Ekonomia e tregut të lirë një sistem i përkryer

14:30 / 9.11.2012

Çdo sistem ekonomiko-shoqëror ka karakteristikat e veta për nga mënyra e zbatimit në një shoqëri të caktuar e në një kohë të caktuar.
Fjalën hyrëse dua të shpjegoj me një definim pak ndryshe të ekonomisë, nga kuptimi praktikë i saj:
-Ekonomia nuk është shkencë, ajo më shumë i ngjan një teknike apo mënyre të mendimit, për të dhënë zgjidhje të problemeve në një kohë të caktuar-
Pra duke filluar nga ky definim do të mundohem të jem sa më i shpjegueshëm për lexuesin, në mënyrë që sadopak të kuptojmë sistemin e sotëm të përditshmërisë sonë.
Shumë analistë të ekonomisë sot japin mendime të ndryshme mbi ekonominë e tregut të lirë, disa e quajnë edhe si sistem të dështuar, disa ende e përkrahin me fanatizëm si sistemi më i mirë, që ka sjellë pasuri dhe mirëqenie. Në këtë pikë jam pak më i përmbajtur, as nuk them që është i përkryer e as nuk them që është i dështuar. Në njëfarë mënyre jam përkrahës i sistemit të ekonomisë së tregut të lirë, sepse në krahasim me sistemet tjera ekonomike shoqërore, kemi dëshmi për më shumë progres të përgjithshëm shoqëror në aspektin global. Mirëpo nuk i mohoj edhe dobësitë që ky sistem i ka, por që do të mund të përmirësoheshin.
Për të gjykuar një sistem ekonomik, nuk mund të jeni i drejtë nëse nuk e sheh atë sistem si pjesë të sistemit shoqëror. Me këtë dua të them që duhet të shohësh elementet e sistemit sesi reagojnë me njëra tjetrën dhe me çfarë rezultatesh, në shërbim të kujt dhe kuptimin e një objektivi në një të ardhme ku grupi shoqëror e sheh dhe e dëshiron atë. Pra, këtu dua të shtjelloj disa elemente të sistemit për të kuptuar më mirë përmirësimet e mundshme të ekonomisë së tregut të lirë në funksion të shoqërisë. Këto elemente janë: klasa politike, bizneset dhe ndikimet e tyre ekonomike, klasa shoqërore e mesme, të varfërit dhe të pasurit.
Çka ofron klasa politike në sistemin e pluralizmit politik? Ata ofrojnë programe politike, premtime dhe projekte me të cilat provojnë të bindin qytetarët për të ardhur në pushtet për një mandat të caktuar.
Kush është më së shumti i interesuar të ketë ndikim tek klasa politike? Pa kurrfarë dyshimi bizneset dhe ndërmarrësit, ata duan që të jenë bilez edhe pjesë e politikave tatimore, subvencionuese dhe krejt kjo me synim përfitimin ekonomik dhe ndikimin në treg. Diçka që është e natyrshme duke pasur parasysh që ekonomia e tregut të lirë është e bazuar në ideologjinë e Adam Smith: “selfishness is an organizing principle” – egoja është një parim i organizimit- në kuptim të organizimit për fitime materiale.
Kush lufton për vlera në një shoqëri? Natyrisht që është shtresa e mesme e shoqërisë që me të gjitha mjetet mundohet të ndikojë sistemin shoqëror, që të jetë më i drejtë, të këtë perspektivë individi dhe kërkon e propozon ide që shtresën e varfër ta tërheq nga varfëria dhe shtresën e pasur ta tërheq drejtë shtresës së mesme. Kjo ka qenë kështu gjatë historisë njerëzore dhe i ngjan një tregimi pa fund. Megjithatë, një proverb indiane thotë: -kur dy elefant luftojnë, kush vuan është bari në tokë-, me këtë dua të shtjelloj që lufta mes klasës politike dhe biznesit shkakton vuajtje shtresës së varfër dhe asaj të mesme, nëse ajo luftë nuk bëhet në interes të shoqërisë si e tillë.
Duke besuar që kam dhënë një sqarim të elementeve të sistemit dhe reaksionet mes tyre, do të shtoj që ekonomia e tregut të lirë në kuptimin e lirisë së plot të aktëreve, nuk ekziston, po të funksiononte si e tillë, nuk do të na duhej shteti dhe aparatet e tij. Pra me që shteti duhet të luaj rolin kryesor në zhvillimin shoqëror, atëherë mbetet që politikat shtetërore do të përcaktojnë mirëqenien tonë shoqërore. “Liri aq sa është e mundshme, intervenim aq sa është i domosdoshëm”. Populli e mban shtetin në një ekonomi të tregut të lirë, përmes sistemit tatimor dhe pikërisht këtë pikë do të mundohem të jap ide të përmirësimit të politikave tatimore, sepse është shteti ai që mund të ofrojë politika ekonomike ku shoqëria pastaj kanalizohet drejt një mirëqenie të përbashkët, apo ndodhë e kundërta ku rritët diferenca mes shtresave shoqërore dhe kjo padyshim gjeneron pakënaqësi.
Zhvillimi i përgjithshëm duhet kuptuar si një përmirësim i jetës sonë të përditshme dhe ai përmirësim duhet të prek të gjitha shtresat shoqërore dhe secilin individ brenda grupit shoqëror. Lidershipi politik duhet të kuptojë ekonominë si një rregullim shtëpiak praktik, si një teknikë mendimi për zgjidhje të problemeve që shoqëria ka. Pavarësisht kësaj, liderët politik më shumë bëjnë luftë mes partish se a janë të “djathtë” a janë të “majtë”, të “djathë nga qendra” apo të “majtë nga qendra”. Asnjëri profil politik nuk ofron zgjidhje automatike të sistemit ekonomiko-shoqëror.
Të pasurit nuk do të ishin të pasur, po të mos ekzistonin të varfrit dhe pjesa tjetër e shoqërisë, pasuria e tyre kalon nëpër duart e masave shoqërore, andaj iu takon sot atyre të japin më shumë nga pasuria e tyre në përmirësim të sistemit ekonomik si i tillë. Natyrisht kjo shtresë e pasur nuk pranojnë vullnetarisht të ketë ndryshime në sistem tatimesh që prek interesat e tyre, çka do të thotë që ata janë pjesë e bërjes së politikave të shtetit drejt ekonomisë së tregut të lirë. Është i vetmi miliarderi Warren Buffet që bën thirrje për rritje tatimesh për shtresën e pasur, miliarderet tjerë ose heshtin ose janë kundër.
Për të konkluduar do të thoja që përmirësimi i sistemit të “ekonomisë së tregut të lirë” në funksion të përgjithshëm shoqëror është përmirësimi i sistemit fiskal, do të propozoja:
- Sistem progresiv të tatimit në të ardhura, të paktën në 3 apo 4 çelësa; sa më të larta të ardhurat, më shumë kontribut në të ardhmen shoqërore.
- Dallim në tatim për personat që kanë familje dhe ata që jetojnë të vetëm, nuk është e drejtë që një burrë apo grua që ka 3 fëmijë paguan 10% tatim me pagë të njëjtë dhe një tjetër që jeton i vetëm paguan po ashtu 10% tatim. Fëmijët janë e ardhmja e çdo shoqërie, ata më vonë mbështesin sistemin pensional për gjeneratën që plaket. Andaj individi që jeton i vetëm duhet të paguaj më shumë tatim për pagën e njëjtë për t’i lënë hapësirë individit familjarë që të iu ofrojë një jetë më të mirë fëmijëve. Statistikat flasin që ata që jetojnë vetëm, shpenzojnë më shumë në pije alkoolike, rritja e tatimit në këtë rast, do të prodhon një të dehur më pak, pra një njëri normal më shumë, në shoqëri.
- Traget i rritjes së tatimeve të jenë bizneset e mëdha, ndërsa favorizim tatimor bizneseve të vogla. Kjo kanalizon dhe mbron konkurrencën fer në treg dhe ofron e quilibër ekonomik në të ardhmen.
- Politikë bankare të atillë që i detyron bankat të ulin normat e interesit. Sa më të larta normat e interesit, më pak investime në biznese të vogla, më pak progres në zhvillim të gjithmbarshëm.
- Tatim në “pasurinë neto”, ky lloj tatimi është prezent në disa vende europiane. Kryesisht caktohen limite të pasurisë neto, ku vijnë dhe tatohen natyrisht shtresat e pasura të shoqërisë.
- Tatim në transakcione financiare që kalojnë përmes sistemit bankar. Ky lloj tatimi duhet të ketë përqindje të vogël, prek të gjitha shtresat shoqërore, por kontributi është fer, dhe natyrisht shtresat e pasura do të paguanin më shumë për faktin që kanë më shumë transakcione financiare.
Pra, shteti është çelsi i ndryshimeve në sistemin shoqëror. Shteti duhet të luaj rolin e një gjyqtari korrekt mes elementeve të sistemit. Ato elemente do të reagojnë në atë mënyrë që tregu i lirë do iu mundëson të arrijnë në një ekuilibër të kënaqshëm e si rezultat një individ të lumtur në një shoqëri fer.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.