Zemra ime e zgjodhi Barcelonën

21:01 / 3.06.2013

Barcelona e ka bërë prezantimin zyrtar të transferimit më të ri, Neymar, i cili deklaroi se ndoqi zemrën kur vendosi të kalonte në Camp Nou e jo te Real Madridi.

“Janë të dy klube të shkëlqyera, nuk ka dyshim për këtë. Jam i kënaqur që të dy klubet më dëshironin. Unë e ndoqa zemrën time dhe ja ku jam – një lojtar i Barcës”.

“Ishte një vendim familjar. Unë gjithmonë e dëgjoj babanë dhe nënën time. Padyshim se kam marrë më shumë oferta për më shumë para. Paratë nuk na motivojnë”, ka deklaruar 21-vjeçari.

Ai është shprehur i lumtur që do ta ketë në krah futbollistin që e quajti më të mirin në botë, Lionel Messi.

“Unë nuk përpiqem të bëhem më i miri në botë. Më i miri në botë është këtu – Lionel Messi. Jam vërtet i kënaqur që kam fatin të luaj krahas tij”, ka shtuar braziliani.

“Dua të sjell shumë kënaqësi dhe triumfe këtu. Jam shumë i lumtur. ishte një moment shumë emocional dalja në fushën e Camp Nou. Njerëzit më duartrokitën”.

“Duhet t’i mbaj lotët. Po e jetoj ëndrrën – ëndrrën e fëmijës Neymar”, vazhdoi ish-sulmuesi i Santosit. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.