5% e duhanit në treg futet kontrabandë
Futja e mallrave të kontrabanduara po vazhdon edhe më tej në vendin tonë. E produktet që më së shumti po kontrabandohen janë nafta, duhani, si dhe shumë produkte të tjera. Produkte të tilla, sidomos duhan pa banderola, vazhdojnë të qarkullojnë edhe në kryeqytet tek shitësit ambulantë.Telegrafi gjatë një hulumtimi që ka bërë në Prishtinë ka hasur në shumë shitës të cilët shesin duhan pa banderola. Dallimet në pakot e cigareve pabanderola sipas duhanpirësve përveç në shkrimin për dëmet që shkakton pirja që me banderola është shqip, kurse pa banderola është anglisht vërehen edhe në cilësi gjatë pirjes.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për Telegrafin se ka duhan i cili futet nëpërmjet rrugëve ilegale, por, sipas tij kjo sasi nuk është e madhe. “Sipas vlerësimeve të tregut nga ana e Doganës vlerësohet se rreth 5 për qind e duhanit e cila gjenden në treg është produkt i kontrabanduar”, tha Stavileci.
Ai ka treguar se për muajin janar dhe shkurt të këtij vitit në vetin tonë janë importuar mbi 200 tonë cigare. “Në janar totali produkteve të duhanit të importuar është 156.30 tonë, kurse në shkurt janë 54.98 tonë”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Ndryshe, sipas statistikave dhe njohësve të ekonomisë Buxheti i Kosovës brenda vitit humb miliona euro nga kontrabandimi i mallrave sidomos në pjesën veriore të Mitrovicës, ku autoriteti i Qeverisë dhe Institucioneve të tjera të Kosovës nuk është i shtrish plotësisht . /Telegrafi/