Jubileu 50 vjeçar i OEK-ut

15:20 / 12.11.2012

Për të rritë rolin dhe rendësin e Odës Ekonomike, para pesëdhjetë vitesh, tri asociacione sektoriale siç ishin: Oda e Tregtisë, e Bujqësisë dhe Oda Zejtare, morën vendimin për të unifikuar fuqinë ndikuese dhe e krijuan Oden Ekonomike të Kosovës. Përfaqësuesit e atëhershëm të biznesit, kishin vizion të qartë, që për dinamizmin e ekonomisë, është e rëndësishme të krijohet një mjedis i përshtatshëm dhe që OEK të jetë zë i respektueshëm i bizneseve. Atëbotë, sikurse edhe tash, misioni themelor i OEK-së është, që përmes unifikimit të forcave profesionale dhe kapitalit financiarë, të përfaqësojnë në mënyrë sa më të dinjitetshme interesat e ekonomisë. Dhe interesat e ekonomisë do të mbrohen dhe avancohen vetëm nëse arrihet që të ofrohen shërbime, këshilla dhe të i përfaqësojnë në mënyrë sa me profesionale dhe përmbajtjesore interesat e bizneseve, para strukturave qeverisëse.

Duke zbatuar përvojat e mira të odave në traditën e odave të Evropës Qendrore, ku odat kanë kompetenca edhe publike dhe si të tilla janë partner i respektuar i Qeverisë, OEK përherë respektohej si përfaqësuese e bizneseve. Edhe pse OEK vepronte në kushtet e një sistemi të qendërzuar të vetë administrimit socialist, zëri i sajë si përfaqësuese e ekonomisë, në hartimin e planeve zhvillimore dhe politikave fiskale, përkatësisht makroekonomike, avancimin e proceseve dhe ngritjen e strukturave profesionale, ishte i rëndësishëm dhe i pa kalueshëm. Shi për këtë, roli i OEK-së si zë i respektuar bizneseve, i krijonte odes avantazhe financiare dhe ekonomike, që në mënyrë të drejtpërdrejt e rriste ndikonin para strukturave qeverisëse.

Ndikimi i strukturave qeverisës të OEK-së, në zhvillimin ekonomik të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, zgjati deri në kohen kur Serbia nxori “Vendimin mbi aplikimin e rrethanave të posaçme në Kosovë”, me 26 qershor të vitit 1990. Si pasojë e zbatimit të “rrethanave të posaçme” nga regjimi i Millosheviqit, u vuan nënë administrim të detyrueshëm më se 400 ndërmarrje ekonomike. Shumica e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës , u futen në procesin e transformimit pronësor sipas programit të Qeverisë së Serbisë; një pjesë e ndërmarrjeve e nominuan kapitalin në fondet e Serbisë; për disa ndërmarrje shoqërore në mënyrë të veçantë transformimin e mbikëqyrte Oda Ekonomike e Serbisë. Në rrethanat e masave të detyrueshme, edhe OEK e humbi pavarësinë e sajë dhe u shndërrua në filial të Odes Ekonomike të Serbisë. Pasojat e administrimit të detyrueshëm dhe aparteidit ekonomik në Kosovë, për ekonomin ishin katastrofale. Prodhimi fizik në vitet e nëntëdhjeta pati rënie për 60%, ndërkaq Bruto Produkti Vendo u zvogëlua nga 968 $ amerikan sa ishte në vitin 1989, në vetëm 330 $ amerikan vitin 1999. Vitet e nëntëdhjeta me të drejtë konsiderohen si dekadë e humbur në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Për të i zbutur pasojat e rrënimit ekonomik dhe recesionit të thellë në të çilen ishte zhytur ekonomia e Kosovës nënë regjimin diktatorial të Serbisë, një grup i ndërmarrëseve privat dhe i veprimtareve politik, u organizuan dhe themeluan oden e mëvetësishme ekonomike me 26.05.1994. Në Kuvendin themelues, përveç anëtarëve të kuvendit u zgjodh edhe Kryetari i OEK dhe strukturat tjera qeverisëse të odes. Themelimin e OEK-së paraprakisht e kishte nominuar Qeveria e Kosovës në ekzil, me Dekretin nr. 01/25-D, datë 14.10.1993. Veprimtaria e odes zgjati deri me 26.05.1994, kur MUP-i serb në mënyrë të dhunshme burgosi stafin e OEK-së ( Ismail Kasratin kryetar, Sylejman Ahmetin sekretar dhe Mustaf Ibrahimin kryetar i këshillit drejtues).
Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, struktura e njëjtë e OEK-së, e vazhdoi veprimtarin e sajë dhe pikërisht me 24 qershor 1999 e morën menaxhimin e objektit dhe aseteve të tjera të odes. Oda Ekonomike e Kosovës e filli veprimtarin e vetë në kushte të reja, si organizatë e pavarur, jopolitike, joprofitabile dhe profesionale. Pavarësisht nga insistimi i ndërkombëtareve që OEK të futet nënë tutelën e UNMIK-tu, me organizimin e sajë strukturor dhe profesional, angazhimet këmbëngulëse në avancimin e proceseve ekonomike, ajo mbeti e pavarur. Oda Ekonomike e Kosovës për asnjë çast nuk u step nga ushtrimi i në mënyrë të pavarur të veprimtarisë së saj dhe asnjëherë nuk u shndërrua në OEK/UNMIK. Ky angazhim profesional dhe këmbëngulës në shtyrjen e proceseve ekonomike përpara, ndikoj që të rritet besueshmëria dhe të shtohet anëtarësia e OEK-së.
Sot kur OEK po e feston përvjetorin e pesëdhjetë jubilar të punës dhe veprimtarisë se suksesshme, ajo ka me çka të mburret dhe të krenohet. OEK e pas lufte hapi shtigje të reja dhe përçoi mesazhe të fuqishme përmes përfaqësimit të suksesshme të bizneseve. Organizimi në nivel profesional dhe angazhimi me përgjegjësi të lartë të drejtpërdrejt në avancimin e proceseve ekonomike, ndikoi që OEK të trajtohet si institucion i respektueshëm para strukturave qeverisëse ndërkombëtare dhe vendore.
Me angazhimin e fuqishëm të strukturave të odes, menjëherë pas çlirimit OEK shpërtheu barrierat që biznesi i Kosovës i kishte përjetuar për vite me radhë nga regjimi diktatorial i Millosheviqit. Angazhimi i odes ishte i koncentrua në veçanti në zhvillimin e marrëdhënie me bizneset jashtë vendit dhe me odat homologe. Duke u angazhuar për vizita të organizuara në panaire, organizimin e promocioneve dhe prezantimeve të ndryshme, organizimin e panaireve brenda në Kosovë, shumë biznese krijuan marrëdhënie bashkëpunimi me bizneset e jashtme dhe këmbyen përvoja mbi transferin e teknologjive moderne. Përveç angazhime që oda i zhvilloi në nxjerrjen e biznesit kosovar nga izolimi shumë vjeçar, OEK prore u angazhua në krijimin e ambientit sa më të mirë për të bërë biznes, qoftë me lobime këmbëngulëse dhe profesionale pran organeve qeverisës dhe ligjvënëse, në dialogun social, në informimin e bizneseve për rrjedhat ekonomike dhe legjislative, posaçërisht me ligjet sistemore ekonomike dhe fiskale, në trajnime dhe forma të tjera të bashkëpunimit.

Megjithatë, roli dhe rëndësia e OEK-së, pas miratimit të Ligjit ri për Oden Ekonomie (miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2005), nuk është ai i prituri. Me ligjin e ri, OEK-së i janë marrë të drejtat e publike, siç i ushtrojnë shumë oda të Evropës Qendrore (Gjermania, Austria etj), duke e shndërruar në institucion i të së drejtës private, sipas modelit Anglosaksone, ku lobimi është mënyra e përfaqësimit të bizneseve në stilin “sa para aq muzikë”. Rregullimi me ligj i funksionimit të Odes Ekonomike si OJQ, në mënyrë përmbajtjesore dhe funksionale e ka zvetënuar rolin ndikues të odes në partneritet me Qeverinë, duke e dobësuar edhe pozitën materiale të sajë.
Në kohen e një tranzicioni të tej zgjatur, kur klientelizmi, korrupsioni dhe krimi ekonomik janë dukuri, roli dhe rëndësia e odes vetëm sa rritet. Ekonomia e Kosovës sot ka probleme të mëdha, qoftë me procesin e dështuar të privatizimit, krijimin e monopoleve dhe oligopoleve në sektorin e tregtisë, të bankave, të shërbimeve të telekomunikacionit, të punësimit të gjeneratave të reja profesionistësh etj. Aktualisht biznes i suksesshëm është vetëm ai biznes që kultivon raporte “miqësore” me strukturat qeverisëse. Informaliteti dhe evazioni fiskal, janë përditshmëri që rrezikojnë bizneset legale dhe afarizmin rentabil të tyre. Flitet për ekonomi të tregut si një model dominues në ekonomit liberale, por realiteti kosovar është krejt tjetër.

Në Kosovë tregu është i pa organizuar, ndërkaq bizneset prodhuese jo që nuk mund të jenë të barabarta me konkurrencën që vjen nga jashtë, por ato janë të diskriminuara brenda përbrenda Kosovës. Pikërisht nga këto dhe shumë dobësi të tjera, Kosova ka një disbalncë të lart tregtar, mungesë të investimeve të jashtme direkt në sektorët real, zhvillim të ngadaltë të sektorit të prodhimit në përgjithësi, e agrobiznesit në veçantë, papunësi të lartë dhe varfëri të skajshme.

Pikërisht nga shkaqet e theksuara sipër, bizneset e Kosovës, posaçërisht NVM-të në sektorin e prodhimit dhe agrobiznesit, por edhe bizneset e tjera, duhet të angazhohen në rritjen e fuqisë ndikuese të OEK-së dhe pavarësinë e ekonomike të sajë, përkatësisht, rriten e përfaqësimit të bizneseve para strukturave qeverisëse.

(Autori është Ish- Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës)

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.