Çmimet Oskar: Day-Lewis shkruan histori
Daniel Day-Lewis ka hyrë në historinë e kinematografisë duke u bërë aktori i parë i cili ka fituar tre çmime Oskar si aktori më i mirë në rolet kryesore.Në ceremoninë e mbrëmshme të zhvilluar në Kodak Theater të Los Angelesit, aktori britanik u vlerësua për interpretimin e tij në filmin ‘Lincoln’ me regji të Steven Spielberg. Në fjalimin e tij pas marrjes së çmimit, Daniel Day-Lewis theksoi: “Nuk e di se si ndodhi. Kam pasur shumë fat në jetë.”

Adele mban në duar trofen për Këngën më të Mirë në film
Në këtë mënyrë Daniel Day-Lewis ka kaluar legjenda si Jack Nicholson, Marlon Brando, Dustin Hoffman dhe Tom Hanks, të cilët kanë nga dy çmime Oskar në karrierën e tyre si Aktori më i Mirë në rolin kryesor.
Filmi më i Mirë i vitit u shpall trileri ‘Argo’ me regji të Ben Affleck. Ky film është i pari që nga viti 1989 që shpallet si më i miri pa pasur në nominim për Oskar regjisorin e tij. Në atë vit Oskarin e kishte fituar filmi ‘Driving Miss Daisy’.

Ben Affleck duke pranuar çmimin Filmi më i mir për "Argo"
Çmimin e Aktores më të Mirë në rol kryesor e fitoi 22-vjeçarja Jennifer Lawrence për interpretimin në filmin ‘Silver Linings Playbook’.

Aktorja më e mirë, Jennifer Lawrence
Anne Hathaway mori çmim Oskar për Aktoren më të Mirë në rol dytësor për paraqitjen në filmin “Les Miserables”.
Çmimi i Regjisorit më të Mirë të vitit shkoi në duart e Ang Lee me filmin ‘Life Of Pi’.
Lista e fituesve në Oskar:
Filmi më i mirë: Argo
Aktori më i mirë: Daniel Day-Lewis (Lincoln)
Aktorja më e mirë: Jennifer Lawrence (Silver Linings Playbook)
Aktori më i mirë joprotagonist: Christopher Waltz (Django Unchained)
Aktorja më e mirë joprotagoniste: Anne Hathaway (Les Miserables)
Regjisori më i mirë: Ang Lee (Life of Pi)
Filmi më i mirë i huaj: Amour (Austri)
Skenari më i mirë: Quentin Tarantino (Django Unchained)
Filmi më i mirë i animuar: Brave
Produksioni më i mirë: Lincoln
Cmimi i kinematografisë: Life of Pi
Kolona zanore më e mirë: Skyfall (Adele Adkins dhe Paul Epworth)
Kostumografia më e mirë: Anna Karenina
Dokumentari më i mirë: Searching for Sugar Man
Dokumentari më i mirë me metrazh të shkurtër: Inocente
Makiazhi më i mirë: Les Miserables
Filmi më i mirë i animuar me metrazh të shkurtër: Paperman
Efektet vizuale më të mira: Life of Pi /TCH/