Ledri, kthehu në skenë

18:29 / 17.07.2013

Një prej reperëve më të mirë shqiptar, por që ka ndaluar aktivitetin e tij tash e sa kohë, Ledri Vula, kohëve të fundit është bombarduar nga kërkesat e shumë prej fansave të tij lojalë që t’i kthehet muzikës. Telegrafi sjell arsyet pse Ledri duhet ta bëjë këtë.

Ledri ndaloi aktivitetin e tij nga muzika para saktësisht një viti. Konflikti i Babastars me grupin rival nga Shqipëria, OTR, e ka pasur në front Ledrin. Por, pos kësaj lidhja me ish të dashurën Dafina Zeqiri ka shpjerë drejt një sulmi të pa precedentë ndaj tij, rrethanat e të cilit incident dihen tashmë.

Këto dhe skandalet tjera bënë që Ledri, i cili rrjedh nga një familje me kulturë dhe edukim të lartë, të ndalojë aktivitetin nga muzika, të largohet nga Babastars dhe t’i thotë lamtumirë Dafinës.

Vendimi i duhur në momentin e duhur. Këtë periudhë Ledri e shfrytëzoi shumë mirë. Ai diplomoi në regji të filmit me notë mesatare të shkëlqyer dhe madje fitoi edhe një grant nga qeveria për një kompani që do të mbrojë të drejtat autoriale.

Por, ai së fundmi është parë i shoqëruar nga reperët e njërit apo labelit tjetër dhe nëpër rrjete sociale u tregua aktiv duke komentuar projektet e reja. Ai thellë në zemër e dashuron ende hip hopin, kjo është e qartë, por duket se ka ende një pa siguri se si do ta prisnin fansat e tij dhe nëse do të kthehej, në çfarë forme dhe pjesë e cilit grup do të ishte. Telegrafi sjell disa prej arsyeve pse Ledri duhet t’i kthehet sa më shpejt muzikës.

Fansat

Ledri gëzon një bazë të jashtëzakonshme të fansave. Vetëm në Twitter ai ka rreth 45 mijë ndjekës, më shumë se çdo reper tjetër dhe kjo përkundër mungesës së tij nga skena dhe nga mediumet shqiptare. Në Facebook ai ka rreth katër mijë miq (50 mijë ndjekës), kryesisht njerëz që i njeh. Në Instagram, rrjetin social të fotografive, ai ka 12271 ndjekës. Në po këto rrjete sociale, që thënë realisht përbëjnë bazën e fansave të tij, janë adhuruesit e tij ata që vazhdimisht i bëjnë thirrje që të kthehet.

“Ledri kthehu”, “Pa ty hip hopi nuk ka kuptim”, “I mungon skenës”, “Je më i miri”, “S’ka hip hop pa ty”, “Vdiq repi” – këto dhe shumë e shumë tjera janë komentet e fansave dhe pikërisht fansat duhet të jenë baza e inspirimit të tij për t’iu kthyer muzikës.

Visari a.k.a Skivi

Ledri suksesin e arriti nga fillimet e tij me mikun e ngushtë Visar Shalën, apo Skivin. Ata me grupin Skillz lansuan dy albume fantastike që ngërthyen shumë hite, e të cilat ende dëgjohen nga fansat dhe madje edhe kanë mbetur në analet e hip hopit shqiptar.

Por, që prej largimit të Ledrit nga Babastars, që ishte edhe ndarje e grupit Skillz, Visari nuk ka arritur që t’i përmbushë pritjet dhe e ka pasur të vështirë të veprojë pa Ledrin. Visari është reper i jashtëzakonshëm, por vetëm në grup me Ledrin. Ledri është shumë i mirë, por fantastik me Visarin në grup. Njëri nuk bën pa tjetrin dhe që karriera e të dyve të kthehet në piedestal, bashkimi në një të ardhme të afërt është i pashmangshëm.

Telegrafi e di se ata i kanë rreth 60 këngë të pa publikuara, të gjitha të nivelit më të lartë. Kjo, është një prej arsyeve kryesore pse ai duhet të kthehet.

Noizy

Sigurisht, Ledrit nuk do t’i pëlqejë kur do ta shohë këtë emër në raportin tonë special. Por, një prej arsyeve kryesore pse ai duhet të kthehet në skenën muzikore është reperi nga Shqipëria, me të cilin ai ka pasur gjithçka tjetër, pos marrëdhënie të mira.

Ledri ishte në front gjatë incidentit të Babastars me OTR në aeroportin e Zurichut, ku ishte zhvilluar një rrahje brutale mes grupeve. Ato madje postuan video pas incidentit dhe menjëherë u lansua kënga e Babastars me po të njëjtin titull, që zhvendosi luftën në anën muzikore. Ledri ishte frontmen edhe në këtë këngë, duke shprehur fuqinë e tij me ç’rast e ka fyer dhe demaskuar ashpër Noizyn.

Por, reagimi i Noizyt ishte shumë brutal. Ai u kundërpërgjigj me hitin “Na Jena OTR” që ishte diss i madh ndaj Babastars, një prej më të mëdhenjve në historinë e hip hopit. Edhe në këtë këngë përmendet disa herë emri i Ledrit, të cilin Noizy e fyen ashpër. Sidoqoftë, kjo nuk i dha fund karrierës së Ledrit.

Ledri nuk duhet ta lë me kaq. Kështu, në rast se ndonjëherë Ledri vendos të kthehet në skenën e hip hopit shqiptar, sigurisht se do t’i sqarojë edhe disa hesape të pakryera me Noizyn, në atë që ka qenë dhe mund të jetë betejë mes dy kolosëve të repit.

Industria e muzikës

Industrisë së muzikës shqiptare i ka munguar shumë Ledri në kohët e fundit. Një vit pas largimit të tij, hip hopi humbi shumë në formë dhe në strukturë. Goditja që pësoi industria e muzikës shqiptare ishte e madhe, plagët ende janë të thella. Këtë e di edhe Ledri më shumë se askush tjetër, i cili ishte faktori kryesor pse muzika dhe skena e hip hopit humbi një prej ikonave më të mëdha në ekzistencën e tij.

Mbetet të shihet nëse Ledri do t’i kthehet muzikës, por një gjë është e sigurt – ai ende e ka në zemër repin dhe jetën në studio, prandaj mos u befasoni nëse ndodh diçka në një të ardhme të afërt. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.