Festa e Barcës fillon që sonte

23:52 / 11.05.2013

Real Madridi ka dështuar ta shtyjë edhe më shumë festën e Barcelonës, pasi ka barazuar me rezultat 1-1 kundër rivalit lokal të Blaugranëve, Espanyol.

Ekipi nikoqir luajti më mirë në gjysmën e parë dhe arriti të shënojë një gol.

Pas një harkimi nga këndi, topi shkoi në këmbët e Stuanit, i cili e dënoi ekipin mysafir (22’) dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Kaka ishte i heshtur në fraksionin e parë. Ndërsa në pjesën e dytë, Jose Mourinho inkuadroi Karim Benzeman (Morata) dhe Cristiano Ronaldon (Kaka).

Megjithatë, goli i barazimit erdhi nga futbollistët që luajtën nga minuta e parë. Luka Modric asistoi te Gonzalo Higuain, i cili e nivelizoi takimin (58’).

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Los Blancos nuk arritën të shënojnë golin e fitores dhe këtu mbaron edhe matematikisht lufta e tyre për titull.

Barcelona është kampion i Spanjës për sezonin 2012/2013, pavarësisht rezultateve në xhirot e mbetura. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.