Kosova mes investimeve në infrastrukturë rrugore dhe lëndë të parë?

20:40 / 2.01.2013

Ndërlidhja e shteteve brenda vetë vendit si dhe ndërlidhja me sistem ndërshtetërorë të auto-udhëve që nga lufta e dytë botërore ka pas një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik, kështu që nisur nga shembujt e ndryshëm prej Shteteve të Bashkuara deri në vendet e Evropës e më tej investimi në auto-udhë është shndërruar në investim të detyruar për çdo vend i cili ka qenë i interesuar të ketë një zhvillim koherent.

Ekonomia moderne globale nuk i fal vonesat dhe ngecja në trendin e zhvillimit për kombe të ndryshme nuk është thjesht më si një mos zhvillim i duhur, por është një dukuri e cila do të ketë pasoja negative zinxhirore që do të përfshijmë më shumë sfera në kombet që ngecin në zhvillim ekonomik ( ngecje në shëndetësi, arsimim etj).

Pas tejkalimit të sistemit totalitar dhe pas demokratizimit të mirëfilltë shumë kombe të botës janë të interesuara në krijimin e politikave strategjike nacionale të zhvillimit ekonomik. Shumë më lehtë e kanë pas dhe e kanë kombet të cilat kanë shumë resurse natyrore të cilët ju mundësojnë një gjë të tillë dhe ato bëjnë gara në ndërtimin e auto-udhëve marramendëse, të sistemeve të përsosura të furnizimit me energji elektrike dhe me krijimin e lehtësirave të investitorëve të huaj, ngase qeveritë e këtyre vendeve nuk janë të pasigurta në mbushjen e buxhetit shtetëror dhe lehtë e kanë rregulluar legjislacionin i cili ju mundëson tërheqjen e investimeve direkte ndërkombëtare, mirëpo një gjë e tillë ka qenë dhe mbetet dhe më tej si një sfidë shumë e vështirë për qeveritë e vendeve të cilat nuk i kanë të sigurta të hyrat buxhetore dhe ndiejnë pasiguri në përmbushjen e planifikimeve buxhetore.
Kur flasim për ndikimin e lidhjeve rrugore në zhvillim ekonomik fjala është për ato vende të cilat së pari kanë krijuar politika fiskale dhe kanë ofruar infrastrukturë të sigurt për zhvillimin e punësimit dhe baraspeshimit të ndryshimit tregtar me të cilat dhe është krijuar bazë e mirë zhvillimore. Në ato vende të tilla ka marrë hovë zhvillimi ekonomik i cili ka imponuar nevojën e përjetësuar të mundësimit të një qarkullimit më të lehtë të njerëzve dhe mallrave.

Përherë nevojat e investimit në rrugë janë bërë pas studimit të qëndrueshmërisë së investimit, pra qeveritë kanë bërë studime paraprake se sa, kur dhe ku duhet të investohet , janë konstatuar cilat rrugë apo pjesë të rrugëve janë si fyt i ngushtë që është shndërruar në pengesë dhe më pas janë bërë investimet, gjë që është shumë e arsyeshme sepse nuk mund të bëhen investimet kapitale pa një arsyeshmëri të mirëfilltë përherë kur ka vullnet dhe dëshirë për zhvillim real pozitiv.
Duke pas parasysh këtë që u cekë më lartë vazhdojmë me çështje më të veçantë pra me paraqitjen e gjendjes së Kosovës në aspektin investitor dhe përfitimeve nga këto investime.

Kosova vitin 2012 e ka mbyllur me më shumë se gjysmën e popullatës të pa punë, ka vazhduar rënia ekonomike dhe varfërimi i popullatës, gjithmonë duke u bazuar në parametrat makroekonomik siç janë depozitat bankare të cilat në vitin 2012 kanë pësuar rënie. Kosova vitin 2012 e ka përmbyllur me rënie të punësimit. Ka një rënie të varfërisë së skajshme mirëpo njerëz shumë të varfër dhe të varfër vazhdon të ketë në Kosovë. Viti 2012 Kosovën e radhit të parafundit në Evropë për nga bruto produkti vendorë për kokë të banorit apo në Aglishtë ‘’Gross domestic product ( GDP) per capita’’ e që sipas Bankës Botërore janë 3596USD/kokë të banorit(KB), derisa vendet fqinje si i kanë si vijojnë: Shqipëria 4030USD/KB, Maqedonia 4925USD/KB, Mali i Zi 7111USD/KB dhe Serbia 6310USD/KB , sa i përket Evropës vetëm Moldavia e ka bruto produktin vendor për KB më të ulët se Kosova dhe është 1967USD/KB kjo pra përherë sipas Bankës Botrore (http://data.worldbank.org/indicator/NY.GDP.PCAP.CD) e vizituar më 1 janar 13.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk mund të ketë politika monetare për arsye të përdorimit të Euros gjë e cila nga shumë vende duke u nisur nga Kina e largët e deri në SHBA është nga armët kryesore të mbrojtjes së ekonomisë vendore nga ndikimi i ekonomisë globale, ka të mira nga përdorimi i Euros në Kosovë siç janë valuta e qëndrueshme dhe e fuqishme që është Euro, si dhe duke pas parasysh importet shumë të mëdha të Kosovës nga Unioni Evropian kursehet rata e konvertimit valutorë e cila mund të shkoj shpesh deri në 0.5% në transaksione mirëpo Kosova është e privuar nga politikat monetare deri sa të bëhet anëtare e plotfuqishme e Bankës Qendrore Evropiane.

Mirëpo pavarësisht politikave monetare shumë shkencëtarë mendojnë se burimet njerëzore dhe politikat fiskale kanë për të luajtur rol kyç në dhjet vitet e ardhshme.

Sa i përket burimeve njerëzore duhet të pranojmë se me sistemin e shkollimit që e kemi në Kosovë dhe me ngecjet në shkollim nga paralufta Kosova është shumë larg konkurrimit, një faktor shumë i dëmshëm është diferencimi politik i burimeve njerëzore dhe nepotizmi i theksuar në Kosovë, prandaj investimet në burime njerëzore duhet të jetë një prioritet për këdo që do të interesohet sinqerisht për të ngritur vendin në një nivel të kënaqur me një administratë të gatshme për përkrahjen e nismave të ndërmarrësve vendor dhe të huaj për investim në zhvillimin ekonomik.

Sa i përket pikës së dytë lirisht mund të themi se Kosova nuk ka politika fiskale pasi që me një TVSH dhe taksë doganore lineare për të gjitha produktet dhe me taksë doganore për shumicën e lëndës së parë dhe gjysmë produkteve nuk mund të konsiderojmë se vendi ynë ka politikë fiskale.

Mund të themi lirisht që vendi unë ka një sistem taksimi i cili i mundëson vjeljen e taksave nga tatim paguesit në masën që i duhet qeverisë dhe nuk ka për cak e as që ka vizion zhvillimor me qëllim të ofrimit të punësimit apo të ngritjes së vendit në një nivel më të lartë ekonomik.

Faza në të cilën po kalon Kosova nuk mund të arsyetoj investimet në auto-udhë para se të investohet në lëndën e parë, nuk duhet të dorë-hiqet nga autostradat mirëpo çdo cent i investuar duhet të jetë i bazuar në një studim të shkoqitur të qëndrueshmërisë së investimit apo siç jemi mësuar të quajmë ‘’studim i fizibilitetit’’.

Nëse Kosova e liron tërë lëndën e parë nga taksat del se do të ketë më pakë mjete buxhetore diku afërsisht 150 milionë euro të cilat mund të i konsiderojmë si investim i cili Kosovës do ti shpërblehet në punësim dhe në të hyra të tjera buxhetore nga të punësuarit gjë që investimi i tillë varet prej rrethanave ka mundësi të kthehet brenda një afati prej pesë viteve në buxhet, kohë që mund të konsiderohet shumë e shpejt në krahasim me kthimin i investimit nga autostradat që disa shkencëtarë mendojnë se Kosovës do ti duhet afërsisht dyzetë vite ti kthej këto investime.

Nga ajo që ne kemi dëgjuar nga prononcimet e qeverisë mbi orientimin e investimeve kapitale dhe ndarja e buxhetit për vitin 2013 na ja jep të kuptojmë se -
Kosova vitin 2013 po fillon me investime të mëtejme në zhvillimin shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve dhe në ngadalësim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik.
(Autori është Magjistër i Administrimit të Biznesit)

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.