Shqipëria nëpërkëmb Lituaninë

21:54 / 26.03.2013

Përfaqësuesja e Shqipërisë ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në ndeshjen miqësore kundër Lituanisë, të cilën e mposhti me rezultat 4-1.

Kombëtarja kuqezi e dominoi gjithë sfidën, por një paraqitje mbresëlënëse bëri në fraksionin e parë të lojës.

Rasti i parë real për të shënuar ishte në minutën e 26-të, kur shumë futbollistë vendas goditën disa herë në tentim për të shënuar, por më e shumta që bënë ishte goditja e transversales.

Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 33-të me një supergoditje të Alban Mehës nga gjuajtja e lirë nga një distancë rreth 35 metra.

Pas një asistimi të Migjen Bashës, Edgar Çani e dyfishoi epërsinë (38’).

Mesfushori kosovar i Torinos, Basha, e filloi shumë bukur aventurën e tij me përfaqësuesen e Shqipërisë, pasi u regjistrua edhe në listën e golashënuesve (44’).

Në gjysmën e dytë, kuqezinjtë nuk u angazhuan si në pjesën e parë, megjithatë ata e menaxhonin ndeshjen.

Pas një harkimi nga e majta të Ansi Agollit, mysafirët shënuan në portën e tyre (59’), për ta ngritur edhe më shumë avantazhin e vendasve.

Goli i nderit për Lituaninë erdhi pas një harkimi nga gjuajtja e lirë, ndërsa realizues ishte Evaldas Razulis, i cili shënoi me kokë (75’). /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.