NEWBORN, me flamujt e shteteve “njohëse”

12:11 / 15.02.2013

“NEWBORN”, monumenti me të cilin identifikohet shteti “i ri” i Kosovës, të shtunën do të ngjyroset me flamujt e të gjitha shteteve të cilat e kanë njohur pavarësinë.

Iniciativa për këtë ngjyrosje vjen në prag të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës nga Fisnik Ismaili, ideator dhe realizues i obeliskut i cili simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Ismaili ka ftuar qytetarët që të shtunën, më 16 shkurt, t’i bashkohen iniciativës që NEWBORN të ngjyroset me flamujt e të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Mënyra se si do të dukej NEWBORN për pesëvjetor

“Meqë NEWBORN është i ndërtuar që të shkruhet e vizatohet në të nga secili qytetar i botës, ju ftojmë që ta realizojmë së bashku idenë e ditëlindjes së parë, që të ngjyroset NEWBORN me flamujt e të gjitha shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Ismaili në profilin e tij në Facebook dhe në faqen zyrtare të Newborn.

Ismaili u ka bërë ftesë qytetarëve që të shtunën, nga ora 10 të mblidhen para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, që është adresa e “NEWBORN”-it që nga 17 shkurti i vitit 2008, duke marrë me vete njërën nga pajisjet e mëposhtme:

- Brusha ose rollera (valaka) të të gjitha llojeve dhe madhësive
- Tharëse flokësh, sa më shumë, më mirë
- Sa më shumë lecka
- Dorëza, kapela dhe rroba që nuk ju duhen, për ngjyrosje
- Shkallë apo skele për të arritur lartësitë në 3 metra
- Ndihmë financiare për të blerë ngjyrat
- Ndihmë me ushqim dhe pije për vullnetarët.

/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.