KEK-u 100 milionë euro borxh Qeverisë

12:41 / 27.02.2013

Derisa ditëve të fundit dyert e Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK), janë zënë nga protestues me kërkesa të ndryshme si për “fryrje” faturash, dhe ankesat për vendimin e rritjes së tarifave, kjo Korporatë ka dhe detyrimin e saj me miliona euro ndaj Qeverisë së Kosovës. KEK-u është i obliguar që Qeverisë çdo muaj t’ia kthejë 500 mijë euro.

Dhjetë milionë euro janë pjesë e obligimit të pashlyer të KEK-ut ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila e kishte kredituar KEK-un në kohën e UNMIK-ut. Ndërkohë që edhe 100 milionë të tjera për të cilat ende nuk ka marrëveshje sesi dhe kur do të nisin të kthehen.

Qeveria e Kosovës i ka ndarë 10 milionët e para nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës duke i derdhur në llogarinë e KEK-ut përmes Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Marrëveshja për marrjen e huas nga buxheti i Kosovës ishte nënshkruar nga ish-Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, ish-AKM-ja dhe KEK-u. Për një kohë të gjatë KEK-u kishte refuzuar të kthente këtë borxh me arsyetimin se ky borxh ishte marrë para se të ndodhte korporatizimi i KEK-ut. Me korporatizim ishin krijuar dy kompani, gjegjësisht “KEK sh.a” dhe “KEK Holding”.

Kredia prej 10 milionë eurosh ishte paraparë të kthehej gjatë vitit 2009, por kthimi i saj ka nisur tek në vitin 2012. “Kemi bërë riprogramimin, vitin e kaluar i kanë kthyer 4 milionë, këtë vit do t’i kthejnë 6 milionë, për çdo muaj nga 500 mijë euro, për muajin janar dhe shkurt i kanë alokuar mjetet. 1 milion e kanë kthyer, edhe 5 milionë do t’i kthejnë deri më 31 dhjetor të këtij viti”, ka thënë zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu.

“Për vitin 2014 duhet ta riprogramojë një kredi prej 14 milionë eurosh, mirëpo ne duhet ta riprogramojmë pasi që nuk dëshirojmë që ta ngulfasim KEK-un, ta pengojmë në operimin e saj si ndërmarrje publike. Duhet ta bëjmë një marrëveshje për kthim gradual”, tha Avdiu.

Kthimi i borxhit të edhe 6 milionë eurove të tjera ndaj qeverisë i cili është paraparë të kthehet këtë vit sipas zëdhënësit të KEK-ut, Viktor Buzhala nuk ndikon në prishjen e bilancit financiar të kësaj korporate. “Nuk e prish bilancin financiar sepse është i paraparë në buxhet të KEK-ut për këtë vit. KEK-u tashme ka kthyer dy këstet e para, përkatësisht 1 milion euro”, ka thënë Buzhala.

Sipas tij përveç këtyre kredive KEK-u ka edhe një tjetër 100 milionëshe. “Kemi dhe një kredi 100 milionë euro, mirëpo kemi marrëveshje me Qeverinë që deri sa të vendoset një marrëveshje se si do të kthehet kjo kredi të mos fillojmë me kthimin e saj”, ka thënë Buzhala. /Zëri/Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.