE-në ka bërë edhe grupe punuese të cilat kanë një plan operativ, të cilat që nga tani fillojnë me përgatitjet teknike dhe ligjore për ta mundësuar mbylljen e “Kosovës A”.

“Aq shpejt sa do të ndërtojmë ne kapacitetin e ri, aq më shpejt do ta mbyllim “Kosovën A”. Obligimet që i kemi marrë nga KE nuk janë për shkak të KE-së, por ngritjen e cilësisë së jetës të qytetarëve të vendit. Andaj sa më shpejt të na përkrah KE dhe BB për t’i ndërtuar kapacitetet e reja aq më shpejt do të mbyllim ‘Kosovën A’,” tha Beqaj.

Sipas tij, të gjitha diskutimet që po i bëjmë tani dhe aktivitetet e shoqërisë civile, të cilat në njëfarë forme kundërshtojnë ndërtimin e kapaciteteve të reja, janë kontribut për t’ia zgjatur jetën “Kosovës A”.

Kreu i MZHE-së tha se vendi po aq sa ka nevojë që ta mbyllë “Kosovën A”, ka nevojë që t’i ndërtojë kapacitetet e reja dhe maksimizimin e energjisë të ripërtëritshme. Për këtë qëllim, vitin e kaluar Qeveria ka dhënë një licencë për 24 MW për hidroenergji në komunën e Deçanit, ndërsa me 28 dhjetor të vitit të kaluar ka paraliçencuar mbi 100 MW për energji të ripërtëritshme nga uji.

“Ajo çka jemi duke bërë është që të kemi sa më pak energji nga linjiti, e sa më shumë energji nga burimet e ripërtëritshme, por energji të cilën qytetarët tanë mund ta paguajnë”, tha Beqaj për të shtuar se detyrë e Qeverisë është që të kemi furnizimin stabil me energji, të përballueshme nga qytetarët, e cila i përshtatet më së miri standardeve ambientaliste të BE-së, që njëherë është edhe përcaktimi ynë.

Me këtë rast, Beqaj tha se janë duke punuar me KE-në dhe BB për një konferencë të donatorëve për energjinë e qëndrueshme ku do ët diskutohet edhe mbyllja e “Kosovës A” dhe burimet e ripërtëritshme, qoftë nga uji, era apo solare.

Nga ana e tij, Joost Koorte, Zëvendësdrejtor i KE-së për Zgjerimin tha se para se të vinte në ekspozitë ishin në TC Kosova A, ku ka parë punën e mirë që është bërë për ndërrimin e filtrave që është në të mirë të vet punëtorëve të KEK-ut dhe qytetarëve të Kosovës.

“Është e qartë që jetëgjatësia është më e shkurtë se në rajon për shkak të pluhurit dhe kjo është një arsye me të cilën duhet të merremi dhe më vjen mirë që ministri, Besim Beqaj është shumë i përfshirë në këtë aspekt, me vendosjen e këtyre filtrave dhe me punën në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese që do të mundësonte pastaj mbylljen e “Kosovës A”.

Ai tha se si përfaqësues i Komisioni Evropian është shumë i kënaqur që të ndihmojë ministrin që të arrij rezultate. Dhe kjo është një ndërmarrje e përbashkët nga Kosova, KE, BB dhe me siguri edhe BERZH-i, prandaj shpreson që projekti i mbylljes së ”Kosovës A” dhe projekti i ndërtimit të TC Kosova e Re do të fillojë shumë shpejt.

Ndryshe, ministri Beqaj me bashkëpunëtorë para vizitave që u ka bërë sot TC Kosova A dhe ekspozitës “Jeta pa Kosovën A”, ka zhvilluar një takim me Joost Koorte, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin, Ruud van Enk, Zëvendësshef i Njësisë së për çështjet e Kosovës, Cindy van den Boogert zyrtare për politika në këtë njësi, zyrtarë të Zyrës së KE-së në Prishtinë dhe Jan-Peter Olters, drejtor i BB-së për Kosovën. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.