Juve me mungesë sulmuesish ndaj Lazios

23:34 / 21.01.2013

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, nuk ka opsione të mira në sulm për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë që e zhvillon të martën ndaj Lazios.

Sebastian Giovinco dhe Nicklas Bendtner janë të lënduar, ndërsa Fabio Quagliarella është i suspenduar. Edhe Mirko Vucinic është i dyshimtë për lojë, ashtu që opsioni i vetëm tash për tash është Alessandro Matri.

“Duhet ta vlerësojmë Vucinicin. Ai luajti 90 minuta intensive në fundjavë në një periudhë kur duhet ta ruajmë për shkak të nyjës. Do të më duhet të flas me Vucinicin, por duhet të analizoj gjithçka. Nuk dua që ai të lëndohet sërish, dua të jem i kujdesshëm”.

“Duhet të mendojmë mirë nëse do ta angazhojmë 90 minuta të tjera, sidomos për faktin që kemi vetëm një sulmues, Alessandro Matri. Ende nuk mund të them se kush do të luajë, do të më duhet ta zhvendos dikë nga pozita natyrale”, ka deklaruar Conte.

Në formacion nuk do të jetë as mesfushori kryesor Andrea Pirlo, ndërsa pritet kthimi i Claudio Marchisios.

Nga ana tjetër, edhe sulmuesi kryesor i Lazios, Miroslav Klose, do të mungojë për shkak të lëndimit. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.