Çifti kosovar në profilin e Sir Alex: Pretendimet për padi ndaj tij, janë ofenduese

16:55 / 3.02.2013

Fotografia e një çifti të sapomartuar në terrenin e basketbollit në parkun e Gërmisë në Prishtinë, ka arritur famë të madhe nëpër rrjetet sociale, ndërsa ka tërhequr edhe vëmendjen e menaxherit legjendar të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, i cili e ka komentuar në faqen e tij në rrjetin social Sulia. Në fotografi shfaqet dhëndri (Faredin Agaj) në rolin e portierit dhe nusja (Vlora Pireva) që ka vënë njërën këmbë mbi top, ndërsa Sir Alex e ka komentuar si “Martesa e tifozëve të vërtetë të futbollit”.

Ky veprim i strategut të madh të futbollit, e ka gëzuar tej mase çiftin që menjëherë i është falënderuar Fergusonit me anë të komenteve të tyre.

“I nderuar z. Ferguson, jam shumë i nderuar që jam pjesë e profilit tuaj, jam i befasuar dhe e vlerësoj shumë komentin tuaj në fotografinë time. Futbolli është sporti ynë më i preferuar në Kosovë dhe shpresoj që së shpejti vendi im ta ketë mundësinë të jetë pjesë e futbollit ndërkombëtar, në mënyrë që ne ta kemi mundësinë që të luajmë me ekipet ndërkombëtare. Prandaj, ju lutemi z. Ferguson që ta mbështesni të drejtën tonë që të jemi pjesë e futbollit ndërkombëtar, sepse kemi shumë për të ofruar”, ka shkruar dhëndri.

“I nderuar Sir Ferguson, jam shumë e nderuar dhe e lumtur që kam marrë koment nga ju. Faleminderit për mbështetjen z. Ferguson. Përshëndetje nga nusja”, ka shkruar nusja.

Ndërkohë, në një artikull të botuar në Koha Ditore, fotografi Sharr Rezniqi ka marrë të gjitha meritat mbi vete duke deklaruar se ai e ka publikuar fotografinë në rrjetet sociale dhe se fillimisht ishte ndier krenar për punën e tij, por më pas ka ndier një lloj inati pse “fotografia është publikuar pa autorizimin” e tij, dhe shton se është duke i shikuar mundësitë ligjore që të kërkojë dëmshpërblim nga Ferguson.

Këto deklarata kanë nxitur reagimin e çiftit në fotografi (Vlora Pireva dhe Faredin Agaj) që thonë për Telegrafi se “publikimi i fotografisë në gazetë dhe deklarimet e Sharr Rezniqit në lidhje me këtë fotografi janë të pa autorizuara, dezinformuese, të pa baza dhe për qëllime promovuese personale”.

“Ajo fotografi është njëra prej fotografive të ahengut tonë martesor. Të gjitha te drejtat për këtë fotografi i kemi vetëm ne (çifti). Fotografia është publikuar në Facebook nga vet ne - çifti (jo siç thuhet në gazetë që publikimi është bërë nga Rezniqi) dhe është pëlqyer shumë nga shumë rrjete sociale, nga mijëra njerëz duke arritur deri te Sir Alex Ferguson”.

“Pasi që fotoja shkoi edhe te faqja e trajnerit të klubit të famshëm Manchester United, Sir Alex Ferguson, Sharri e mori foton nga interneti (sepse ai nuk e ka këtë foto) pa asnjë të drejtë, pa asnjë autorizim dhe pa asnjë kontaktim me ne, doli në intervistë në gazetë dhe tha se ajo foto është bërë publike nga ana e tij në të gjitha portalet e mundshme dhe kishte denoncuar se do t’i shqyrtojë mundësitë që ta padiste trajnerin për publikimin e fotografisë pa autorizimin e tij dhe kërkon dëmshpërblim për të cilin nuk ka asnjë të drejtë. Sharri nuk mund të brengoset për foton tonë se nga kush po publikohet dhe komentohet, e aq më pak mund të flasë për padinë ndaj Sir Alex Ferguson, kur vet fotografi mund të paditet për keqpërdorim, thyerje të privatësisë, dhe keqpërdorim në emër të fotografisë tonë”.

“Andaj pretendimet e deklaruara nga Rezniqi për padi dhe dëmshpërblim ndaj trajnerit të mirënjohur britanik, janë të pa baza dhe ofenduese. Ne konsiderojmë se është nder që një personalitet me ndikim në sportin botëror, siç është Sir Alex Ferguson të pëlqejë dhe të paraqesë në profilin e tij foton tonë dhe shpresojmë që sado pak kjo fotografi të shërbejë në promovimin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar”, thuhet në reagimin e çiftit. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.