Futbolli evropian në vitin 2012

21:38 / 31.12.2012

Një vit tjetër fantastik futbollistik po merr fund. Sigurisht, për t’i paraprirë një viti tjetër të mrekullueshëm, i cili vështirë se do të mund të jetë përsëritje e vitit 2012, pasi të gjithë kemi parë gola prej më të bukurve, skuadra shumë të forta dhe rekorde historike. Telegrafi sjell në fund të vitit përmbledhjen e asaj se çfarë ka ndodhur gjatë një viti kalendarik në futbollin evropian.

Euro 2012

Kampionati Evropian, Euro 2012, i zhvilluar në Poloni dhe Ukrainë do të mbahet gjatë në mend për befasitë. Kampioni Spanja e filloi kompeticionin me një barazim ndaj Italisë, të cilën do ta takonte në finale.

Gjermania e cila konsiderohej favorite po shkatërronte gjithçka që kishte përpara dhe eliminoi Holandën e mposhti Portugalinë qysh në fazën grupore.

Në gjysmëfinale Portugalia u përball me Spanjën, ku këta të fundit fituan pas ekzekutimit të penaltive për t’u kualifikuar në finale. Gjermania kishte punë me Italinë dhe në këtë sfidë epike shkëlqeu Mario Balotelli me dy golat e tij. Festimi i tij me shtrëngim të muskujve do të mbahet gjatë në mend, ashtu sikurse lotët e gjermanëve.

Në finale, Spanja e shkatërroi Italinë me rezultat 4-0, për të fituar trofeun e tretë të madh radhazi dhe për të vërtetuar edhe një herë se kush është duke e dominuar futbollin në planetin tonë.

Liga e Kampionëve

Shorti i eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve në shkurt vuri në përballje direkte klube të mëdha. Spikati sfida Milan – Arsenal, ku Rossonerët dolën fitues përkundër një tentim-rikthimi të Topçinjve në Emirates. Gara vazhdoi tejet atraktive. Milani ishte pranë që të eliminonte Barcelonën, i kishte të gjitha gjasat, por një penalti e dyshimtë bëri që kuqezinjtë në fund të eliminoheshin.

Në gjysmëfinalet e prillit dy duelet ishin mes Realit dhe Bayernit, teksa nga ana tjetër Chelsea kishte punë me Barcelonën. Pas një ndeshje të parë të cilën e fitoi Bayerni me rezultat 2-1, në sfidën kthyese Reali në Bernabeu fitoi me rezultat të njëjtë dhe ndeshja u vendos në penalti. Nga Reali mbajmë mend penaltinë katstrofale të Sergio Ramos, ashtu sikurse dështimin e Ronaldos, të cilat bënë që në fund bavarezët të kualifikoheshin në finale në tokën e tyre.

Chelsea pas fitores historike në Stamford Bridge me rezultat minimal shkoi në Camp Nou me një plan të qartë – formacionin 9-1-1 që në fund rezultoi i suksesshëm. Barcelona kaloi në epërsi, para se Ramires të shënonte një gol të bukur për të vënë pranë kualifikimit Chelsean. Barcelona realizoi edhe një gol, por në fund Fernando Torres prishi virgjërinë duke realizuar golin e kualifikimit në finale.

Në finale u zhvillua dramë e vërtetë. Bayerni në tokë të veten në Allianz Arena dominoi totalisht sfidën dhe goli që u mendua të ishte i triumfit historik nga Thomas Mueller në minutën e 83-të nuk ishte i tillë. Në minutën e fundit nga një goditje nga këndi, ishte Didier Drogba ai që me kokë e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Në vazhdime Arjen Robben huqi një penalti, duke bërë që sfida të vendosej në penalti dhe ku triumfoi Chelsea që u shpall kampion i Evropës për herë të parë në histori të klubit, teksa për Bayernin plagët mbesin të hapura edhe sot e kësaj dite.

Liga Premier

Vitin 2012 në krye të tabelës në Ligën Premier e startoi Manchester United, që ishte nëntë pikë para Manchester Cityt. Kjo në fund nuk kishte ndonjë ndikim të vërtetë. City arriti që ngushtojë diferencën dhe falë lëshimeve katastrofale të Djajve ndaj Evertonit dhe Wiganit, u desh që për titull të flitej në javën e fundit.

Në javën e fundit City priti QPR-në që po luftonte për mbijetesë, teksa United i shkoi Sunderlandit. United e fitoi takimin me një gol të Rooneyt, teksa Manchester City ishte në disavantazh deri në minutat shtesë ndaj QPR-së. City barazoi rezultatin në minutën e 93-të të shtesës, teksa vetëm disa sekonda më vonë Mario Balotelli e vuri në pozitë shënimi Sergio Agueron, që realizoi golin e titullit të Cityt, të parit pas 40 vitesh. City u shpall kampion me pikë të barabarta me United, por me golaverazh më të mirë. Gëzimi në fytyrat e Cityt ishte evident, teksa për Unitedin ky vit mbaron ende me atë dhimbje për gabimet.

Golashënuesi më i mirë u shpall Robin Van Persie, me 31 gola të realizuar. Ai gjatë verës kaloi për 24 milionë funte te Manchester United, që mbyll vitin në pozitën e parë me shtatë pikë para Manchester Cityt.

La Liga

Një sezon i mahnitshëm futbollistik u zhvillua edhe në La Liga. Në janar Real Madridi hyri në formën më të madhe sezonale duke realizuar një seri prej 13 fitoreve radhazi dhe 16 ndeshjeve pa humbje. Reali në fund e fitoi titullin me rekord 121 golash të realizuar dhe me shumë pikë larg Barcelonës që e mbylli sezonin me një Copa del Rey.

Lionel Messi u shpall golashënuesi më i mirë me 50 gola, katër më shumë se Cristiano Ronaldo.

Vitin 2012 në gjysmë të sezonit të ri Barcelona e mbyll si lidere me 16 pikë para Real Madridit dhe pa asnjë humbje të pësuar.

Lionel Messi theu rekordin e golashënuesit më të mirë në botë gjatë një viti kalendarik me 91 gola, duke thyer rekordin e 85 golave nga Gerd Mueller.

Serie A

Viti 2012 në Serie A ishte i pazakontë me një kampion të papritur. Milani që po mbronte titullin po i fitonte ndeshjet e vogla, por sfidat e mëdha sikur derbit ndaj Interit dhe ato ndaj Juventusit humbiste vazhdimisht. Kur flasim për Juventusin, këta të fundit ishin të pakapshëm dhe ishin kokë më kokë në luftë me Milanin.

Ndeshja vendimtare ishte ndeshja e zhvilluar në fund të marsit mes Milanit dhe Juventusit në San Siro, ku Muntarit iu anulua një gol i pastër dhe që ka mundur të jetë gol i fitores për Milanin. Shumë e konsiderojnë këtë moment si kryesorin që vendosi titullin, pasi me Juventusin që ishte pesë pikë përpara, vështirë se Rossonerët do të fitonin titullin.

Në fund Juventusi me plot meritë u shpall kampion i Italisë pas plot shtatë vitesh dështim për ta bërë këtë. Milani mbaroi në pozitën e dytë, kurse Interi ishte vetëm në vendin e gjashtë, pas tranzicionit të trajnerëve. Në dy derbit ishte Interi që ngadhënjeu ndaj Milanit, dy derbi këto që ishim me fatalitet për Rossonerët, pasi pësuan humbje nga Nerazzurët që po përjetonin krizën më të thellë në histori të klubit.

Golashënuesi më i mirë u shpall Zlatan Ibrahimovic me 28 gola (sot luan te PSG), i pasuar nga Diego Milito me 24 gola.

Viti 2012 mbyllet me një sezon të ri ku lider është Juventusi me nëntë pikë para Interit që është konkurrenti më serioz (tetë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Lazio). Milani filloi revolucionin dhe pas krizës në fillim, po ringjallet. Rossonerët kanë punë në Ligën e Kampionëve me Barcelonën në shkurt të vitit të ardhshëm.

Bundesliga

Fillimi i vitit 2012 në Bundesliga ishte krucial. Bayern Munichu kërkonte titullin pas triumfit të Dortmundit në vitin 2011. Pikërisht, bavarezët kishin një epërsi prej nëntë pikësh ndaj Dortmundit në fillim të vitit 2012, e cila deri në fund të sezonit ishte shkrirë.

Ndeshja kryesore e sezonit u zhvillua në Dortmund dhe për shumë arsye do të mbetet në kujtimet e bavarezëve. Njeriu më fatkeq i sezonit Robben huqi një penalti përballë portierit kundërshtar në Signal Iduna Park, për t’i mundësuar në fund Lewandowskit që me finte t’i fitonte tri pikët që në fund ia fituan titullin Dortmundit. Bayerni për të dytin sezon radhazi mbeti pa trofe.

Sezoni i ri në vitin 2012 në Bundesliga filloi me dominim të Bayernit, që tani ka nëntë pikë më shumë se sa Dortmundi që është në vendin e dytë.

Vlen të përmendet se në Bundesliga gjatë verës kaluan dy yjet shqiptare, Xherdan Shaqiri që po shkëlqen te Bayerni dhe Granit Xhaka, i cili forcoi radhët e Moenchengladbachut.

/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.