Zyrtare: Mourinho, trajner i Chelseat

12:43 / 3.06.2013

(E plotësuar) Chelsea ka konfirmuar se e ka angazhuar Jose Mourinhon në postin e trajnerit. Strategu portugez është kthyer për të dytën herë në Stamford Bridge dhe ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin londinez.

50-vjeçari i drejtoi Blutë në vitet 2004-2007, pastaj e mori drejtimin e Interit (2008-2010), për të shkuar te Real Madridi (2010-2013) dhe tash është rikthyer te Chelsea.

“Kam nderin që ta mirëpres kthimin e Joses te Chelsea. Suksesi i tij i vazhdueshëm, rrugëtimi dhe ambiciet e bënë atë një kandidat të jashtëzakonshëm”.

“Qëllimi ynë është që klubin ta çojmë përpara për të arritur suksese edhe më të mëdha në të ardhmen, ndërsa Jose është zgjedhja e parë, sepse besojmë se është menaxheri i duhur për ta bërë atë”.

“Ai ka qenë dhe mbetet një figurë jashtëzakonisht e popullarizuar te klubi dhe të gjithë këtu mezi presin që të punojnë me të”, ka deklaruar shefi ekzekutiv i Chelseat, Ron Gourlay.

Ai vjen pas largimit të Rafael Benitezit, i cili e drejtoi skuadrën vetëm një pjesë të sezonit duke arritur ta fitojë trofeun e Europa League dhe duke siguruar kualifikimin e Bluve në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. (Trajneri spanjoll ka nënshkruar për Napolin).


Mourinho: Te Chelsea gjatë javës

Jose Mourinho ka zbuluar se gjatë kësaj jave shpreson të faktohet menaxher i rii Chelsean.

Portugezi sot pritet të qëndrojë në Londër ku do të negociojë për rikthimin e tij në Stamford Bridge, dhe pret negociatat të mbyllen deri në fund të javës.

“Nuk mund të flas si menaxher i Chelseat, pasi nuk jam. Për momentin jo. Të hënën do të shkoj në Londër dhe mendoj se nga e hëna deri në fund të javës do të bëhem menaxher i Chelseat. Por për momentin nuk jam”, ka thënë portugezi gjatë një interviste për Punto Pelota të realizuar të shtunën dhe të publikuar sot.

“Pritni dhe do të shihni nëse do jem ose jo menaxher i Chelseat, por do të doja të isha pasi kam qenë i lumtur këtu dhe mendoj se njerëzit më duan”.

“Në jetë ju duhet ta shikoni këtë. Jeta është e bukur dhe e shkurtër dhe ju duhet të shikoni se çfarë është më e mira për ju”, ka shtuar Mourinho.


/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.